Sipërmarrësit italianë: Do të investojmë në Durrës
Në Këshillin e Qarkut të Durrësit u zhvillua një takim mes drejtuesve rajonalë të këtij qarku si dhe një grupi sipërmarrësish italianë të fushave të ndryshme. Qëllimi i këtij takimi ishte paraqitja e mundësive që ofron qarku i Durrësit për investime në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Në takim morën pjesë kreu i Këshillit të Qarkut të Durrësit Seid Kërtusha, prefekti Klodian Pajuni dhe kryebashkiaku i qytetit, Vangjush Dako. Kryetari i Këshillit të Qarkut të Durrësit bëri një paraqitje të shkurtër mbi burimet natyrore të qarkut si dhe ofroi disa prej mundësive për investime. Ai tha se “Durrësi paraqet interes për investime në fushën energjitike duke theksuar se KRRT-ja e qarkut para pak kohësh miratoi masterplanin e përgatitur nga Ministria e Energjitikës për ndërtimin e parqeve energjitike dhe industriale”. Janë rreth 1200 ha tokë në dispozicion të këtyre projekteve, realizimi i të cilave është parashikuar të realizohet në 30 vjet”, - u shpreh Kërtusha. “Po në këtë sektor, Durrësi paraqet mjaft interes për ndërtimin e burimeve që përfitohen nga energjia e rinovueshme në mënyrë që të garantohet njëkohësisht edhe mbrojtja e territorit nga mbetjet urbane. Tjetër mundësi që paraqet Durrësi për investitorët e huaj është sektori i turizmit. Në këtë fushë atyre u ofrohet një vijë bregdetare 68 km e gjatë në të cilën dallon Gjiri i Lalësit. Investimet e ndërmarra gjatë viteve të fundit për ndërtimin e infrastrukturës rrugore në këtë zonë e bëjnë atë mjaft tërheqëse për investitorët. Ajo është një zonë që mund të konsiderohet ende e pashfrytëzuar. Sektor tjetër ku mund të investohet, - theksoi në rezymenë e tij kreu i qarkut, - është edhe ai i peshkimit”.