E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Shqipërisë së Pastër”, ndërgjegjësohet komuniteti, të gjithë në aksione pastrimi

20-04-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha: Ta shndërrojmë në traditë, mbetjet janë kërcënim serioz 


Në përgjigje të aksionit sloganin “Dita e Shqipërisë së pastër”, Kryeministri Berisha iu bashkua këtë 20 prill aktiviteteve të komunitetit të bashkisë Kamzë, në Tiranë. Kryeministri inspektoi rehabilitimin e një terreni dikur tepër problematik, i kthyer në vendgrumbullim të mbetjeve urbane. 20 prilli pritet të shndërrohet në një traditë, si ditë sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi të popullatës dhe strukturave shtetërore e lokale për rëndësinë që ka një mjedis i pastër në jetën e gjithësecilit. Kryeministri tha se situata është e rrezikshme, por një sërë masash po ndërmerren ndër të cilat ndërtimi 14 impianteve në mbarë vendin. Ndërsa e ka cilësuar çështjen e mjedisit si një problem madhor, kryeministri Berisha ka theksuar se çdo njeri do kontribuojë vullnetarisht në pastrimin e qytetit dhe fshatit ku jeton. “Mjedisi përbën një problem madhor dhe që kërkon një ndryshim rrënjësor të qëndrimit, të psikologjisë, sjelljes ndaj mjedisit. Kërkon një ndërgjegjësim të plotë në moshat e reja. Nuk ka gjë më të rëndësishme për shtetin se një ambient i pastër në kushte të standarteve më të mira. Të caktojmë datën 20 prill si Ditën e Shqipërisë së Pastër. Ku të dalin të rinjtë nga i gjithë vendi, të pastrojnë qytetin, fshatin ose ambientin ku ato jetojnë”- u shpreh Berisha. Kryeministri u ka kërkuar qeveritarëve vendorë të jenë të parët që do të respektojnë ligjin duke dërguar për ndjekje penale ndotësit e mjedisit. “Në datën 20 prill zonat më të ndotura do të jenë zonat më të pastra të vendit. Ministria e Mjedisit do t’u japë fotot dhe hartat dhe ju duhet të ndërtoni të gjithë planin e veprimit që këto të mos ekzistojnë më. Këtë ditë do mobilizohet e tërë shoqëria, e tërë administrata, shkollat, për t`i bërë një pastrim të merituar ambientit. Duhet ta marrim me seriozitetin më të madh dhe përparësinë më absolute”- tha kryeministri. 


Më pas Kryeministri iu bashkua komunitetit lokal të lagjes numër 1, në hyrje të qytetit, në pastrimin e territorit të saj, mbjelljen e pemëve dekorative dhe vendosjen e sistemit të ri të grupit të kazanëve me seleksion për mbeturinat. Në bashkëbisedim me nxënës e të rinj kryeministri tha se qytetarët shqiptarë duhet të dëshmojnë vetëdije të lartë se mjedisi është një çështje parësore e shëndetit, por edhe e imazhit të vendit. Aksion vazhdoi me mbjelljen në mënyrë simbolike, nga Kryeministri, të një palme në qendër në Kamzës. 


Në përfundim të këtyre aktiviteteve, Kryeministri Berisha falënderoi qytetarët e Kamzës, të cilët, edhe në kushte jo të favorshme atmosferike, iu përgjigjen thirrjes për pastrimin e territorit ku ata banojnë dhe u bashkuan në këtë aksion ndërgjegjësues për rëndësinë e një mjedisi të pastër.


Tiranë, nxënësit e shkollave largojnë mbetjet dhe i apelojnë qytetarëve për një mjedis më të pastër


Nxënësit e shkollave në Tiranë kanë qënë një shembull i mirë i sensibilizimit të popullatës për një mjedis të pastër. Në ditën kombëtare të mjedisit, nxënësit e një prej shkollave në kryeqytet kanë vendosur dorashka dhe kanë pastruar ambientin përreth, duke mbajtur edhe broshura ku apelojnë qytetarët dhe bashkëmoshatarët e tyre për një ambient me më pak ndotje, më me pak trafik dhe me më shumë gjelbërim. Ndërsa drejtoresha e shkollës “Edith Durham” Luljeta Minarolli thotë se kjo ditë ka nisur ndryshe për nxënësit. Përveç kujdesjes ndaj mjedisit, mësuesit punuan edhe me orë të veçanta edukimi. Pavarësisht motit me shi, nxënësit që në orët e para të mëngjesit kanë nisur aksionin “Shqipëria e Pastër”. Aksion ky që vazhdoi në të gjithë shkollat dhe institucionet dhe kishte për qëllim më shumë kujdesje për mjedisin ku jetojmë.


