E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama apel ndërkombëtarëve: Mos mbështesni regjimin e dhunës

Pak orë pas përfundimit të demonstratës homazh në nder të viktimave të 21 janarit, kreu i opozitës doli në një konferencë për mediat, ku ishin të pranishëm edhe gazetarë të mediave ndërkombëtare.

Ndërsa e konsideroi demonstratën e sotme si një mesazh dhënë njëzëri nga populli shqiptar, kryesocialisti u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë të mos tolerojnë, siç tha ai, gjërat që nuk i tolerojnë në vendet e tyre. “Sot 200 mijë qytetarë ishin në një demonstratë homazh që ishte mesazh i një populli që u bashkua dhe foli me të njëjtin zë, në një vend ku zëri i individëve mbytet ditë pas dite nga dhuna e ushtruar”, tha Rama.

Sipas tij, protesta-homazh e ditës së sotme ishte një mesazh i qartë për ndërkombëtarët se nuk ishte opozita që shkaktoi dhunën e 21 janarit, por provokimi që iu bë demonstruesve. Rama theksoi se protestat e opozitës do të vazhdojnë, por nuk përjashtoi mundësinë për t’iu kthyer dialogut për gjetjen e një zgjidhjeje.
“Ky nuk është rasti për dy parti në kërkim të pushtetit, por ka një pushtet që ka vjedhur votat për të vjedhur Shqipërinë dhe një popull për të zgjedhur lirisht”, tha Rama.

“Së fundi ky pushtet ka vrarë për të vendosur në mes të Evropës një regjim fashist. Kjo është Shqipëria e tre burrave të papunë që u vranë më armë zjarri në emër të një alibie për grusht shteti. Në emër të kësaj Shqipërie i kërkoj botës demokratike të shikojë raportet e veta më këtë regjim të cilin ne nuk do të pranojmë kurrë, regjimin e partisë-shtet dhe shtetit-parti. Në emër të kësaj Shqipërie i kërkoj SHBA-ve dhe BE-së të mos tolerojnë më tej në këtë vend gjëra që nuk tolerojnë në shtetin e tyre”, vijoi ai.

I pyetur mbi zgjedhjet lokale të majit, kreu i PS-së deklaroi se në kushtet ku Shqipëria gjendet aktualisht nuk mund të kryhen zgjedhje të parakohshme. “Pozicioni ynë për zgjedhjet e majit është edhe më i vendosur se para vrasjeve të 21 janarit, para sulmit ndaj Prokurorisë së Përgjithshme dhe agresionit ndaj Presidentit të Republikës. Të gjitha këto janë arsye më shumë për të thënë se në këto kushte nuk mund të bëhen zgjedhje në Shqipëri”, tha Rama.

Ai thekoi se opozita nuk ka hezituar kurrë dialogun me maxhorancën, duke konfirmuar pjesëmarrjen e saj në parlament në ditet në vazhdim. “Përpjekja jonë nuk është një luftë për të asgjësuar palën tjetër, por për t’i dhënë një mundësi të re Shqipërisë, duke krijuar kushtet që të gjitha palët të jenë të barabarta përpara Kushtetutës dhe ligjit. Pushteti aktual e ka harruar se përballë ka shqiptarë dhe arrin t’i vrasë ata në mes të bulevardit. Asnjëherë nuk kemi hezituar për dialog. Do të jemi në parlament për të çuar përpara atë që kemi nisur”, vazhdoi më tej kryetari i opozitës.

                                                                                             2011-01-28 22:01
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›