E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i FA-së, Berisha propozon gjeneralin e graduar nga Topi



Kryeministri çoi dje në Presidencë emrin e Maksim Malajt

Do të zëvendësojë Luan Hoxhën në krye të Shtabit të Përgjithshëm

Maksim Malaj zëvendëson Luan Hoxhën në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave tona të Armatosura. Kryeministri Sali Berisha propozoi dje Gjeneral Brigade Maksim Malajn për postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së. Tashmë propozimi i kalon Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili rreth një muaj më parë dekretoi shkarkimin nga detyra të Luan Hoxhës. Ndërkohë me dekretin që mban datën 10 qershor 2008, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka dhënë Kolonel Maksim Malaj, gradën madhore Gjeneral Brigade. Malaj ka një CV të pasur ndër vite si ushtarak. Ecuria në gradë nis në 1991 me kapiten dhe vijon pas 3 viteve me gradën major, ndërkohë që në 1997 bëhet nënkolonel, për t’u bërë kolonel në vitin 2002. Por eksperienca e Malaj në punë nis si Instruktor i Përgatitjes së Zjarrit në Shkollën e Instruksionit Zall Herr, më pas Instruktor Stërvitje në Rep. Usht. Nr. 2103, Tiranë, Instruktor në Degën e Stërvitjes në D8K, Tiranë. Në vitin 1988-1989 emërohet si Komandant i Batalionit në Rep. Usht. Nr. 1946, Tiranë, më pas Komandant i Batalionit Territorial, Vorë Tiranë, Instruktor në Degën e Operacioneve në D8K, Shef Operativ në Rep. Usht. Nr. 1105, Tiranë, Instruktor në Degën e Operacioneve DK, Tiranë, Inspektor në Drejtorinë e Inspektimit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes. Në maj-dhjetor 2001 është përfaqësues në Qendrën e Armë Kontrollit Kroaci dhe në 2005-2007, shefi i Shtabit të BRRSH, kurse në 2007 bëhet Komandat i BRRSH-së. Por korriku i 2008-s e ngjit edhe më lart kolonelin Malaj, duke u propozuar nga Kryeministri Sali Berisha si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Pak kohë më parë Presidenti Bamir Topi i dha Kolonel Maksim Malaj gradën madhore Gjeneral Brigade. Ndërkaq Luan Hoxha që mbante më parë postin e shefit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura u shkarkua nga detyra pas tragjedisë së Gërdecit në mars dhe nisjes së hetimit nga ana e Prokurorisë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë. Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, propozimi për emërim, i cili i kalon Presidentit të Republikës, merret në mbështetje të pikës 3, të nenit 169 të Kushtetutës dhe të neneve 7, pika 5, 16, pikat 2 e 3 dhe 30, pika 1, të ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000, “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

box

Ecuria në gradë

1991 Kapiten

1994 Major

1997 N/Kolonel

2002 Kolonel

2008 Gjeneral Brigade

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›