E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idrizi: Do hyj në Kuvend, Rama më tha të mbledh vota çame

 

adi shkembi

Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, tha dje se kjo forcë politike do të jetë e hapur për të bashkëpunuar me të gjitha partitë. Në intervistën e parë për gazetën “Panorama” si kreu i kësaj partie, ish deputeti i PS-së foli edhe për programin e PDU-së dhe marrëdhëniet me ish-kryetarin e tij, Edi Rama. Po të kishte fituar Partia Socialiste, do ta krijonit partinë e re?
Do ta krijonim në të gjithë rastet. Një parti si e jona në kushtet e Kodit Elektoral ekzistues, kur partitë e mëdha nuk krijojnë dot shumica qeverisëse të forta, mund të imponojë me forcë arritjen e objektivave për të cilën folëm. Në rrethana të tjera, mbase nuk do kishim këtë mundësi. Ne duam që të arrijmë shumë shpejt disa suksese të para, dhe pastaj të zgjerojmë mbështetjen rreth partisë, dhe jini të bindur se do ta bëjmë. Kemi fiksuar një axhendë hapash politikë dhe diplomatikë, brenda dhe jashtë vendit, që do ju habisin.
A ju duket e moralshme kjo zgjedhje? Keni qenë në studentët e dhjetorit, i lidhur me Partinë Demokratike, pastaj me PS-në e Nanos, u përfshitë në institucione dhe në kryesinë e partisë kryesore të majtë. Tani po drejtoni një parti të re të djathtë. Mos vallë dhe çamët i ka përfshirë sëmundja e partive që arrijnë pushtetin? Pra, a është ky një trafik i partive politike apo i deputetëve?
Duken disa ngjashmëri, por nuk është e vërtetë kjo që thoni ju. Po të ishte e vërtetë, ne do ta kishim bërë partinë më parë dhe do të ishim që më herët pjesë e negociatave për vende të nivelit të lartë në qeverinë Berisha. Do të kishim plotësisht të drejtë të pretendonim prej qeverisjes së djathtë shumë më shumë se ndonjë subjekt tjetër. Ne nuk e bëmë këtë. Ne thjesht vlerësuam se mbrojtja e interesave kombëtare në kushtet e sotme, kombëtare dhe ndërkombëtare, me Kodin e ri, bëhej më mirë me një parti të re. Të hapur dhe jo dogmatike, një parti e tipit lëvizje. Të hapur për bashkëpunim djathtas dhe majtas, me këdo faktor në favor të këtyre interesave. Ju thatë se po drejtoj një parti të qendrës së djathtë. Të qendrës për saktësi, megjithëse këto konvencionet i majtë, i djathtë në kushtet tona e kanë humbur vlerën e tyre historike apo ideologjike. Ne jemi një parti e interesit kombëtar, e cila nuk njeh ngjyra partiake. Por nëse duam, mund ta quajmë të qendrës dhe atëherë, ky kalim imi, kjo etapë në karrierën time, që mund ta quaj etapë të pjekurisë, të vetëdijësimit për vokacionin tim, etapë ku marrin fund dyshimet se ç’di dhe ç’dua të bëj më shumë,  mbaroi. Unë u ktheva në një familje politike ku hyra për herë të parë ndërsa u përfshiva në lëvizjen e dhjetorit dhe nga ku dola për t’u rikthyer përsëri. Po rikthehem më i pjekur, me një barrë eksperiencë. Çdo të thotë moral? Është një bashkësi rregullash që disiplinojnë sjelljen njerëzore, duke i bërë njerëzit më të mirë. A nuk ju duket e mirë, pra e moralshme t’i shërbesh interesit kombëtar, pa kushtëzimet që liderët e partive të mëdha shpesh i vënë vetes dhe partive të tyre? Ne jemi të ndërgjegjshëm, madje se këta liderë dhe e kanë dëmtuar interesin kombëtar në raste të caktuara. E kanë dëmtuar me vetëdije atë. Në emër të atyre që i kanë shpallur objektiva të integrimit, apo të karrierës së tyre personale.
A do të bëni koalicion me qeverinë aktuale? Me ç’kushte? Çfarë postesh do t’i krijoni asaj?
Ne do të negociojmë me të gjithë, por sigurisht mbi baza programatike. Bëni durim dhe do të mësoni shumë në të ardhmen. Do të legalizojmë partinë dhe pastaj do të ndërmarrim gjithë hapat e nevojshëm. Ylli polar është i qartë, asnjë interes kombëtar nuk do të neglizhohet dhe për këto interesa ne jemi mjaftueshëm të ditur për të imponuar kushtet më të përshtatshme.
