E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Politika për interesa personale rrezikon themelet e shtetit



Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z.Ilir Meta, zhvilloi dje një takim mjaft entuziast me gratë dhe vajzat e qytetit të Korçës. Kryetari i LSI-së, z.Meta, është ndalur gjerësisht në problemet e përditshme që po kalojnë sot gjithë shqiptarët. Duke iu drejtuar grave dhe vajzave të qytetit të Korçës, ai ka akuzuar qeverinë shqiptare për mosndërhyrjen e saj për të frenuar këtë rritje galopante të çmimeve të produkteve më jetike për gjithë shqiptarët. “Berisha thotë se nuk ndërhyn në treg për të stabilizuar çmimet dhe për t'i ulur ato, por kur i duhet Sali Berishës që të rritë të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, ndërhyn te privati për të caktuar pagat e punëtorëve dhe të punonjësve, aty ku preken monopolet e korrupsionit qeveritar”, - u shpreh kreu i LSI-së. Më pas, Meta tha se “ka një pasiguri ekstreme që vjen nga një politikë, e cila për nevoja personale rrezikon jo vetëm themelet e shtetit, por rrezikon edhe ato fondamente bazë të demokracisë në vend. Kjo ndodh, sepse kemi një politikë e cila nuk synon të drejtojë përmes dialogut dhe transparencës, por synon të sundojë nëpërmjet krijimit të një kaste politike dhe ekonomike përjashtuese për shumicën e popullit shqiptar”. "Kjo është një kastë që mendon se populli shqiptar nuk ka nevojë të shprehet me referendum për formën e shtetit të vet", - theksoi Meta. Duke u kthyer në debatet politike në vend, Meta u ndal gjerësisht tek ndryshimet kushtetuese në natën e 21 prillit, që sipas Metës, këto ndryshime janë tepër të rrezikshme për mbarëvajtjen e demokracisë në vend dhe për pavarësinë e institucioneve kushtetuese. “Janë këto ndryshime kushtetuese, - u shpreh Meta, - që për fatin tonë të keq kanë marrë dhe aprovimin e një pjese të PS-së, që na kanë krijuar kaq shumë kriza institucionale, sikurse është bllokimi i funksionimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›