Borchard: Për në BE duhen reforma politike
Ambasadori gjerman Bernard Bochard tha dje nga qyteti i Korçës se Shqipëria duhet të zgjidhë problemet politike në vend për t'iu përshtatur frymës evropiane dhe për t'u bërë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Ai ka deklaruar se çelësi i suksesit për t'u anëtarësuar në Union nuk janë vetëm reformat dhe aspektet ekonomike, por edhe ato politike. "Një anëtarësim i shpejtë i Shqipërisë në BE do të kishte çelësin e suksesit jo vetëm në aspektin ekonomik. Këtu duhet edhe aspekti politik. Ne presim dhe shpresojmë një zgjidhje të problemeve politike në vend, një zgjidhje që vjen nga mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, për të qenë brenda frymës evropiane", u shpreh ambasadori Bochard. Sipas diplomatit gjerman, politika duhet të gjejë një zgjidhje dhe mirëkuptim duke iu përshtatur frymës evropiane. Këto deklarata ambasadori gjerman i bëri gjatë ceremonisë së përurimit të kanalizimeve të ujërave të zeza, në të cilën morën pjesë ministrat Sokol Olldashi dhe Ridvan Bode. Qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar, i përsëritur gjithmonë e më shpesh kohët e fundit, vjen në një moment kur maxhoranca dhe opozita janë ende larg me pozicionet e tyre për sa i përket hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Opozita nga ana e saj kërkon bërjen e transparencës së plotë të kutive të votimit, përfshi të gjitha votat e hedhura në to, por që kjo kërkesë nga ana e maxhorancës vlerësohet si në kundërshtim me Kushtetutën dhe vendimin e vitit 2003 të Gjykatës Kushtetuese. g.a