Të “arrestohet” qeveria
Një lider identifikohet në përmasat e madhësisë së tij në marrjen e vendimeve. Dhe në këtë kahje Kryeministri Sali Berisha ka mundur të mundë kundërshtarët politikë që kanë mbetur pa alternativa, ka marrë vendimin më të rëndësishëm të qeverisjes së tij, për të ndërtuar rrugën Durrës-Kukës, e cila me një vullnet të pazakontë po merr muajt e fundit për t’u bërë gati në qershor, në atë qershor të 2009-ës, kur temperatura politike e së majtës nuk e duron dot suksesin dhe mbajtjen e premtimeve nga mazhoranca. Ndonëse më herët se zgjedhjet parlamentare janë dhe ato në Partinë Demokratike dhe Durrës-Kukës sikur po interferon në këtë proces. E ajo që vlen për t’u përmendur, është fakti që kjo rrugë ka nxjerrë në pah dhe delikatesën e institucioneve që janë përfshirë rreth saj. Për një ngjarje me rëndësi e peshë të madhe Prokuroria e Përgjithshme ka nisur të anohet në mënyrë të përsëritur duke cenuar profesionalizmin e saj, aspak të munguar. Ina Rama në daljen në shtyp deklaroi mosfillim veprimesh në respekt të një vendimi gjykate, i cili edhe në rast kur do të ishte apeluar, kërkon një dhjetëditësh marrje vendimi të shkallës më të lartë që të rikthejë hetimet, ndonëse rasti Basha ka të bëjë me Prokurorinë e Përgjithshme, që në disa çështje shumë të rëndësishme po bëhet “prokuroria e përveçme”. Në njoftimin e Kryeministrisë realisht thuhet se “Kryeministri dhe qeveria informojnë qytetarët shqiptarë se çdo akt ligjor apo vendim që lidhet me ndërtimin e korridorit rrugor Durrës-Kukës-Morinë, është vetëm vendim i Këshillit të Ministrave dhe jo i një ministri apo zyrtari të veçantë”. Duke qenë se këtu, me këto vendime janë marrë vendime politike që përfaqësojnë vullnete politike, prokuroria me nxitimin e saj e ka parë qartë që po heton dhe pretendon një çështje politike. E për sa më sipër, në vendimmarrje të kontrolluara imtësisht dhe korrektësisht nga juristët e pavlerë, dëmi nuk anon aspak nga qeveria. Prokuroria e Përgjithshme duhet të zgjedhë një rast të përveçëm dhe të dalë në një konferencë për shtyp normalisht dhe bazuar në ato që di, në materialet hetimore që i kanë përgatitur vartësit e saj, nëse ato i kanë bërë dhe të thotë se cila është përgjegjësia e ministrit, ministrave, qeverisë, Parlamentit dhe çdo lloj institucioni që sipas akuzës, rezulton i përfshirë. Nuk mund të merret me hamendje cili është versioni i kryeprokurores që kërkon marrjen të pandehur të një ministri për një vendim kolegjial ligjor. Nuk besoj se Ina Rama kërkon të arrestojë qeverinë. Vihet re dhe nga kampi i mazhorancës një mbrojtje e vakët, një përballje e pakët politike për këtë ngjarje të madhe që nuk besoj aspak se paska aq shkelje marramendëse sa pretendojnë socialistët e thotë prokuroria afërsisht njëlloj më ta. Në këtë investim, ku pjesë e rëndësishme është kompania amerikane, nuk ka gjasa që të ketë nisur e të jetë duke përfunduar rruga njëherësh me hetimin dhe të ketë shkelje në çdo kilometër. E, vërtet që të majtëve që morën taksa pa fund për tetë vjet u duket e shtrenjtë kjo rrugë, për ta do ishte më mirë që ato para t’i kishin nëpër xhepa e të mos kishte përurim në qershorin e vitit të ardhshëm. Fatmirësisht, janë të dënuar të udhëtojnë drejt Prishtinës në një rrugë të jashtëzakonshme, nëse nuk u mungon dëshira për ta bërë këtë. Anësia dhe dallimi në përdorje të prokurorisë u vu re që nga rasti “Fazlliç”, një çështje e sajuar dhe e fryrë për të bërë opozitë me zor, sa kohë të majtët nuk shihnin se kishte vdekur dikush që të merreshin pa turp me të.
