Një javë në urgjencë,për një shtrat te kardiologjia
zirina llambro
Një javë në urgjencë në pritje të një shtrati. Në pavijonin e kardiologjisë të spitalit “Nënë Tereza”, nuk ka asnjë vend të lirë. Mjafton të përshkosh korridorin që lidh dy paradhomat e urgjencës, për të kuptuar se situata është mjaft e nderë. “Luksin” për të qëndruar shtrirë, teksa mjekët u bëjnë ekzaminimet e kanë vetëm pacientët që kanë disa ditë aty. Më të rinjve, u duhet që tensionin apo EKG-në ta masin ulur në karrige. Nuk ka mundësi të tjera edhe atëherë kur bluzat e bardha konfirmojnë që problemet me zemrën i kanë të rënda. “Kam 4 ditë që kam ardhur, kartelën ma kanë hapur e me letra jam shtruar. Duhet të isha lart në pavijon por s’ka vende. Mjekët më thonë të pres pasi nuk jam në gjendje të largohem. S’kam nga ja mbaj”, thotë njëri prej pacientëve. Më tej një grua rreth të pesëdhjetave përsërit të njëjat fjalë. Ndryshimi i vetëm është së ajo ka në urgjencë plot një javë. Ndryshe nga herë të tjera, kur të presin me këmbët e para, vetë mjekët ngrenë supet dhe pohojnë gjithçka. Edhe për ta fluksi i ditëve të fundit i pacientëve me ambientet e pamjaftueshme është i vështirë të përballohet. “Ka mesatarisht 60 pacientë në ditë. Një pjesë e tyre kanë nevojë të shtrohen, pasi gjendja shëndetësore edhe për shkak të të ftohtit është e rënduar. Pavijoni nuk e përballon dot se ka vetëm 15 shtretër”, thonë ata. Në korridor nuk mund t’u shmangesh as familjarëve, të cilët shfryjnë me zë të lartë mllefin që kanë. “Nuk është normale. Këta të sëmurë kanë nevojë për qetësi. Nuk mund të lihen në urgjencë, ku hyjnë e dalin njerëz pa fund. Nuk është faji jonë që nuk ka vende të lira, s’kemi ardhur për qejf këtu”, thotë njëra prej familjarëve. Në fakt në ditë të ftohta si këto të fundit ka pasur gjithnjë dyndje në urgjencën e kardiologjisë. Problemi për mungesën e kapaciteteve është ngritur dhjetëra herë. Ka pasur raste kur janë lëshuar urdhra nga drejtoria e spitalit, për të vënë në dispozicion të pacientëve, ambiente të pavijoneve të tjera. Sërish kjo nuk ka qenë zgjidhje. Nuk ka nevojë të dish shumë, për të kuptuar se kur mjeku konkludon se gjendja e të sëmurëve me zemër është e rëndë, gjëja e parë që duhet është regjimi i shtratit. Por në mungesë të një vendi në pavijon a në urgjencë, dhjetëra pacientëve u duhet të kthehen në shtëpi. Këto lëvizje lart e poshtë, disave mund t’u kushtojnë shumë. “Më thanë të qëndroja të paktën sot tek ai stoli atje, por e kam të pamundur, kartelën e kam të hapur dhe po kthehem sërish nesër”, thotë njëri prej të sëmurëve. E gjithë kjo panoramë që ke përpara syve, duke qëndruar vetëm 10 minuta në urgjencën e kardiologjisë është për të ardhur keq. Fluksi është i njëjtë ditën edhe natën. Me gjithë predispozitën për të dhënë ndihmën e parë, mjekët nuk kanë nga ja mbajnë. Nuk është në dorën e tyre sigurimi i një shtrati të lirë në pavijon. Zgjidhja duhet të vijë nga më lart..