E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulku hero te Azal Baku

Ervin Bulku është shndërruar në heroin e ditës te AZAL Baku në Superligën e Azerbajxhanit. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka shënuar një gol me shumë peshë në garën e skuadrës së kryeqytetit azer për të mbijetuar në kampionatin elitar, kur kanë mbetur edhe pesë javë nga fundi i sezonit. 

AZAL barazoi 1-1 në shtëpi përballë Sumqavit, në një sfidë mjaft të tensionuar, e ku u dhanë plot tre kartonë të verdhë. Por, edhe pse u aktivizua nga stoli, kur kishin mbetur dhjetë minutat e fundit të ndeshjes, me skuadrën e tij që në ato momente po luante me 9 futbollistë në fushën e lojës, kuqeziu rezultoi vendimtar.

Në minutën e 87-të, Bulku shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes kundërshtare dhe me një goditje të kalibruar mjeshtërisht e dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë ekipit të tij një pikë shumë të rëndësishme, me të cilën AZAL Baku thuajse ka siguruar mbijetesën.

Kjo ishte rrjeta e tretë për mesfushorin e Kombëtares shqiptare në këtë sezon, ku në total ai është aktivizuar në 18 ndeshje dhe vetëm në dy raste ka qenë zëvendësues, në skuadrën ku u transferua në fillim të sezonit nga kroatët e Hajdukut të Splitit. 

Ndërkohë, AZAL-i kryeson grupin e skuadrave që luftojnë për qëndrimin në elitë me 36 pikë dhe ka 14 pikë diferencë nga Turan Tovuz, që ndodhet në vendin e parafundit në ligën ky nga kategoria bien dy skuadra.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›