E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhet e Ujësjellësit rrezikojnë furnizimin me ujë të Durrësit



Borxhi i lartë, OSSH-ja mund të lërë qytetin pa ujë

Deri në shtator 2008, borxhi, 2.5 milionë euro

Grupe punonjësish të administratës së Ndërmarrjes të Ujësjellësit në Durrës kanë marrë urdhër të dalin në terren e të mbledhin paratë që debitorët i kanë kësaj ndërmarrjeje për ujin që kanë konsumuar gjatë këtij viti. Shkak për një masë të tillë, e cila ka dubluar jo vetëm faturistët e ujit, por edhe Policinë e Ujësjellësit, është frika se në një të ardhme të afërt qyteti mund të mbesë pa u furnizuar me ujë. Kjo, pasi operatori privat i OSSH-së mund të ndërpresë furnizimin me energji elektrike të elektro-pompave të ujit për shkak se fatura e energjisë së palikuiduar është mjaft e lartë. Fjala është për miliona lekë, të cilat Ujësjellësit i mungojnë në arkën e tij, pasi nuk ka mundur të mbledhë prej vitesh paratë për ujin e konsumuar.

Administrata në aksion

Drejtuesit e Ujësjellësit në Durrës kanë ndërmarrë një aksion i cili synon që të rrisë nivelin e të ardhurave në arkën e ndërmarrjes në mënyrë që ajo të jetë në gjendje të likuidojë OSSH-në për energjinë e konsumuar gjatë këtij. Pjesa më e madhe e kësaj energjie është ende e palikuiduar. Shkak për këtë situatë të krijuar ka qenë paaftësia për të mbledhur paratë si nga ana e konsumatorëve familjarë, por edhe nga ana e subjekteve private. Për të realizuar këtë qëllim është urdhëruar një pjesë e administratës së ndërmarrjes të dalë në terren e të merret me grumbullimin e parave të paderdhura në arkën e ndërmarrjes. Në shtator, sasia e borxhit që Ujësjellësi kishte ndaj OSSH-së ishte 2,5 milionë euro. Me gjithë punën e bërë që nga ajo kohë për ta likuiduar këtë borxh është arritur që ai të përgjysmohet, por jo të likuidohet plotësisht. Për zbutjen e situatës financiare në raportin ndërmjet Ujësjellësit dhe OSSH-së, ka ndikuar qeveria e cila ka likuiduar një pjesë të mirë të borxhit, e cila llogaritet në 50 milionë lekë. Gjithashtu, është arritur që të grumbullohet edhe një sasi parash nga vetë ndërmarrja në shumën e 48 milionë lekëve.

Borxhi

Në Ujësjellës, burimet zyrtare thanë për “standard” se “borxhi është krijuar për shkak se ndërmarrja nuk arrin të mbledhë paratë për ujin që konsumohet nga banorët e rajonit si dhe nga subjektet e ndryshme”. Deri tashti likuidohet vetëm 30 për qind e faturave të ujit, ndërsa pjesa tjetër llogaritet e vjedhur. Zonat që kanë krijuar këtë deficit janë ish-Këneta, Plazhi dhe zonat rurale. Ky problem ishte menduar që të zgjidhej duke rritur në mënyrë graduale çmimin e ujit e duke e çuar drejt barazimit me vlerën reale të prodhimit. Nga ana e saj, ndërmarrja gjendet nën presionin e operatorit privat të OSSH-së, i cili nesër mund të ndërpresë furnizimin me energji të elektro-pompave të Fushë-Kuqes e ta lërë Durrësin pa ujë. Ujësjellësi po shfrytëzon periudhën transitore disamujore deri në dorëzimin e OSSH-së nga ana e shtetit në duart e privatit, në mënyrë që të zbusë sa të mundet deficitin e krijuar mes tij dhe operatorit elektrik. Punonjësit e ndërmarrjes kanë arritur që gjatë kësaj periudhe të grumbullojnë paratë e papaguara nga ana e ndërmarrjeve shtetërore si dhe të një pjese jo të vogël nga bizneset private.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›