Kryeministri Berisha ngushëllon familjen e Njazi Reçit
Kryeministri Sali Berisha ishte dje për ngushëllim në familjen e të ndjerit Njazi Reçi, prefektit të Lezhës, i cili u nda nga jeta ditën e shtunë. Kryeministri Berisha u shprehu familjarëve ngushëllimet e tij më të sinqerta. Në ngushëllimin e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se qytetarët e Lezhës humbën një nga zyrtarët vendorë më të respektuar. “Erdha të shpreh ngushëllimet dhe të nderoj njërin nga zyrtarët më të respektuar të shtetit shqiptar dhe një nga bijtë më të shquar të Lezhës, prefektin Njazi Reçi, i cili u nda dje nga jeta, nga familja, nga miqtë dhe nga shoqëria. Gjatë jetës së tij, Njazi Reçi është shquar si prind dhe qytetar shembullor, si një qeveritar vendor i dashur dhe i respektuar nga i gjithë komuniteti, dhe si një zyrtar i talentuar. Ai u nda nga jeta duke lënë kujtimin më të mirë dhe emrin më të shkëlqyer për familjen e tij, për qytetin e Lezhës, për shoqërinë dhe për të gjithë miqtë e tij”, - tha Kryeministri.