Bordi artistik në Ministrinë e Kulturës mban peng projektet kulturore
Jemi në muajin maj dhe deri tani bordi artistik pranë Ministrisë së Kulturës për të përzgjedhur projektet kulturore, të cilat do të financohen nuk ka dhënë asnjë përgjigje. Dalëngadalë po kalon gjyma e vitit dhe të gjithë ata që kanë dorëzuar projektet pranë MTKRS
kanë javë të tëra që rrinë pas dyerve të ministrisë pa marrë asnjë përgjigje zyrtare. Janë me dhjetëra projekte kulturore, që janë dorëzuar para shumë javësh pranë këtij institucioni, por deri tani nuk ka asnjë përgjigje. Ata që kanë dorëzuar projektet dhe kanë muaj që janë në pritje të një përgjigje zyrtare, e quajnë një situatë jo normale këtë që po ndodh sot, pasi e vetmja përgjigje që ata marrin nga ky institucion është se këto ditë do të mblidhet bordi dhe do të vendosë se çdo të bëhet. Kjo është ajo që ndodh sot në këtë institucion, i cili konsiderohet si mbështetësi kryesor i artit dhe kulturës, por këto janë përgjigje që artistët i quajnë fjalë pas gojëdhënave. Duke e quajtur këtë situatë absurde dhe duke theksuar se nuk duhet marrë si personale, regjisorja Julia Sinani e cila ka javë që është në pritje të një përgjigjeje për një projekt të saj që ka të bëjë me një vepër teatrore titulluar Një tramvaj me emrin dëshirë, tregon se kjo situatë ndikon në zhvillimin e jetës kulturore. Ashtu siç e shikojmë ka ndodhur një pezullim i shumë aktiviteteve kulturore, të cilat mbështeten nga Ministria e Kulturës, pasi ky institucion akoma nuk ka bërë një mbledhje bordi. Ne tani jemi në muajin maj dhe ndryshe nga vitit e tjera që përgjigjet se cilët do të ishin projektet që do të financoheshin dilnin që në muajin mars, këtë vit ne jemi në muajin maj dhe akoma nuk ka asnjë përgjigje zyrtare nga ky institucion. Ne nuk dimë se çdo të bëhet me projektet tona. Kjo do të thotë që qershori dhe korriku janë pothuajse muaji pushimi dhe mbetet vetëm tetori dhe dy muajt në vijim për tu zhvilluar ndonjë nga aktivitetet e vitit, ndërkohë që njerëzit janë të paorientuar. Unë do të doja që të paktën ne të kishim një orientim nga ky institucion, qoftë dhe negativ dhe të bënim planet tona për vitin që ne jemi, më duket pak absurde kjo situatë. Një vit më parë ka qenë një situatë pak më ndryshe, sepse nga java e parë muajit mars u dha dhe një përgjigje për të gjitha ato projektet që do të financoheshin nga ky institucion, tregon regjisorja Sinani, e cila deri më tani ka vënë disa vepra teatrore të cilat janë cilësuar të suksesshme. Ministria e Kulturës sot është baza e projekteve të artit dhe kulturës shqiptare, dhe për sa kohë ky institucion është baza duhet që të paktën deri më tani të ishin dhënë disa përgjigje mbi projektet. Si në realitetin shqiptar që jemi, ne vazhdojmë akoma të punojmë me gojëdhëna, pra rendim shumë pas fjalëve se sa pas fakteve. Kështu me aq sa kam dëgjuar fondi është përgjysmuar për projektet artistike dhe do tu jepet më shumë turizmit. Janë shumë gjëra të paqarta sot dhe atyre që janë në pritje të projekteve u mbetet vetëm të presin pas dyerve të MTKRS me shpresë se do të marrin një përgjigje zyrtare dhe rropatjeve të tyre tu vijë fundi. Unë do të doja që nga ky institucion të ishin pak më transparentë, p.sh nëse do të ketë më shumë financime për turizmin atëherë le të deklarohet kjo gjë sa u takon financimit të projekteve, ndërkohë që projektet mbahen peng pa ditur se kush do të financohet, tregon ndër të tjera regjisorja Julia Sinani. Një tjetër problem që është vënë re gjatë dorëzimit të projekteve ka qenë dhe mungesa e një afati të caktuar se kur do të jetë dita e fundit e dorëzimit të tyre. Nuk ka pasur një datë për dorëzimin e projekteve dhe asnjë nga ata nuk e ka ditur se kur do të mbyllet aplikimi, megjithëse pjesa më e madhe kanë nxituar ti dorëzojnë në javët e para të vitit. Ka një datë të caktuar kur mbyllet aplikimi, ndërsa në MTKRS nuk ka një datë të saktë se kur mbyllet afati i dorëzimit të projekteve. Ata që kanë pasur projekte për tu zhvilluar më parë, kanë gjetur dhe donacione të tjera, ndërkohë që janë akoma në pritje të ndonjë mbështetje nga ministria. Dua ta theksoj që kjo që unë them nuk është aspak personale. Kjo është një shqetësim i të gjithë atyre njerëzve të artit. Herë pas here me kolegët tanë ne diskutojmë mbi këtë situatë. Asnjë përgjigje zyrtare, vetëm radhë pritjesh ose ndonjë fjalë që ka dalë nga Ministria e Kulturës, tregon ndër të tjera regjisorja Julia Sinani. Nuk e është vetmja që është në pritje financimi projekti dhe megjithëse buxheti ka muaj që është deklaruar të gjithë janë në pritje të vendimit të bordit, i cili duhet të përzgjedhë sa më shpejt projektet. Nga ana tjetër pak kohë më parë nga MTKRS u bë e ditur se këtë vit pjesa më e madhe e fondeve do të shkojnë në funksion të turizmit.
Nga Julia Vrapi