E Diel, 1 Nëntor 2026

Borchardt: Investitorët gjermanë, sytë drejt energjisë dhe turizmit



Gjermanët janë striktë, korrektë dhe menaxhues të mirë. Këto karakteristika nuk mund të mungonin edhe tek Bernd Borchardt, ambasadori gjerman në Tiranë. Borchardt del shpesh nga zyra e tij e ngrohtë, ku pret zyrtarë dhe lexon raporte, duke u zhveshur nga kostumi zyrtar dhe zbret edhe në fshatin më të largët të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, për të parë ku ka shkuar dhe qindarka e fundit e dhënë nga qeveria gjermane për projektet shqiptare. I shoqëruar dhe nga një grup gazetarësh, ambasadori gjerman ka ndjekur nga afër realizimin e disa projekteve në Kavajë, Kuçovë, Berat, Fier, të përqendruara kryesisht në problemet e ujit dhe shërbimet sociale.

Në një intervistë për gazetën “standard” ambasadori gjerman, Bernd Borchardt, ka vlerësuar realizimin e projekteve dhe është i bindur se fondet kanë qenë efikase, ato kanë shkuar në destiancion, pasi kanë dhënë efektin për të cilin janë financuar. Ai konfirmoi se qeveria gjermane do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë me financime për projekte të ndryshme, ndërsa shton se interesi i investitorëve gjermanë është shtuar ndjeshëm për të ardhur në Shqipëri. Sektorët që i sheh me shumë interes dhe për të cilët do të ftonte investitorët gjermanë të vinin në vendin tonë, janë ata të energjisë dhe atë të turizmit.

Por, duke pasur pranë një ambasador të një vendi të fuqishëm perëndimor, nuk mund të rrinim pa e pyetur për situatën politike dhe bojkotin e opozitës, por ai si gjerman i vërtetë, i qëndron rreptësisht qëllimit për të cilin ka ardhur dhe nuk pranon të flasë për politikën.

Zoti ambasador, ju keni zbritur në terren për të parë nga afër realizimin e projekteve që financohen nga qeveria gjermane nëpërmjet bankës “Kreditanstalt fur Wiederaufbau” (KfW). Ku janë të përqendruara kryesisht ato?

-Për sa u përket investimeve shtetërore gjermane, këto janë të përqendruara kryesisht në sektorin e furnizimit me ujë dhe pastrimit të ujërave të zeza. Ne kemi grumbulluar ndërkohë në vitet e fundit eksperiencë të pasur dhe e vlerësojmë shumë të mirë këtë eksperiencë. Një sektor i ndihmës është mbështetja e firmave shqiptare. Një projekt konkret është kjo fabrikë e përpunimit të qumështit “Erzeni” në fshatin Samaticë të Beratit. Pranë kësaj firme ndihma gjermane ka konsistuar në konsulencën për të rritur prodhimin dhe cilësinë e prodhimit. Dhe kam përshtypjen se dhe drejtori i kësaj firme është shumë i kënaqur nga ndihma që ne kemi dhënë. Po kështu është ndihmuar për rehabilitimin e shkollave apo kopshteve në zona të ndryshme. Një projekt që ne e pamë nga afër, ishte rehabilitimi i kopshtit “Natyra” në Kuçovë.

Ju ngaherë jeni i pranishëm në fund të projekteve në vendin ku ato janë realizuar. Si e vlerësoni efikasitetin e tyre? A kanë shkuar fondet që jepen nga qeveria gjermane në destinacion?

-Jam shumë i bindur për këtë që them, ato janë shumë efikase. Projektet janë realizuar siç duhet. Siç e patë dhe ju gazetarët në projektin e furnizimit dhe pastrimit të ujërave të zeza në Kavajë, ai ishte një projekt i përfunduar dhe shumë efikas. Për më tepër ky projekt merr vlerë kur është krejt afër plazhit, çka do të thotë që nuk kemi ndotje në det.

Në udhëtimin e vitit të kaluar ju thatë në një intervistë për gazetën “standard” se pengesë për investitorët mbetet pronësia mbi tokën, e cila nuk është zgjidhur. Çfarë mendimi ndani lidhur me këtë çështje aktualisht?

