E Diel, 1 Nëntor 2026

Borchardt: Vendi i opozitës, në Kuvend

 

BLEDAR HOTI

Ndërkombëtarët vazhdojnë të apelo-jnë në adresë të Partisë Socialiste për t’i dhënë fund bojkotit të Parlamentit. Kësaj here thirrja publike erdhi nga ambasadori i Republikës së Gjermanisë, Bernd Borchardt, duke iu bashkangjitur kërkesës së ambasadorëve të BE-së dhe të OSBE-së, të cilët u bëjnë thirrje partisë më të madhe të opozitës që të heqë dorë nga bojkoti. “Bashkimi Evropian ka dhënë tashmë një deklaratë mjaft të qartë në lidhje me këtë. Rekomandimi im do të ishte që të shohim drejt të ardhmes dhe ato rekomandime që janë bërë tashmë dhe në raportin e OSBE-ODIHR-it të merren parasysh dhe të zbatohen”, tha ambasadori gjerman. Borchardt theksoi se për çështjen e reformave, të cilët duhet të votohen me një shumicë të cilësuar votash, nevojitet e opozita. “Me bojkotin, cenohen disa reforma që patjetër kanë nevojë për opozitën, ndaj vendimet e rëndësishme merren në Kuvend dhe aty duhet të jetë dhe vendi i opozitës. Sigurisht që për një gjë të tillë janë të nevojshme vendimet që ndërmerren në Parlament. Për shumicën prej tyre nevojitet një shumicë e cilësuar e votave. Për disa pjesë të reformës në drejtësi kjo do ta vështirësonte punën, sepse është e nevojshme një shumicë e cilësuar në Kuvend”, tha kryediplomati gjerman. Sipas tij, për një pjesë të kërkesave të opozitës mund të arrihej kompromisi me PD-në, si partia kryesore e maxhorancës qeverisëse. Në lidhje me kërkesën e opozitës për hapjen e kutive të votimit, Borchardt theksoi se: “Nuk jam një ekspert i Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor shqiptar ndaj dhe nuk mund të jap një vlerësim në lidhje me këtë”. Ai ka tentuar që të bindë dhe shumicën se për një pjesë të kërkesave që bën opozita mund të kishte dhe zgjidhje ligjore. “Por megjithatë ka dhe kërkesa të tjera të opozitës, të cilat mund të zbatoheshin dhe viheshin në jetë. Po përmend p.sh., ndryshimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiove e Televizioneve, KKRT, apo të bordit të Radio Televizionit Publik, RTSH. Pra, ka disa kërkesa që nga ana ligjore mund të realizohen”, komentoi sot në Tiranë ambasadori i Gjermanisë Bernd Borchardt. Dy ditë më parë ambasadorët Helmut Lohan i Komisionit Evropian dhe Robert Bosch i OSBE-së i bënë thirrje opozitës që të përfshihen në Kuvend, duke i dhënë fund bojkotit parlamentar. Pas një takimi me kryediplomatin shqiptar, Ilir Meta, ambasadori Bosch theksoi se: “Ne po jemi gati për të mbështetur Shqipërinë në rast se kërkohet për të ndihmuar Qeverinë si dhe opozitën, brenda Parlamentit, për të zbatuar realisht rekomandimet e raportit të ODIHR-it”. Për ta bërë këtë, opozita është realisht e nevojshme dhe sigurisht kjo bëhet vetëm në Parlament”, tha ambasadori i OSBE-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›