PD-ja, PS-së: Të ridiskutojmë ligjin e hapjes së dosjeve
Mazhoranca bën thirrje për konsensus
Vuksani: PS-ja të mos ketë frikë nga verifikimi
Partia Demokratike i ka bërë edhe një herë thirrje Partisë Socialiste që të kthehet në Komisionin e Ligjeve për të miratuar një ligj konsensual për hapjen e dosjeve. Deputeti i PD-së Gjok Vuksani, në emër të mazhorancës, kërkoi nga Partia Socialiste që të reflektojë mbi ofertën e PD-së për të ridiskutuar edhe një herë këtë ligj në mënyrë që të miratohet një ligj konsensual. "Ne si forcë politike jemi shumë të interesuar që të bashkëpunojmë me opozitën në mënyrë të tillë që të nxjerrim një ligj sa më të mirë. Edhe kjo ftesë që po i bëj është një ftesë publike që po u bëj në emër të forcës politike që unë përfaqësoj, që ata të mos kenë frikë nga verifikimi, të mos kenë frikë nga riverifikimi, sepse ashtu siç janë, ashtu dhe do të dalin, vetëm në qoftë se komisionet e mëparshme kanë anashkaluar ndonjë person si pasojë e ndërhyrjes politike të mëparshme”, - tha Vuksani. Deklarata e Vuksanit nuk u komentua nga asnjë përfaqësues i opozitës duke lënë të nënkuptuar se PS-ja është duke reflektuar për këtë ofertë.
Reagimi
Reagimi i PD-së erdhi në një kohë kur prezenca e OSBE-së në Shqipëri përmes kreut të saj, Robert Bosh, ka kërkuar që politika shqiptare t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje dhe ligji i ri të miratohet me konsensus politik. Në një njoftim për mediat, OSBE-ja kërkoi që dhënia e zgjidhjes së duhur për këtë çështje ka rëndësi për vendin si një standard ndërkombëtar. “Çështja nuk do të zgjidhej përfundimisht pa arritjen e një konsensusi të gjerë dhe se rihapja e vazhdueshme e kësaj çështjeje do të ishte në dëm të zhvillimit të Shqipërisë”, - tha ambasadori i OSBE-së Robert Bosh. Pak ditë më parë PD-ja paraqiti në Komisionin e Ligjeve variantin e saj përfundimtar, një projektligj që parashikonte mënyrën, formën dhe përmasat që do të kishte hapja e dosjeve. Drafti i PD-së ka parashikuar edhe zyrtarët që do të verifikohen. Reagimi i PS-së ishte largimi nga mbledhja e Komisionit të Ligjeve duke bërë të ditur se kërkon më shumë kohë për këtë çështje. Në kushte të tilla, duket se miratimi i një ligji për këtë mision, do të realizohet në muajin shtator, pasi Kuvendi mbyll punimet në fundin e muajit korrik dhe koha nuk premton. Një gjë të tillë e konfirmoi dy ditë më parë edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Patozi, i cili nënkuptoi se koha nuk është e mjaftueshme.
Nisma e PD-së
Projektligji i PD-së ka përcaktuar se çdo anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar ose kandidat i Komitetit Qendror të PPSH-së, sekretar i parë ose i dytë i komitetit të partisë së rrethit, kryetar ose zv.kryetar i komitetit ekzekutiv të rrethit, me përjashtim të rasteve kur është larguar vetë nga detyra në mënyrë publike, duhet të largohet nga vendimmarrja. Njëkohësisht do të largohen nga vendimmarrja anëtarët e qeverisë, anëtaret e Këshillit Presidencial, kryetar dhe anëtar i Gjykatës së Lartë, prokuror i përgjithshëm dhe zëvendës të tij, para zgjedhjeve të 31 marsit 1991. Në nismën ligjore janë në listë për t’u përjashtuar nga shteti edhe ish-zëvendësministrat e Brendshëm, oficerë madhorë apo funksionarë drejtues të organeve të Sigurimit të Shtetit, kryetarë dege, drejtorë ministra të organeve të Punëve të Brendshme. Do të penalizohen punonjësit e Sigurimit të Shtetit, të periudhës 19 nëntor 1944 deri në 11 dhjetor të vitit 1990 apo të organeve të Punëve të Brendshme, të cilët kanë rekrutuar drejtpërdrejt ose kanë drejtuar bashkëpunëtorët e organeve të Sigurimit të Shtetit.