Prokuroria e Përgjithshme me tërë vullnetin e saj profesional ka ofruar anshmëri dhe mungesë marrje vendimi për sa kohë Mihail Delijorgjin nuk e hetojnë Krimet e Rënda. Ina Rama do ta ketë konstatuar lehtësisht se po të ndodhte kjo, shumë prona miliardalekëshe e milionaeuroshe duheshin sekuestruar. Mbase duheshin ngrirë dhe dhjetëra pallate të këtij biznesmeni me lejet që ka marrë nga Edi Rama. Këtë mund ta bënte drejtuesja e akuzës pa pasur merak se kryetari i Partisë Socialiste që ka nën mbikëqyrje ekonomike Bashkinë e Tiranës do të mërzitej për pasurinë e pamarrë ndoshta. Kjo do të na kishte kushtuar vëmendje duke i besuar se vërtet e dallon dosjen që duhet të jetë te Krimet e Rënda dhe jo te ato të lehtat. Nëse ka një shkelje apo abuzim të ministrit Basha, qeverisë, kompanisë amerikane, Ina Rama ta deklarojë publikisht, sepse vërtet të përfshirët në përfolje nuk janë më pak, sepse para pak ditësh nuk ishte krejt e qartë në përcaktimin që tha publikisht. Nuk po del aspak më larg se paraardhësi i saj, Sollaku, që në tentativë për ta mbajtur mirë me politikën përdorej politikisht. Rama, prokurorja në këtë rast, mendon se janë shumicë ata politikanë, qofshin deputetë apo drejtues në institucione të tjera të rëndësishme, ndaj dhe vepron më mirë kundër qeverisë sesa ndaj atyre që detyrimet nuk i ka ligjore, sepse kështu është e sigurt që fundi i hetimit, pra pafajësia e të akuzuarve, do ta pajtojë dhe me ekzekutivin.
Është një precedent i mirë që prokuroria dhe gjykata të jenë matësit më të mirë të marrjes së një vendimi, të jenë peshorja më e besueshme që na tregon që zyrtari, funksionari, deputeti apo ministri kanë konsumuar apo jo një vepër penale që në respekt e në bazë të ligjeve në fuqi duhet të ndëshkohet. Edi Rama kryetari i Partisë Socialiste, tashmë një nga përfaqësuesit e opozitës së pabashkuar, ka rendur për të disatën herë nëpër fshatra, duke premtuar se do të jetë ai ndryshimi i jetës së tyre.
Duhen përmendur shpesh dhe për ditë cili është ndryshimi që kanë përjetuar qytetarë biznesmenë të Tiranës nga dora firmëtare e Ramës, kur halli e puna i çonte në derë të fabrikës së betonit me seli pranë Sahatit te xhamia e Ethem Beut. Nëse përcillet modeli me qera i Bashkisë së Tiranës, rasti përtej çdo planeti si i pëlqen zotërisë të thotë nëpër ecejake jashtë unazës, atëherë fermerët duhet të maten mirë në bashkëpunimin me Edi Ramën. Sepse të gjithë do të kenë në kujtesë, për investime duhet lënë o gjysma e vreshtit, o çereku i kopesë, o koshat me dardha ose 15 për qind e tokës që do të bësh investim. E për hajër nuk ngelet gjë në këtë punë së bashku përtej gardhit që ofron kryetari i majtë. Kjo nuk është më habi dhe banorët e fshatrave duhet ta dinë se çfarë i pret përtej së majtës dhe të djathtës. I pret dora e Ramës në të ardhurat e tyre, në paratë e tyre dhe largqoftë që ata të jenë dakord për këtë gjë.
Tani, rasti e solli që prokuroria të rrisë besimin e pavarësinë, atëherë deputetët, apo këshilltarët bashkiakë të mazhorancës është mirë që të ngrenë një ekip verifikues për lejet e ndërtimit në Tiranë. Është mirë që pas deklarimit të Kryeministrit Berisha që të verifikohen të gjitha lejet e ndërtimit se si janë dhënë kjo duhet të ndodhë. Të nisësh me Tiranën, ku ndërtimet janë më të shumta dhe abuzimet po ashtu, është domosdoshmëri. Mjaftojnë ca këshilltarë të djathtë në bashki që nuk kanë përzier interesa, që nuk kanë udhëtuar përtej së majtës dhe të djathtës, por kanë mbetur brenda së djathtës, të marrin dëshirën e të dërgojnë raste që ka sa të duash në prokurori, të kërkojnë prokurorë të hyjnë në këtë katrahurë financiare, që ka ndërmend të prodhojë shëndet ekonomik duke cenuar dhe zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009. Por, a ka brenda demokratëve sehirxhinj që nuk duan të lëvizin kollaj e u duket se të ngutesh si Prokuroria e Përgjithshme do të thotë cenim pavarësie? Ka disa dhe janë duke dështuar.
Unë gjykoj se Ina Rama është në hall, se për të mbajtur hatërin e majtë, duhet të arrestojë Këshillin e Ministrave për një veprim ligjor. Ndonëse ndërkohë, ka kohë që ka pasur raste të dalë një herë nëpër dosje bashkie se shkelje procedurash, abuzime, shumë për qind, qindra mijëra euro ryshfet, të deklaruara publikisht ia kanë dhënë mundësinë të hetojë kryesisht. Kësaj i thonë të marrësh pjesë në zgjedhje për llogari të dikujt që mund të jetë i majtë, por edhe jo. E, siç deklaruan dy deputetët e Partisë Demokratike, Fatos Hoxha dhe Ardian Kollozi, ajo që po bën prokurorja, është nën ndikimin e Presidentit, ndonëse mandati i saj pret e mbase e ka në axhendë hetimin për veprat e Edi Ramës. Ajo që tha deputeti serb në Rrëshen-Kalimash, pak është dëgjuar nga shqiptarët politikë në Tiranë, që “kjo vepër është madhështore”. Mjafton që këta kuvendarë të majtë, qofshin të gjatë apo të shkurtër, ta lënë Durrësin të shkojë në Morinë dhe Bashës t’i kthejnë imunitetin.