Mirel: Integrimi, Shqipëria përmirësim të sigurt
Drejtori për Ballkanin në Komisionin Evropian, Pier Mirel, vlerëson se që nga momenti i nënshkrimit të MSA-së Shqipëria ka bërë një përmirësim të ngadaltë, por të sigurt. Klima politike konsiderohet pozitive sikundër edhe zbatimi i marrëveshjes së ndërmjetme që përgatit tregun ekonomik. “Shqipëria po përparon në mënyrë të ngadaltë, por pa ngatërresa. Është ndërmarrë një numër i konsiderueshëm reformash dhe gjatë këtij muaji do të kryhen reforma të rëndësishme si ajo në gjyqësor dhe kodi elektoral”, - tha ai. “Nga ana tjetër kemi vërejtur një sjellë konstruktive nga ana e dy partive kryesore në vend”, - veçoi Mirel, duke e konsideruar si mjaft të rëndësishme këtë klimë dhe si mjaft përcaktuese për konsensusin për reformat e nevojshme dhe për të bërë të mundur një model të demokracisë, çka është e rëndësishme për BE-në, arritja e kriterit politik. Mirel vlerësoi se përveç Shqipërisë, në rajon edhe Mali i ZI ka bërë progrese të mëdha pas firmosjes së MSA-së, ndërkohë që Serbia konsiderohet e gatshme në praktikë për të kaluar në fazën tjetër, nëse përmbush kriteret politike, sidomos bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës.