Rritet papunësia, gratë pak shanse në tregun e punës
Numri i grave të papuna është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Shkaqet kryesore mbeten mundësitë e pabarabarta në tregun e punës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës, shkalla e vështirësisë te gratë për të gjetur një vend pune, në raport me meshkujt është tepër e lartë. Për këtë arsye, ky dikaster ka vënë si prioritet nxitjen e punësimit të grave. Dje me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, u organizuan një sërë aktivitetesh e tubimesh. Shoqata “Në dobi të gruas shqiptare” dhe organizata të tjera jofitimprurëse mbajtën tubimin “Gratë bëjnë histori çdo ditë”. Ky tubim u zhvillua paradite, në zonën e ish-bllokut. Fondacioni “Fëmijët shqiptarë”, drejtuar nga Liri Berisha, zgjodhi që urimin ta japë në shtëpinë e Motrave të Nënë Terezës, ku mbështeten njerëz me shëndet të dobët, të pastrehët si dhe të vetmuarit. Tetë Marsi i sivjetshëm, përkon me 102-vjetorin e ditës që u bë simbol i saj, marshimit të 15 mijë grave në Nju Jork, të cilat dolën në shesh për të protestuar mbi të drejtat e munguara të tyre. Në më shumë se një dekadë, 8 Marsi mbetet në këtë mënyrë simboli i ditës kur gratë ngrenë zërin për më shumë të drejta dhe barazi me meshkujt në shoqëri.