“Biznesi pakt kundër konsumatorëve”
Fiksimi i çmimit mbi bazë të marrëveshjeve nga operatorët e tregut, përbën një nga shqetësimet e Autoritetit të Konkurrencës. Gjatë diskutimit të raportit vjetor të vitit të kaluar para komisionit të Ekonomisë, Lindita Lati kryetare e këtij institucioni u shpreh se është e vërtetë që në ekonomitë e vogla dhe kryesisht në ekonomitë me një strukturë të konsoliduar tregu, operatorët mundohen që në një farë mënyre ose me marrëveshje, ose me sjellje të bashkërenduar të sjellin forma të bashkërendimit apo të sjelljes së koordinuar. “Forma aktuale që gjendet në tregun tonë është ajo e bashkërendimit. Kemi kërkuar rastin e marrëveshjeve të shkruara, por nuk e kemi pasur këtë shans. Ne mundohemi që të gjejmë gjurmët dhe analizat e drejtpërdrejta” u shpreh Lati. Sinjalizime për bashkërendim të operatorëve sipas Autoritetit të Konkurrencës janë marrë për tregun e karburanteve, atë të miellit apo edhe të telefonisë celulare, ndërkohë që vetë ky institucion ka kryer hetime me iniciativën e tij. Nga ana e deputetëve të Komisionit të Ekonomisë u ngrit shqetësimi i vjeljes së gjobave, proces që nuk arrin të zbatohet deri në fund. Deri më tani, autoriteti ka vendosur plot 790 milionë lekë gjoba ndaj atyre që kanë kryer shkelje, por vjelja e tyre është pothuajse e pamundur. “Kur ka ardhur për t’u miratuar ligji “Për procedurat tatimore” Autoriteti i Konkurrencës ka dhënë një rekomandim për të vazhduar në mënyrë konsistente që policia tatimore të vazhdojë vjeljen e gjobave, por ky rekomandim nuk u mor në konsideratë” tha Lati. Sipas saj, meqenëse së fundi Autoritetit i është paraqitur ligji “Për kundravajtjet administrative është mundësuar harmonizimi ligjor për të zbatuar mënyrën e vjeljes së gjobave. Krahas Gjykatës Administrative, Autoriteti gjykon se vjelja e gjobave është shumë e rëndësishme dhe jetike për të pasur një efekt te palët, sepse vetëm kur paguajnë, e kuptojnë koston” nënvizoi kryetarja Lindita Lati.