Bordi drejtues i sh.a Vllaznia vendos shkarkimin e trajnerit

Vllaznia shkarkon trajnerin Rudi Vata. Pas një mbledhje urgjente, të zhvilluar menjëherë pas shpërthimit të drejtuesit të stolit, me akuza publike ndaj klubit, bordi drejtues i shoqërisë aksionere “Vllaznia”, ka vendosur të largojë teknikun.
Pozitat e Vatës në krye të stolit shkodran kanë qenë të lëkundura për shkak të ecurisë jo të mirë të skuadrës dhe mbi të gjitha pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, ndërsa prej disa javësh është përfolur se bashkëpunimi do të mbyllej në fund të sezonit, ndërsa kuqeblutë po shqyrtonin alternativat për një trajner të ri.
Kjo nuk është pritur mirë nga Vata, që në një deklaratë të shpërndarë nga mediat ka akuzuar klubin se ka punuar kundër stafit teknik, duke shkaktuar destabilitet brenda ekipit, ndërsa nuk kanë munguar as akuzat e ish-teknikut për korrupsion pasiv.
Vata mori drejtimin e skuadrës në fund të tetorit 2011, ku zëvendësoi në këtë detyrë teknikun Mirel Josa.