A do të hyni në Parlament?
Unë jam i detyruar ta bëj një gjë të tillë. Një kurs i tillë politik si ky që kam zgjedhur ma imponon këtë. Çdo minutë e kohës sonë është e çmuar për të punuar për objektivat kombëtare, dhe përfshirja në institucione është rruga më e mirë për të shfrytëzuar kohën dhe mundësitë që të japin ato për kontakte, ekspertizë, ndikim politik, etj, etj.
Çfarë qëndrimi do të mbani ndaj qeverisë së djathtë?
Panorama pluraliste shqiptare ka pasur parti ku anëtarët, drejtuesit e saj, janë qoftë me prejardhje apo me bindje të majta, qoftë dhe me bindje të djathta. Por që janë bashkuar në emër të një blloku interesash përfaqësues të bashkësive që ata i përkasin. A nuk kanë qenë të suksesshme shpesh ato, duke u imponuar partive të mëdha pika të caktuara të programit. Në pikëpamje taktike ne do të mësojmë nga të gjithë: nga partitë e mëdha, por dhe nga të voglat, nga ato brenda dhe jashtë vendit.
Nuk e mohojmë se duke qenë parti që në themelim të vet ka një grup intelektualësh dhe qytetarësh me origjinë çame, kjo parti do të ketë më shumë vokacion të djathtë. Por ne sigurisht do ta zgjerojmë spektrin krahinor të partisë, duke shkuar madje dhe jashtë Shqipërisë. Për shkak se është parti kombëtare, ajo nuk ka megjithatë një ideologji të caktuar, diçka që është dhe karakteristikë e kohës sonë, kur partitë ideologjike po zhduken. E pra, si parti kombëtare ne do të mbështesim apo do të mbështetemi tek ato parti që do të na ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve tona historike. Kjo e bën imponuese bashkëpunimin me çdo parti që është në pushtet. Por kujdes: askush nuk ka prej nesh një çek të bardhë që mund ta mbushin si të duan. Çdo bashkëpunim yni do të ketë karakter rreptësisht programor. Ne nuk jemi një parti klasike që përfaqëson grupe shoqërore apo ideologjikë të caktuar dhe që synon ardhjen në pushtet për interesa të ngushta. Po sigurisht ne e dimë që objektivat kombëtarë duhet të shoqërohen me përfaqësim adekuat në ekzekutiv dhe në të gjithë nivelet e qeverisjes. Ashtu siç ne do të bashkëpunojmë dhe me opozitën për çështje të caktuara dhe jini të sigurt për një gjë: ne do të jemi gardianë të interesit tonë kombëtar! Ne s’kemi problem të shkelim rregullat e sjelljes së mirë politike, për të denoncuar apo kritikuar cenimin më të vogël të këtij interesi! Duke u distancuar dhe nga aleatët rast pas rasti.
Ju jeni zgjedhur në listat e PS. Çfarë marrëdhëniesh keni me Ramën dhe ç’qëndrim mbani në përplasjet e brendshme të Ramës me kundërshtarët e tij?
Është e vërtetë se në një pikëpamje, me këtë sistem zgjedhor, pra me proporcionalin, ti dukesh se je zgjedhur ekskluzivisht prej siglës partiake që ke përfaqësuar. Po ky është vetëm një shikim i ngushtë. Individët e përfshirë në listat e proporcionalit, veçanërisht kur nuk janë anonimë i japin këtyre listave, i japin vota të mbështetësve ekskluzivisht të tyre. Unë jam thirrur të përfaqësoj PS-në në Vlorë, pikërisht prej kreut të saj, Edi Rama. Ishte diçka e paparashikuar për mua që isha deri atëherë drejtues i partisë në Tiranë. M’u tha tekstualisht se “të kemi zgjedhur aty sepse ti do të thithësh votat e elektoratit çam në segmentin Vlorë-Sarandë”. E bëra këtë në mënyrën më të mirë dhe me sukses. Po pse më votuan çamët mua? Sepse siç e dini besoj, unë krejt i shkëputur nga partia ku bëja pjesë kam folur më shumë se askush për çështjen çame, dhe i kam përfaqësuar më mirë se askush, edhe i vetëm komunitetin tim. Madje e kisha menduar edhe më parë të shkëputesha. Këto qëndrime kanë pasur dhe kosto politike, por unë i kam përballuar. Në këtë kuptim, unë s’kam tradhtuar askënd. Përkundrazi, jam koherent me votuesit e mi.....

