E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria nuk është një mal me pilaf!

Në vitet ’60, një hamall trupvogël, të cilin gjithë Korça e njihte me emrin Tataç, kur bëhej ndonjë gjyq për “vjedhje
të pasurisë socialiste”(nen që parashikonte dënime shumë të rënda) thoshte me zë të ngjirur dhe shtruar: “E po këta, kujtuan se socializmi është një mal me pilaf dhe o burra të rrëmbejmë nga një lugë e t’i biem ta hamë. “Tataçi i gjorë duhet të ketë 40 vjet që ka vdekur dhe socializmi po bën 20. Shqipëria, pilafi dhe lugët kanë mbetur.
Në raportet e ndërkombëtarëve për korrupsionin, Shqipëria ka bërë hapa prapa këtë vit. Nuk kam ndërmend të vë në dyshim sondazhet e organizmave të specializuara, as edhe të përforcoj me bindje që korrupsioni vërtet gjatë vitit 2009 u shtua. Këtë e them, se ky djall me këtë emër gërryerës ka kohë që është shtruar këmbëkryq në jetën shqiptare. Dua të merrem me një deklaratë të kryeministrit Berisha, lidhur me rolin që ka luajtur korrupsioni në Bashkinë e Tiranës, në sondazhet e kryera me shtetasit shqiptarë gjatë vitit 2009, për nivelin e korrupsionit në vend. Pak a shumë, në konferencën për shtyp, kryeministri tha se zbritja e shkallëve të Shqipërisë vjen nga bllokimi i lejeve të ndërtimit prej Ramës, por pas disa muajsh ky problem do zgjidhet me daljen e ligjit të ri për planifikimin e territorit”.
Që Berisha gënjen, ky nuk është ndonjë zbulim. Të qenit demagog është veçoria kryesore e tij si politikan. Megjithatë, i mësuar me gënjeshtra politikanësh (që për fat të keq nuk ndodhin vetëm në Shqipëri), i hodha një sy ligjit që do fillojë të zbatohet në shtator të vitit 2010 dhe që do na ngjitë, të paktën 20-30 shkallë në tabelën botërore të “pastërtisë”!!
Me keqardhje konstatova të kundërtën.
Ligji i ri e shton mundësinë e rritjes së korrupsionit, përveçse krijon edhe probleme të tjera për urbanistikën dhe territoret e Shqipërisë.
Le të ndalemi në dy-tri pika kryesore, se ligji është rreth 70 faqe dhe nuk mundet në një shkrim të tillë të preken të gjitha problemet që krijon zbatimi i tij.
E meta kryesore e këtij ligji është rritja e centralizimit dhe zvogëlimi i kompetencave të pushtetit vendor në çështjet e Urbanistikës dhe të zhvillimit të territoreve.
Është i njohur botërisht fakti që centralizmi e shton korrupsionin. Sali Berisha, në vend të përzihet sa më pak në çështjet e territoreve dhe ndërtimeve në to dhe të suprimojë Këshillin e Rregullimit të Territorit të Shqipërisë, me ligjin e ri, i ndryshon vetëm emrin (quhet Këshilli Kombëtar i Territorit) dhe shton edhe një institucion të ri pranë Këshillit të Ministrave, që do quhet Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit.
Ku qëndron e keqja?
Në radhë të parë, nuk është normale për një parti të djathtë të bëjë atë që në Perëndim quhet zmadhim i qeverisë dhe rritja e rolit të saj. Megjithatë, le të lëmë mënjanë parimet bazë të politikës, se tek ne janë disi kokëposhtë dhe le të kthehemi te ndërtimet dhe korrupsioni.
Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit do marrë atributet e ish-Komisionit të Planit të Shtetit për çështjet e zhvillimit kombëtar. Në krye të saj, me siguri që Berisha do vendosë ndonjë kallash-shpërndarës nga ata të ’97-ës dhe do bëjë si i thotë mendja dhe qejfi me territoret e Shqipërisë. Pak a shumë, dollibashi Berisha do jetë në krye të një sofre të madhe me miq dhe do fillojë të shpërndajë pjesë nga mali me pilaf dhe thelat e majme, sipas devotshmërisë të pjesëmarrësve në sofër. Ky quhet korrupsion sade (në gjuhën e kuzhinës turke).
Në ligjin e ri hiqen KRRT-të e njësive vendore (për hir të së vërtetës, nuk e dija këtë hap të Berishës, kur shkrojta artikullin “Përse hesht Petraq Kolevica?) dhe tani pushtetarët vendorë do zbatojnë Planet Rregulluese dhe Rregulloret e miratuara nga AKPT dhe KKT.
Kur lexoja këtë ligj të ri, mendja më shkonte se si ishte pajtuar Rama me këtë largim të dhunshëm nga sofra e malit me pilaf. Pa ditur shumë hollësi rreth diskutimit dhe miratimit të këtij ligji në prill të këtij viti, them se në euforinë pragzgjedhore, edhe Edvinin e dehu ëndrra për t’u bërë dollibash. Po, a është Shqipëria një mal me pilaf dhe o burra t’i futemi me lugë? Përgjigja është më shumë JO se sa PO. Shqipëria nuk është më në kohën kur toka dhe thuajse çdo gjë tjetër ishte pronë shtetërore.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›