Biberaj: Hapja e dosjeve, nuk duhet ngushtuar rrezja
Deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, një nga hartuesit e projektligjit për pastërtinë e figurave, ka komentuar ditën e djeshme draftin e PD-së për hapjen e dosjeve. Sipas Biberajt, ky draft ka ngjashmërinë me atë që ai ka propozuar, por ai ka bërë të ditur si dhe ka bërë thirrje që nuk duhet ngushtuar rrezja e personave që duhen verifikuar. “Unë personalisht nuk jam për të ngushtuar rrezen. Mendoj që fryma e draftit të paraqitur ka qenë pjesë e konsensusit me PS-në, gjë që është pozitive në aspektin ideal, pra është gjë e bukur, por gjë e vështirë për t’u realizuar, kjo për shkak të pozicioneve të PD e PS kanë qenë të ndryshme dhe origjina e dy partive është e ndryshme, trashëgimia është e ndryshme, kështu që unë e shoh të vështirë arritjen e një konsensusi mes palëve”, - tha Biberaj. Deputeti i PD-së, njëkohësisht nënkryetari i Asamblesë së Këshillit të Evropës, ka folur gjerësisht në lidhje me draftin që ka propozuar PD-ja për hapjen e dosjeve. “E kam parë draftin që është diskutuar në Komisionin e Ligjeve. Do të thosha që është draft i mirë, por është disi më i zbutur se drafti që unë kam paraqitur në Kuvend. Gjithsesi, mendoj se janë dy tre pika të cilat mund të diskutohen, pasi nëse bëhet fjalë për hapjen e dosjeve, duhet të kemi parasysh që bëhet fjalë për hapjen e dosjeve si për ish–persekutorët ashtu edhe për gjithë bashkëpunëtorët e regjimit ose të Sigurimit të Shtetit”, - tha Biberaj. Ai tha më tej se hapja e dosjeve duhet të ketë një gamë tepër të gjerë, ku të mos përjashtohet askush nga ky proces. “Hapja e dosjeve duhet të përfshijë të gjithë gamën, qoftë të ish-persekutorëve, qoftë të ish-bashkëpunëtorëve në mënyrë që këta persona sot të mos kenë mundësi të jenë në politikë, të mos kenë mundësi vendimmarrjeje, të mos jenë në sistemin e drejtësisë, pra të mos jenë në nivelet e larta të vendimmarrjes”, - tha Biberaj në deklaratën e tij dhënë mediave.
Godo: Proporcionali rajonal, “Dushk” i ri
Kryetari i Nderit i Asamblesë së Partisë Republikane, Sabri Godo, deklaroi ditën e djeshme për mediat se sistemi i ri proporcional rajonal është një “Dushk’ i ri. Sipas tij votat që do të marrin partitë politikë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhen përllogaritur në bazën e një proporcionali kombëtar dhe jo rajonal. “E vetmja zgjidhje e pranueshme do të ishte që partitë të dalin me listë kombëtare dhe të përllogaritej proporcionali në shkallë kombëtare. Pra aty ku fiton drejtpërdrejt në rajonet që janë krijuar mirë se mirë, pastaj ç’mbetet të marrë nga vota që ka marrë nga gjithë shqiptarët në tërë territorin tonë. Vetëm kështu do të kemi sqarim të balancave politike që ekzistojnë në Shqipëri”, - tha Godo. Ai tha më tej se edhe Partia Demokratike përkrah idenë për të përllogaritur votat në shkallë kombëtare por për hir të konsensusit, duket se do të pranojë qëndrimin e socialistëve për të mbetur vetëm të proporcionali rajonal. “Më duket se PD-ja e mbron këtë ide, por ka frikë se ajo edhe mund të lëvizë nga pozicioni i saj nën presionin e socialistëve. Qëllimi është për t’i thënë botës: Ne bëmë reformë elektorale dhe e bëmë pëlqimin e të gjithëve. Kjo sipas meje nuk duhet bërë”, - tha Godo.
Meçani: Nuk ka takim të fshehtë Berisha-Bollano
Zëdhënësja e Kryeministrit Berisha ka përgënjeshtruar lajmin e një të përditshmeje shqiptare se Kryeministri Berisha është takuar në mënyrë të fshehtë me kryebashkiakun e Himarës, Vasil Bollano. “Një fletushkë e kontrolluar nga opozita, e specializuar në shpifje dhe trillime, boton me germa të kuqe kapitale mashtrimin e së dielës, sipas të cilit Kryeministri Berisha ka zhvilluar një takim sekret me kryetarin e Bashkisë së Himarës, z.Vasil Bollano. Kryeministri Berisha takohet me z.Bollano dhe me çdo të zgjedhur vendor, për të diskutuar me ta mbi mangësitë dhe problemet që shqetësojnë qytetarët. Të premten Kryeministri Berisha inauguroi gjashtë projekte shumë të rëndësishme infrastrukturore në fshatrat e Bregut. Në javët dhe muajt që do të vinë ai do të inaugurojë edhe dhjetëra projekte të tjera. Kryeministri Berisha nuk ka nevojë të takohet në mënyrë të fshehte apo sekrete, siç shprehet fletushka me mashtrimin e saj të së dielës, por ai takohet publikisht me zotin Bollano dhe me çdo të zgjedhur tjetër vendor”, - tha në deklaratën e saj zëdhënësja Meçani.
Topi dhe Topalli ngushëllojnë familjen e prefektit Reçi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, kanë ngushëlluar ditën e djeshme familjen e prefektit të Lezhës Njaçi Reçi për ndarjen nga jeta të njeriut të tyre të dashur. “Me dhimbje të thellë mësova lajmin për ndarjen nga jeta në mënyrë të parakohshme të njeriut tuaj të shtrenjtë. Në këtë ditë shumë të dhimbshme kujtojmë me respekt jo vetëm prefektin e Qarkut të Lezhës, por edhe mikun tonë të vyer Njazi Reçi, drejtuesin vendor me energji të pashtershme dhe me zemër të madhe, i cili ia kushtoi jetën popullit të tij duke u vënë në shërbim të qytetarëve lezhjanë dhe interesave të tyre. Më lejoni të ndaj me ju ngushëllimet më të sinqerta e t’ju gjendem shpirtërisht pranë në këtë moment hidhërimi për humbjen e pazëvendësueshme të prindit dhe njeriut tuaj të dashur!”, – thuhet në mesazhin ngushëllues të Presidentit Topi. “Humbja e Njaziut, njeriut që gëzonte respektin e qytetarëve lezhjanë, është një dhimbje shumë e madhe për familjen, bashkëshorten dhe fëmijët e tij, është një humbje e madhe për të gjithë ne”, - thuhet në mesazhin ngushëllues të Kryetares së Kuvendit, Topalli.