-Është kryesisht një problem që pengon sektorin privat, që ka të bëjë me çështjen e pronësisë. Javën e kaluar u botua Raporti i Përparimit të Shqipërisë nga Komisioni Evropian dhe në raport është përmendur që një nga problemet kryesore të Shqipërisë është pikërisht mangësia e sigurisë për truallin dhe tokën.

Investitorëve gjermanë çfarë u sugjeroni ju për të investuar në Shqipëri? Cili është sektori që ju shihni me interes për të investuar?

-Sigurisht që varet për sektorin për të cilin do të flasim. Nëse do të flasim për sektorin e energjisë unë do t’i ftoja të vinin, sepse ata kanë shumë për të bërë në këtë fushë. Mund të bëhet shumë për energjisë dhe sidomos për energjinë e rinovueshme. Besoj se do të ishte tërheqëse nëse do të merreshin edhe me sektorin logjistik.

Me hapjen e autostradës që lidhet me Kosovën (rruga Durrës-Kukës-Morinë) besoj se bregdeti shqiptar po bëhet shumë më tërheqës. Në mëngjes në hotelin kur ne ishim në Berat, takuam disa turistë gjermanë. Ata më thanë se vitin tjetër do të vinë dhe dy-tre herë të tjera. Ata bëjnë udhëtime në vendet me histori pasi janë të dhënë mbas monumenteve. Pikërisht vizita për këtë synim i intereson një numri të shumtë vizitorësh në Gjermani.

Në cilat qytete janë përqendruar kryesisht projektet e financuara me fonde gjermane?

-Projektet gjermane janë të shumta. Financimet e bëra nga KfW janë disa, mund të përmendim këtu projektin e impiantit të pastrimit të ujit të pijshëm në Kavajë si dhe impiantin e pastrimit të ujërave të zeza po në këtë qytet që kapin një vlerë investimi 3.6 milionë euro. Projekti i impiantit të ujërave të zeza në Kuçovë është një projekt që do të fillojë së shpejti prej 7 milionë eurosh dhe bashkë me projektet e furnizimit me ujë në Berat kapin vlerën e 11.25 milionë eurove. Një projekt tjetër është ai i sistemit pastrimit të kanalizimeve të ujërave të zeza në qytetin e Korçës që do rikonstruktohet tërësisht, përmes një fondi prej 15 milionë eurosh që është dhënë në formë të huaje nga banka gjermane KfW. Po kështu KfW me financimet e saj po realizon dy projekte të rëndësishme të energjisë në vend. Me një shumë prej 90 milionë eurosh, janë nënshkruar dy marrëveshje të financimit për shërbime ekspertize për "Linjën e transmetimit 400 kv Tiranë-Prishtinë, Kosovë dhe "Unaza 110 kv për Jugun e Shqipërisë", midis qeverisë shqiptare dhe bankës shtetërore gjermane “Kreditanstalt fur Wiederaufbau”, KfW. Këto projekte për ndërtimin e linjave Tiranë-Prishtinë prej 400 kv dhe "Unaza 110 kv për Jugun e Shqipërisë", janë projekte me rëndësi strategjike për zhvillimin e Shqipërisë.

Janë realizuar disa projekte të furnizimit me ujë dhe impiantet e kanaleve të ujërave të zeza si në Korçë, në Krujë, Kukës, Pogradec, Kavajë, Lushnjë. Ndërsa pritet të realizojmë projekte të tjera siç është për mbrojtjen e mjedisit në liqenin e Ohrit dhe në detin Adriatik, në Shkodër, Kuçovë, Berat. Krahas këtyre kemi dhe disa projekte bashkëpunimi me partnerët tanë, por që janë projekte të shërbimeve sociale dhe ndaj kam qenë i lumtur që ne përuruam një kopsht fëmijësh dhe që kemi dhënë kontributin tonë në këtë pikë. Ka qenë një fushë ku ne prej vitesh kemi investuar në Kuçovë në rinovimin e kopshteve dhe çerdheve dhe deri tani ka rezultuar se kemi pasur rezultat.

Do të shtohet më tej harta gjeografike e projekteve që financon qeveria gjermane?

-Natyrisht, ne po e zgjerojmë gradualisht hartën e ndihmës gjermane, kemi projekte për në Lushnjë, Fier, Gjirokastër, në Sarandë, në hidrocentralin e Bistricës, gjithashtu në përmirësimin e rrjetit elektrik në Jug të Shqipërisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›