E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borg: Keqardhje për demonstratën e dhunshme

"Shpreh keqardhjen për protestat e dhunshme të zhvilluara në datën 21 janar nga opozita, që kanë dëmtuar imazhin e ri të Shqipërisë, që me kaq përkushtim u arrit të ndërtohej gjatë viteve të fundit", tha ai gjatë një takimi me Kryeministrin Sali Berisha.

Gjatë takimit, Borg, vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, në realizimin e reformave të rëndësishme, të cilat bënë të mundur anëtarësimin e vendit në NATO, liberalizimin e vizave dhe progresin e rëndësishëm në drejtimin të integrimit në Bashkimin Evropian. 

Në veçanti, ai vlerësoi performancën e shkëlqyer të reformave ekonomike të qeverisë shqiptare dhe atyre në luftën kundër korrupsionit, që bënë të mundur që ekonomia shqiptare të ndjekë një trend admirues rritjeje, në kontrast të plotë nga trendi europian dhe ai botëror.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha paraqiti një ekspoze të zhvillimeve të fundit, si pasojë e përpjekjeve të dhunshme të liderit të opozitës për rrëzimin e qeverisë. Ai shprehu njëkohësisht shqetësimin se veprimet e fundit të Prokurores së Përgjithshme, që dëshmojnë qartë anshmërinë e kësaj të fundit, po bllokojnë zbardhjen dhe dëmtojnë hetimin e grushtit të shtetit të mbetur në tentativë.

Në këtë kontekst, ai vlerësoi asistencën e menjëhershme të autoriteteve të Shteteve të Bashkuara në dhënien e ekspertizës gjatë hetimit, si një garanci për një hetim profesional dhe të paanshëm. Kryeministri siguroi gjithashtu për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për mbrojtjen e Kushtetutës, të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike në vend, përkarshi çdo tentative për shkeljen e tyre. /Start/

                                                                                             2011-01-28 15:38
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›