E Diel, 1 Nëntor 2026

Borshard: “Zgjidhni krizën, rrezikohet integrimi”

Autori i Lajmit: Redaksia

Ambasadori gjerman, Bernd Borshard, i bën thirrje politikës shqiptare të zgjidhë krizën. “Nëse nuk zgjidhet kriza, rrezikohet integrimi i vendit”, - ka deklaruar ai gjatë një forumi për dialog ndërkombëtar në Universitetin e Vlorës, “Ismail Qemali”. “Nuk jemi të kënaqur me ecurinë e deritanishme të Parlamentit shqiptar”, - deklaroi ambasadori gjerman ne lidhje me bojkotin e opozitës. I pyetur për situatën politike në vend, diplomati gjerman nuk nguroi të shprehte mbështetje për zgjidhjen. “Ne inkurajojmë me ndihmën tonë zgjidhje të situatës, gjithçka tjetër që ndikon në ngadalësimin e procesit si të integrimit të Shqipërisë drejt Evropës ashtu dhe në liberalizimin e vizave me vendet e bllokut”,- u shpreh Borshard. Sipas tij, kjo gjë ndikon në vendimmarrjen e Evropës kundrejt futjes së Shqipërisë në familjen e madhe dhe sistemin “Shengen”. Sipas diplomatit gjerman, liberalizimi i vizave do të ndodhë shumë shpejt, por nuk ka ende një datë, sepse organizma të tjerë vendosin pasi të analizojnë situatën në vend, si menaxhimin e kufijve, kurbën e shtetit shqiptar në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar e të tjerë. Më tej Borshard u shpreh i sigurt se e ardhmja e Shqipërisë është në familjen evropiane dhe se Gjermania mbështet zgjerimin e bllokut. Por sipas diplomatit gjerman, është e rëndësishme të përfundojë pyetësori me 2400 pyetjet dhe më pas Evropa vlerëson shkallën e progresit.
Ky lajm është publikuar: 07/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›