Lohan: Opozita në Parlament
Ambasadori i Komisionit Evropian, Helmut Lohan nuk ka ngurruar që të riapelojë ndaj opozitës shqiptare, që të jetë e pranishme në Parlament dhe të ndihmojë në procesin e reformave. Nga Durrësi, Lohan e bëri të qartë qëndrimin e BE-së që Partia Socialiste duhet t’i japë fund bojkotit të saj parlamentar. “Opozita shqiptare e ka vendin në Parlament dhe jo jashtë tij”. Partia Socialiste ka marrë një vendim në kongresin e saj të jashtëzakonshëm, që u mbajt pas zgjedhjeve të 28 qershorit, se “do të ketë marrëdhënie të kushtëzuara me Kuvendin e Shqipërisë”. Ajo ka paraqitur një paketë me 8 kërkesa, ku më kryesoret kanë të bëjnë me hetimin e zgjedhjeve parlamentare, PS i quan ato si “të dhunuara nga maxhoranca” dhe e konsideron rezultatin e votimeve si të deformuar.