E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borchardt: Liberalizimi i vizave, sapo kushtet BE të plotësohen

TIRANE- Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernard Borchardt deklaron se për Shqipërinë ka lajme të mira dhe të këqija në drejtim të përmbushjes së parakushteve të përcaktuara nga BE. Deklarata e tij u bë gjatë inspektimit të pikës së kontrollit kufitar në Muriqan.

Borchardt theksoi se te lajmet e mira përfshihen ndër të tjera progreset e dukshme në aplikimin e teknologjisë së informacionit në fushën e policisë dhe atë kufitare. Por nga ana tjetër ka edhe lajme të këqija: “Para pak ditësh indeksi i korrupsionit i Transparency International, i njohur në mbarë botën, konstatonte një përkeqsim të situatës në Shqipëri.”

Raporti vjetor 2009 i EUROPOL-it shënonte, se Shqipëria ende shërben si qendër grumbullimi dhe transporti për shpërndarjen e heroinës në Bashkimin Europian. Raporti i Progresit i Bashkimit Europian në tetor 2009 arriti në përfundimin, se përpjekjet e qeverisë shqiptare për të luftuar krimin e organizuar ende janë në një fazë fillestare dhe se përpjekjet për të luftuar pastrimin e parave duhet të intensifikohen më tej.
Ambasadori gjerman tha se progreset në këto fusha janë parakusht për liberalizmin e vizave.

“Përfitoj nga rasti të inkurajoj qeverinë shqiptare për të thelluar përpjekjet në këto fusha, në mënyrë që më në fund regjimi i vizave të hiqet. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në këtë rrugë“-ka perfunduar deklaraten e tij ambaasori gjerman, i cili shoqërohej nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha në këtë vizitë në Muriqan.
(NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›