E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bordet, Rama ndërton struktura paralele në bazë



“Dialog me Shqipërinë” përjetëson tezat e Ramës

Qëllimi: Thithja në PS e elektoratit as të majtë e as të djathtë

Përtej së majtës e së djathtës, një prej sloganeve të turit “Dialog me Shqipërinë” i drejtuar nga kreu i PS-së, Edi Rama, po merr përjetësim real. Së fundmi, kryesisht në qytetet kryesore të vendit, janë duke u ngritur nga selia rozë “Bordet e Dialogut me Shoqërinë”, që kanë për detyrë të përjetësojnë politikat “përtej së majtës e së djathtës”, të hedhur për herë të parë në tregun politik nga kryesocialisti Edi Rama. Bordet, që priten të ngrihen në shumë qytete të tjera të vendit janë ndërtuar me anëtarë pa parti politike ose përtej së majtës e së djathtës. Këta të fundit duket se kanë për detyrë afrimin afër PS-së të atyre njerëzve ose asaj pjese të elektoratit që nuk është as majtas dhe as djathtas. Një detyrë që rëndom u lihet degëve të partive kudo në bazë, jo vetëm për PS-në, por për çdo parti politike. Krijimi i këtyre strukturave paralele që kanë për detyrë thithjen e mendimeve dhe shqetësimeve të kësaj pjese të elektoratit duket se ka shqetësuar drejtuesit vendorë. Përveç shumë detyrave organizative, degët e PS-së në rrethe kanë për detyrë që të afrojnë sa më shumë njerëz rreth tyre për ta përkthyer këtë në votë në rast zgjedhjesh, megjithëse kryetari i PS-së është i vendosur që t’i japë jetë tezës përtej së majtës e së djathtës, për të cilën ai është kritikuar aq shumë nga profesorët e politikës. Në një njoftim për shtyp të selisë rozë sqarohet se “Bordet e Dialogut me Shoqërinë” janë të përbëra nga qytetarë pa parti. “Ky bord është i konceptuar si një urë lidhëse mes PS-së dhe komunitetit për të sjellë në forcën më të madhe të opozitës shqetësimet e qytetarëve dhe idetë e tyre, për të përçuar në mjedisin shoqëror frymën e politikës së re. Përtej të majtës e së djathtës është Shqipëria me problemet e saj që kërkojnë zgjidhje prej 17 vitesh”, - thuhet në këtë njoftim. Ndërsa në sqarimin që bëri kreu i PS-së dy ditë më parë në qytetin e Elbasanit, shpjegoi qartë synimin e tij. “Bordi i Dialogut me Shoqërinë” është një strukturë tërësisht e re, jo vetëm për Partinë Socialiste, por është tërësisht e re për politikën shqiptare. Është një strukturë, që u njeh të gjithë qytetarëve, pavarësisht nëse janë ose jo anëtarë partie, të drejtën dhe mundësinë për të kontribuar, duke u organizuar së bashku, në funksion të promovimit të ideve të tyre dhe njëkohësisht të mbështetjes së një projekti politik që i integron këto ide”, - u shpreh Rama. Zgjedhjet e vitit 2005 treguan se elektorati shqiptar është i ndarë mes së majtës e së djathtës. Nga analizat që u bënë pas tyre, u theksua se një prej arsyeve që çoi në fitoren e së djathtës, ishte vota që ajo mori prej asaj pjese tjetër të elektoratit që s’ka një përkatësi partiake të paravendosur kur voton. Pikërisht këtë synon edhe kreu i PS-së, që të afrojë drejt partisë së tij këtë pjesë të elektoratit shqiptar për ta përkthyer në votë pro Partisë Socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›