E Diel, 1 Nëntor 2026

Milani ne krize te plote per demtimet

Është e vërtetë që Adriano Galiani ka lënë pushimet e Pashkëve për të qenë pranë Milanit të tij në ditë të vështirë, por duket se as fati nuk është me kuqezinjtë. Trajneri Masimiliano Alegri do të shkojë në Veronë, për ndeshjen ndaj Kievos, pa disa lojtarë kryesorë dhe këto dëmtime sjellin krizë të plotë në mbrojtje, por edhe probleme në mesfushë.
Të disponueshëm nuk do të jenë mbrojtësit Abate, Antonini e Mesbah, të cilët nuk janë grumbulluar, ndërsa ekziston mundësia që djaloshi i ekipit të të rinjve, De Shilio, të jetë titullar.
Problematike edhe gjendja në mesfushë ku mungon jo vetëm Mark Van Bomel, por edhe lojtari më i mirë i repartit për këtë sezon, Kevin-Princ Boateng. i vetmi lajm i mirë për këtë sektor është se rikthehet në ekip Klarens Zedorf dhe po ashtu Flamini është grumbulluar për herë të parë këtë sezon.
Më e mirë, të paktën, gjendja e sulmit, ku mungesa e vetme është Pato.
Galiani, ndërkaq, fton kuqezinjtë që të jenë të qetë. Administratori i deleguar takoi skuadrën pas humbjes së rëndë me Fiorentinën në “San Siro” duke kërkuar që të mos e dramatizojnë gjendjen, pasi diçka e tillë mund t’i ndodhë edhe Juventusit.
Gjithsesi, pas parakalimit të bërë nga bardhezinjtë, nga Milani kërkohet vetëm fitore në ndeshjen ndaj Kievos, ndryshe shpresat për titull zbehen edhe më shumë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›