E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet Bursa e Punësimit

Nga Express më 20 maj 2011 në ora 14:15

Bursa e Punësimit "Kosova 2011" është hapur sot në Prishtinë. Sipas organizatorëve qëllimi i panairit është që sado pak të zbutet numri i të pa punëve në Kosovës, që po vazhdon të jetë i lartë. Ndërkohë u bënë thirrje bizneseve që të kuptojnë situatën e shoqërisë dhe të kontribuojnë në punësim.

Bursa e Punësimit po mbahet nën patronatin e Aleancës Kosovare të Bizneseve dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në të cilën po marrin pjesë shumë ndërmarrje nga agrobiznesi, ndërtimtaria, teknologjia informative dhe për herë të parë shkollat profesionale, të mbështetura nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë për regjionin e Prishtinës.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini duke e vlerësuar si të rëndësishëm organizimin e këtij panairi, beson se bizneset vendore dhe ato ndërkombëtare, do të ofrojnë më shumë mundësi për punësim.

“Kosova ka nevojë më shumë për investime për zhvillim dhe për punësim. Prandaj qeveria dehet të mendojë për krijimin dhe hartimin e politikave, të cilat do të nxisin këta sektor dhe do të nxisin zhvillimin ekonomik të shtetit. Edhe pse janë bërë shumë përpjekje, ende në Kosovë duhet të bëhet më shumë, por besoj se me kapacitetet e bizneseve private në Kosovë, që do të ofrojnë më shumë shërbime dhe më shumë vende të reja të punës për punë kërkuesit, të cilët i kemi shumë këtu”, tha ai.

Kreu i AKB-së shtoi se me këtë formë është duke u menduar që të zbutet sado pak kriza e papunësisë në vend dhe tha se të rinjtë kosovarë kanë shumë nevojë për punësim.

Ndërsa, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq konstatoi se e ardhmja nuk do të jetë e lehtë në këtë drejtim, por sipas tij, duhet që së bashku të punojmë më shumë, që të zbusim papunësinë. Ai thekson se vetëm me Bursën e Punësimit, nuk mund të zgjidhen problemet e papunësisë, por bashkërisht duhet të punohet në këtë drejtim.

“Kjo nuk do të jetë e lehtë, nuk është tash, as nuk do të jetë në të ardhmen, por nëse tri shtylla kryesore të shoqërisë kosovare krijojnë shumë shpejt, kjo të reflektojë me një sukses të madh. Tri shtyllat kryesorë të shoqërisë kosovare janë: pushteti, komiteti i bizneseve dhe punëkërkuesit apo populli dhe prej sot unë ju ftoj, nëse mund të them për një patriotizëm ekonomik. Punëdhënësit ju lutem duhet të kuptoni situatën e shoqërisë kosovare, duhet të kuptoni çdo person, çdo individ që është këtu sot”, ka thënë Rashiq.

Bursa e Punësimit është një mundësi e re e shkëmbimit të informacioneve në mes subjekteve të tregut të punëdhënësve - punëmarrësve, harmonizimin më të mirë të ofertës dhe kërkesës në tregun e punës, krijimin dhe avancimin e marrëdhënieve me partnerët.

Bursa e Punësimit në Prishtinë ka filluar nga 10.00 dhe do të jetë e hapur deri në ora 15.00, ndërsa më 31 maj ky panair do të organizohet në komunën e Gjakovës. Bursa e punësimit është hapur paraprakisht edhe në disa qendra tjera të vendit. (KP)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›