Programi i PDU

Nisur nga e vërteta dramatike se, çështja kombëtare ka njohur një rrudhje të ndjeshme që prej Luftës së Dytë Botërore;

Duke konsideruar se, regjimi komunist i kushtëzuar nga përkatësia e Shqipërisë në kampin socialist, mbrojtja e parimeve të internacionalizmit stalinist, koniunktura ndërkombëtare dhe rajonale nuk i kushtoi thuajse fare rëndësi zgjidhjes së çështjes kombëtare;

Nisur nga fakti tjetër se, tranzicioni postkomunist i përngjiti në analizën tonë kësaj çështjeje dhe problemin e emigrantëve shqiptarë jashtë vendit, që sot përfaqësojnë midis 25 dhe 30% të popullsisë së Shqipërisë politike;

Duke arsyetuar se dhe problemet e tyre të mbijetesës, statusi i bashkësive që ata kanë krijuar në emigracion,raportet me Shqipërinë amë, riintegrimi i tyre si pjesë vitale dhe properëndimore e shoqërisë dhe kombit tonë, përfaqësojnë gjithashtu pjesë të rëndësishme të çështjes kombëtare të shqiptarëve sot në shekullin e 21, edhe pse me një problematikë specifikisht tjetër;

Duke konstatuar se qeveritë e tranzicionit  kanë arritur diçka në promovimin e disa aspekteve të kësaj çështjeje në axhendën ndërkombëtare, duke shënuar përparime të vogla, por dhe dështime të mëdha;

Të bindur se me përjashtim të çështjes së Kosovës, që njeh trend pozitiv zgjidhjeje, kryesisht falë faktorit ndërkombëtar dhe angazhimit të faktorëve të brendshëm ushtarakë dhe politikë kosovarë, çështjet e tjera, pjesë të çështjes së madhe shqiptare mbeten ende të pazgjidhura;

Duke konstatuar me keqardhje se madje diplomacia shqiptare, shteti shqiptar në përgjithësi, në trajtimin e disave prej tyre, sidomos në trajtimin e çështjes çame, ka njohur tërheqje apo prapësim;

Idrizi e Dashamir Tahiri zyrtarizojnë iniciativën
Shpallet Partia për Drejtësi dhe Unitet

Ish deputeti i PS-së, Shpëtim Idrizi dhe ish deputeti i PDI-së, Tahir Muhedini, krijojnë Partinë për Drejtësi dhe Unitet. Gjatë një konference për shtyp, dy deputetët e parlamentit bënë të ditur se çështja kryesore për të cilën do të punojë kjo parti është çështja çame. “Një grup intelektualësh, me banim në Shqipëri, por jo vetëm brenda saj, propozojnë krijimin e një partie kombëtare moderne shqiptare! E organizuar në formën e një lëvizje, ajo do të jetë parti e hapur për bashkëpunim me të gjithë forcat e spektrit politik shqiptar dhe përfaqësuese e të gjithë atyre zërave të shoqërisë civile shqiptare, që vënë mbi të gjitha interesin kombëtar”, tha dje Idrizi. Sipas tij, “sot çështja çame përfaqëson problemin më të madh të pazgjidhur, dhe që shtrohet vazhdimisht për zgjidhje në luftë kundër kohës. Diplomacia shqiptare, shteti shqiptar në përgjithësi, në trajtimin e disave prej tyre, sidomos në trajtimin e çështjes çame, ka njohur tërheqje apo prapësim”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›