E Shtunë, 31 Tetor 2026

Darka e gabuar, me kolonel Ndriçim Xhepën dhe hetues Artan Imamin në teatër

Romani i Kadaresë, premierë i dramatizuar nga Fatos Haxhiraj

Romani i Ismail Kadaresë Darka e gabuar do të vijë i dramatizuar në Teatrin Kombëtar nga regjisori Fatos Haxhiraj. Datat 13, 14, 15 dhe 16 maj sjellin në skenë një kastë të përzgjedhur aktorësh si Ndriçim Xhepa, Bujar Asqeriu, Artan Imami, Ahmet Pasha, Naun Shundi,Anastas Kristofori, Mehdi Malka, Guri Koço, Marjana Kondi, Erjona Kakeli, Pirro Malaveci, Andon Qezari, Merkur Bozgo, Sokol Angjeli, Bajram Dosti, Gjergji Mena, Dritan Boriçi, Marsiaz Lila dhe Anil Frashëri do të ngjiten në skenë për publikun. Skenografia vjen si realizim nga Taulant Pustina, kompozitor Ardit Gjebrea dhe kostumografia nga Durim Neziri. Regjisori Haxhiraj është shprehur kur u prezantua projekti në TK se këtë vepër e kishte përzgjedhur për idetë që ka dhe për faktin se kur e kishte lexuar për herë të parë, kishte parë shumë personazhe që mund të viheshin në skenë. Më pëlqen ndërthurja që romani ka mes komikes, tragjikes, ironisë. Kadare është me të vërtetë shekspirian, ka pohuar regjisori në prezantim të veprës. Pas Xhaxha Vanjes, aktori Xhepa rikthehet për publikun shqiptar me Darkën e gabuar, një roman mjaft të pëlqyer nga ai vetë, ndërsa vlerëson edhe regjisorin Fatos Haxhiraj. Vepra hyn në veprat me cilësore të Kadaresë. Dramatizimi i këtij romani përbën të veçantën dhe vlerën e parë të kësaj premiere. Pastaj shoqërohet me dramatizimin që është kryer nga vetë regjisori Fatos Haxhiraj, që rikthehet në teatër pas 20 vitesh, thotë aktori Xhepa. Aktori i mirënjohur Ndriçim Xhepa, interpreton për herë të dytë në veprën e Kadaresë, e për herë të dytë në rolin e gjermanit. Për këtë vepër aktori që sot cilësohet si ikone teatrit dhe kinemasë shqiptare ka pohuar se koiçidenca është e veçantë, pasi në dy role të Kadaresë ai interpreton gjermanin. Gjermanin tek Kthimi i ushtrisë së vdekur", dhe tani në një kolonel tjetër gjerman tek "Darka e gabuar". Pra, dy role të Kadaresë dhe dy gjermanë nga pena e shkrimtarit, pohon aktori Ndriçim Xhepa. Aktori i njohur Artan Imami interpreton hetuesin, një rol që e riktheu në skenë pas 10 vitesh. Kjo vepër si dhe ftesa e Fatos Haxhirajt kanë bërë që edhe një aktor si Artan Imami prej shumë vitesh larg skenës së teatrit ti afrohet asaj pikërisht si një prej protagonistëve të këtij projekti ambicioz. Vendosa të kthehesha, se është një fat i madh për mua të luaj një vepër të Ismail Kadaresë, aq më tepër që është një kënaqësi e pafund që do punoj me Fatos Haxhirajn, por kjo vepër nderon edhe Teatrin Kombëtar. Unë këtu interpretoj rolin e hetuesit, për mua është nj fat por dhe një përgjegjësi e madhe. Unë e vlerësoj regjisorin Haxhiraj dhe më vjen mirë që TK vendos vepra të tilla në skenë. Them se do të ketë emocione, pasi unë rikthehem pas 10 vitesh në skenën teatrore, ka pohuar aktori Imami. Pas konkursit për përzgjedhjen e pjesëve, me qëllim Festivalin Mbarëkombëtar të Dramës Shqipe, romani i Ismail Kadaresë, i kthyer në dramë nga Fatos Haxhiraj, është shpallur fitues. Deri në datë 20 shkurt u dorëzuan 16 drama nga autorët: Teodor Laço, Pirro Mani, Arqile Nasho, Arben Iliazi, Ferdinad Hysi, Z.S. Di Magio-Veprat, Fatos Haxhiraj, Stefan Çapaliku, Vangjush Popli, Ruzhdi Pulaha, Josif Papagjoni, Sheri Mita, Pëllumb Kulla, Vladimir Lule, Thanas Borodani, Gëzim Alpion. Pas leximit të veprave bordi artistik vlerësoi prurjen shumë të lartë dhe cilësore të veprave të dramaturgëve shqiptarë, duke falënderuar për kontributin e dhënë nga të gjithë autorët për zhvillimin e mëtejshëm të dramaturgjisë kombëtare. Bordi artistik i Teatri Kombëtar përbëhet nga: Adriatik Kallulli, Agim Zajmi, Petrit Malaj, Artan Minarrolli, Altin Basha, Genc Sharku dhe Kristaq Skrami. Ky bord ka zhvilluar dy mbledhje për të miratuar dramën fituese. Në unanimitet me të shtatë votat e anëtarëve të bordit u përzgjodh si fitues dramatizimi i romanit të I.Kadaresë Darka e gabuar, nga Fatos Haxhiraj si vepra më cilësore dhe më e arrirë. Kjo vepër u dallua për origjinalitetin, enigmën dhe gjuhën e përzgjedhur.

Nga Julia Vrapi

Last Updated on Tuesday, 11 May 2010 10:33

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›