Elbasan, Ministri Imami aksion me forcat e Ushtrisë


I gjithë qarku Elbasan është përfshirë nga aksioni për pastrimin e mjedisit. Në këtë nismë janë angazhuar edhe forcat e ushtrisë. Kështu ministri i Mbrojtjes Arben Imami dhe drejtues të pushtetit vendor në Elbasan, prefekti e kryetari i qarkut, janë përqëndruar në pastrimin e përroit të Manazeres, një ndër më të ndoturit në qytetin e Elbasanit. Fadromat e ushtrisë kanë pastruar këtë përrua duke larguar mbeturinat e duke krijuar ambient të pastër. Në të gjithë Qarkun e Korçës ka filluar aksioni për pastrimin e territoreve të komunave dhe bashkive nga mbetjet urbane, aksion në të cilin janë përfshirë përveç strukturave lokale dhe qendrore edhe nxënësit e shkollave dhe qytetarët. Në bashkinë e Korçës aksioni është përqëndruar në pastrimin dhe grumbullimin e mbetjeve në disa zona periferike të qytetit kurs në Drenovë, Dardhë dhe Boboshticë është përcaktuar fusha e grumbullimit të mbetjeve për të gjitha fshatrat, e cila do të zgjidhë problemin e menaxhimit të mbetjeve të paktën për një periudhë 5 vjeçare, pasi edhe kapaciteti i fushës është rreth 4.500 metër kub.


Krujë, pastrohet nga mbetjet “Shkëmbi i Vajes”


Ka nisur puna për rehabilitimin e zonës së "Shkëmbit të Vajës" në Krujë, e njohur si zonë problematike nga mbetjet urbane. Për pastrimin e territorëve u angazhuan qindra nxënës shkollash, ndërsa në vendosjen e 15 tabelave paralajmëruese detyruese kontribuoi Këshilli i Qarkut Durrës, të cilat kanë në fokus të tyre ndërgjegjësimin e mbarë komunitetit për të mos depozituar në këtë zonë mbetje të ndryshme urbane. Kryetarja e Këshillit të Qarkut Durrës Eglantina Bekteshi theksoi se prej fillimit të muajit prill janë depozituar në këtë zonë sasi të konsiderueshme inertesh për të mbuluar mbetjet urbane pasi pozicioni gjeografik i “Shkëmbit të Vajës” si dhe terreni i thepisur nuk të lejonte mundësi të tjera ndërhyrjeje.


Ndërsa Drejtori i Agjensisë Rajonale të Mjedisit, Ramazan Kalia u shpreh se pjesa e “Shkëmbit të Vajës” ka qenë një problem i mbartur dhe se me zgjidhjen që i është dhene do të kthehet në një zone me pak të rrezikshme përsa i përket mbetjet urbane.


Aksioni i mjedisit erdhi pas publikimit të skandalit të plehrave, nga Tv Klan dhe Abc Neës ditë më parë, i cili fillimisht pasoi me ndjekjen penale të drejtorit të shërbimeve në bashkinë e Krujës Isa Shqezi dhe drejtorit të firmës "Rinia, të cilët akuzohen për ndotje të mjedisit, për shkak se kamionët e kësaj firme te tenderuar nga Bashkia e Krujës për largimin e mbetjeve nga qyteti u filmuan, duke u shkarkuar në zonën muzeale pranë Shkëmbit të Vajës në Krujë.


Forcat e Rendit në “aksion”


Punonjësit e Policisë së Shtetit, i janë bashkëngjitur sot nismës së ndërmarrë nga qeveria Shqiptare, duke u bërë pjesë aktive e ditës së “Shqipërisë së Pastër”. Në kuadër të kësaj nisme, punonjësit e policisë në të gjithë Shqipërinë, të cilët nuk ishin të angazhuar me shërbim, janë angazhuar në pastrimin e zonave të ndryshme në vend. Duke filluar nga ora 09.00 e ditës së sotme, punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë nisur punën në zona të ndryshme të kryeqytetit duke dhënë kontributin e tyre konkret në pastrimin e hapësirave të jashtme të Tiranës. Punonjësit e policisë i janë bashkëngjitur kësaj iniciative duke e konsideruar si mjaft të rëndësishme, në radhë të parë në shenjë sensibilizimi, e mbi të gjitha për rëndësinë jetike të ndryshimit të qëndrimit qytetar ndaj mjedisit. “Bashkëpunimi i çdo qytetari dhe çdo komuniteti, është i shumë i nevojshëm për të dhënë një mesazh ndërgjegjësimi dhe një mesazh që një Shqipëri e pastër është e rëndësishme për të gjithë”- thuhet në deklaratën e policisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›