Mbërrin në Durrës fregata ushtarake “Aidon”
Fregata ushtarake (minaheqëse) greke "Aidon" ndodhet për një vizitë dyditore në portin e Durrësit në kuadër të bashkëpunimit me Greqinë dhe me shtetet anëtare të NATO-s me Shqipërinë. Në këtë vizitë në Durrës drejtuesit e anijes janë pritur në një takim nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Delegacioni i anijes greke përbëhej nga komandanti i anijes, Janis Karakasis, atasheu ushtarak i Greqisë në Shqipëri K. Ksistras dhe dy pjesëtarët e ekuipazhit G. Tsantalos dhe E. Tarlas. Takimi është zhvilluar në një frymë miqësore dhe është ndalur në shumë tema, përfshi edhe krizën ekonomike që ka përfshirë botën, rajonin, por edhe linjat e bashkëpunimit të mirë ushtarak mes dy vendeve tona. Por miqtë grekë janë ndalur veçanërisht edhe në fushën e turizmit, marrëdhëniet midis dy vendeve tona etj. Kryebashkiaku Dako pasi ka bërë një panoramë të përgjithshme të resurseve turistike dhe ekonomike të Durrësit, është shprehur se synimi i kësaj bashkie është që qyteti ynë bregdetar të kthehet në një nga qytetet më të rëndësishme të Mesdheut për sa i përket turizmit: “Duke shfrytëzuar portin po punojmë për ta kthyer Durrësin në një qytet sa më të vizitueshëm nga ana e turistëve. Për këtë qëllim po përpiqemi ta vendosim atë në itinerarin e shumicës së kroçerave turistike, pasi qëllimi ynë është ta kthejmë Durrësin në një nga qytetet më të rëndësishme turistike të Mesdheut dhe kjo edhe për shkak të vlerave të jashtëzakonshme që mbart ai duke pasur kushtet të zhvillohen disa lloje turizmi si ai arkeologjik, kulturor etj.”. Në fund të takimit kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i dhuroi delegacionit grek simbolet e bashkisë si dhe punime artistike ku paraqiteshin disa simbole arkeologjike të Durrësit, ndërsa delegacioni grek i dhuroi kryebashkiakut simbolet e anijes së tyre. Anija “Aidon” është 370-tonëshe dhe është ndërtuar në vitin 1967 në kantierin amerikan “Peterson Builder”. Anija është 43 metër e gjatë dhe ka një ekuipazh prej 39 vetësh, nga të cilët 4 janë oficerë. Ajo vjen për një vizitë zyrtare në vendin tonë. Ndërkohë që numri i saj i identifikimit është M 248. Ajo është e pajisur me sonar aktiv-pasiv dhe frekuencë të lartë, ndërsa armatimi përbëhet nga një top automatik 20 mm "Oerlikon". Aidon M 248 është rinovuar në vitin 1995, duke u bërë me motor dhe radar të ri.