Borxhet e bashkive, qeveria heq dorë nga shlyerja
Në rast se, ndërmarrjet publike dhe sha-të, në pronësi të pushtetit vendor, nuk paguajnë në kohë detyrimet e tyre ndaj të tretëve, njësitë e qeverisjes vendore janë
përgjegjëse për pagimin e tyre. Vendimi është marrë nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm, që kanë firmosur ministri i Financave Ridvan Bode, ai i Ekonomisë, Nasip Naço dhe i Transporteve, Sokol Olldashi. Deri më tani qeveria, pavarësisht se me sforco, i ka shlyer borxhet e ndërmarrjeve publike ndaj palëve të treta dhe të pushtetit lokal. Po kjo nuk do të ndodhë më, sipas ujdisë më të fundit të tre ministrave. Kështu për rastet kur ndërmarrjet ose SHA-të subvencionohen nga pushteti qendror ose vendor, Ministri i Financave, nëpërmjet degëve të thesarit në rrethe, verifikon arsyet e mos pagesës së detyrimit ndaj të tretëve, vetëm për çështjet që lidhen me interesat jetikë dhe bazë të komunitetit (furnizimin me ujë të pijshëm, pastrimin e mbeturinave, kanalizimet etj.). Pas kryerjes së këtij verifikimi, Ministri i Financave, me anë të një shkrese i kërkon Njësisë së Qeverisjes Vendore, marrjen e masave për zgjidhjen e problematikes së krijuar me ndërmarrjen publike dhe/ose SHA-të, në pronësi të saj, duke e vënë në dijeni të sanksioneve ligjore, të cilave do t’i nënshtrohet në rast të mos zgjidhjes së problemit.
Sipas udhëzimit, bashkia ose komuna me marrjen e shkresës, është e detyruar që brenda një afati kohor prej 30 ditësh, të marrë masa për zgjidhjen e problemit, si dhe të raportojë pranë Ministrit të Financave, në lidhje me masat dhe afatin kohor të zgjidhjes së problemit. Në rastin kur Njësia e Qeverisjes Vendore, nuk respekton afatin kohor të raportimit të kërkuar në këtë udhëzim, si dhe në rastin kur pushteti lokal nuk e zgjidh problemin brenda afatit kohor të deklaruar, ministri i Financave, me anë të një shkrese të përbashkët të Drejtorisë se Përgjithshme të Buxhetit dhe të Thesarit, urdhëron degën e thesarit në juridiksionin e së cilës ndodhet Njësia e Qeverisjes Vendore, të bllokojë të gjitha veprimet financiare të saj. Përjashtohen rastet që kanë të bëjnë me pagesën e shpenzimeve të personelit, si dhe ato për ushqimin dhe ngrohjen në kopshte, çerdhe, qendra sociale dhe shkolla. Me kryerjen e bllokimit të fondeve, Përgjegjësi i Degës së Thesarit, me anë të një shkrese duhet të njoftojë menjëherë Ministrin e Financave. Njësia e Qeverisjes Vendore do të qëndrojë e bllokuar, deri në momentin e paraqitjes së Urdhër-Pagesës së likuidimit të detyrimit, apo të një kontrate të shlyerjes së detyrimit me këste, të firmosur nga Kryetari i njësisë dhe Autoriteti përgjegjës i institucionit ndaj të cilit ka lindur detyrimi. Në momentin e paraqitjes se Urdhër-Pagesës apo Kontratës, Përgjegjësi i Degës së Thesarit, njofton Ministrinë e Financave dhe kryen çbllokimin e fondeve. Në rast të dorëzimit të një kontrate, për shlyerje me këste të detyrimit, Dega e Thesarit kryen kontrollin/ndjekjen e likuidimit të këtyre kësteve. Zakonisht borxhet e akumuluara të pushtetit lokal janë shlyer në fund të vitit nga qeveria nëpërmjet vendimeve të posaçshme duke përdorur, tepricën buxhetore ose fondin e kontigjencës.