E Diel, 1 Nëntor 2026

Top 10 futbollistët trashalluq

Kush tha se duhet të keni trup muskuloz për t’u bërë futbollist? Goal.com sjell dhjetë shembuj të lojtarëve nga e kaluara, por edhe e tashmja, të cilët kundërshtojnë teorinë e fizikut të Cristiano Ronaldos. Në listë përfshihen disa emra të atyre që kanë shkruar historinë e futbollit, e të cilëve mbipesha duket sikur nuk u paraqiti problem.

Është vështirë t’i rezistohet mishit të qengjit, çokollatave dhe kulaçeve të bukjes së nxehtë. Edhe më e vështirë është të humbni peshën e shtuar gjatë periudhave festive. Por, shumë sportistë elitarë si futbollistët kanë probleme me peshën dhe kjo na bën të gjithëve të ndihemi më rehat, e sidomos për faktin se disa prej tyre dikur ishin edhe më të mirët në botë. Goal.com ka bërë një përzgjedhje të top 10 futbollistëve më të trashë.

10. John Barnes

Barnes pranoi se ishte adhurues i ushqimit të shpejtë edhe gjatë ditëve të tij më të mira në fushat e lojës. Ai tregoi se çokollata e tij e preferuar ishte Topics, kurse gjatë një interviste më 2004 kishte thënë: “Mundohem të qëndroj larg tyre. Nuk është mirë për figurën time”. Nuk dihet nëse Mars e pagoi me çokollata, kur ai pranoi të merrte pjesë në një reklamë televizive.

9. Adriano

Dikur ngjallte frikë me këmbën e tij të majtë, kurse tani e vetmja gjë për të cilën brengosen klubet – ato ku luajti – është pesha e tij. 30 vjeçari filloi të fitojë në peshë në fund të viteve të 2000-ta në Inter dhe pavarësisht përpjekjeve për ta luftuar mbipeshën, ai asnjëherë nuk ia doli. Pas rikthimit të dështuar në futbollin evropian te Roma, Adriano së fundmi u largua nga Corinthians për shkak të brengave të vazhdueshme rreth formës fizike dhe problemeve disiplinore. Duket se rikthimi i mundshëm te klubi i fëmijërisë Flamengo do të jetë rasti i fundit për ringjalljen e karrierës.

8. Diego Maradona

Përveç peshës, Maradona kishte edhe personalitet të rëndë. Edhe pse kilogramët e tij u shtuan drejt fazës përfundimtare të karrierës së tij për shkak të betejës me drogë dhe alkool, ai gjithmonë ka qenë i njohur për figurën e trashaluqit. Por, talenti i pamohueshëm e bëri atë njërin prej futbollistëve më të mirë në histori.

7. Jan Molby

Molby asnjëherë nuk ka qenë futbollist, i cili vraponte shumë në fushë dhe nuk është e vështirë të mësohet arsyeja. Ish mesfushori i Liverpoolit kishte ngritje dhe rënie në peshë, por pas ardhjes në Anfield Road, treguesi rrinte vetëm në një drejtim. Atij sigurisht se nuk i ndihmonte fjala “Candy” (ëmbëlsirë) që shkruante aso kohe në fanellën e Liverpoolit.

6. Ferenc Puskas

Para se Puskas të kalonte në Real Madrid më 1958, jo vetëm se ishte 31 vjeç, por kishte një bark të plotë që i dilte jashtë fanellës. Trajneri i atëhershëm i Realit, Luis Carniglia e pyeti presidentin Santiago Bernabeu se çka duhet të bënte me hungarezin e mbipeshë dhe kreu i klubit u përgjigj: “Kjo është punë për ty. Ti je këtu për t’u përkujdesur që ai të duket bukur”. Barku i Puskasit rritej gjithnjë, por me të edhe numri i golave.

5. Neville Southall

Portierët shpeshherë këshillohen të krijojnë figurë të madhe për të mbuluar sa më mirë portën. Por, duket se disa prej tyre e kanë keqkuptuar këtë. Southall ishte pa dyshim njëri prej tyre. Uellsiani konsiderohej një prej portierëve më të mirë të gjeneratës së tij, që njihej për reflekset e shpejta, pavarësisht peshës së rëndë. Është e jashtëzakonshme të mendohet se sa më shpejt do të lëvizte nëse do të kishte ndonjë kilogram më pak.

4. Ailton

I njohur me nofkën ‘Kugelblitz’ pas tankut gjerman nga Lufta e Dytë Botërore, Ailton për dallim nga Adriano, asnjëherë nuk lejoi që pesha e rëndë ta pengojë në shënimin e golave. Ai bëri emër në skuadrën gjermane Werder Bremen, ku realizoi 88 herë në 169 ndeshje në ligë, kurse luajti edhe për Schalke 04, ku u bë futbollisti i katërt i huaj që shënoi mbi 100 gola në Bundesligë. Çuditërisht, aventura e tij në Hamburg ishte më pak e suksesshme.

3. Jeroen Verhoeven

Gjatë historisë së futbollit kanë qenë shumë portierë të mbipeshë. E përmendëm Southallin. Atij i bashkohen edhe William Foulke, Jose Luis Chilavert, Kevin Pressman, Lilcho Arsov dhe Verhoeven. Portieri i Ajaxit ishte mjaft i ndjeshëm për çështjen e peshës. “Është e panevojshme të mundoheni të luftoni njerëzit paragjykues. Njerëzit sillen sikur unë çdo ditë pas stërvitjes shkoj drejt e në McDonald’s, por kurrë nuk shkoj atje”. Një gjë është e sigurt, sa më i madh që është portieri, aq më e vogël është porta.

2. Neil Ruddock

Maradona depërtonte si një flutur, Puskas thumbonte si bletë, por i madhi nuk është gjithmonë i bukur. Ruddock ishte mbrojtës, por futbolli i tij ishte gjithçka përveç të bukurës. Njëherë i ngacmuar nga Eric Cantona për barkun e tij të madh, ai gjatë një ndeshjeje ishte xhiruar nga kamerat duke u mbajtur për shtylle për të rikuperuar frymëmarrjen pas një vrapimi të gjatë. Spekulohej se u largua nga Swindon Town pasi nuk e zinin gardërobat sportive.

1. Ronaldo

Nuk mund të gjeni më të mëdhenj se Ronaldo. Asnjëherë i fshehur nga ushqimi i mirë dhe jeta e natës, braziliani filloi të ‘zmadhohej’ në Real Madrid. Por, ishte vetëm pas aventurës së tij në Milan, kur pësoi një lëndim të rëndë, që pesha e tij u bë temë diskutimi. Tifozët e tij në mbarë botën u tronditën kur në internet u publikuan fotografitë e tij gjatë pushimit në një jaht. Barku i tij ishte aq i madh, sa që ngjante në një grua shtatzënë. Ronaldo u pensionua më 2011.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›