Rritja e prodhimit, çmimet e drithërave do të ulen
Gjatë kësaj vere nuk pritet të kemi rritje të çmimit të grurit dhe miellit, madje mund të regjistrohet një rënie e lehtë e tyre. Për shkak të fenomeneve natyrore, por edhe kërkesave në rritje për ushqim, çmimet e drithërave u dyfishuan brenda tri viteve. Sipas ekspertit agro-ushqimor, Genc Juka, për këtë vit, vendet prodhuese si, Rusia dhe Ukraina, po marrin masa për të rritur me 10% furnizimin e tregut ndërkombëtar. Ndërkohë, vendet e reja konsumatore si India dhe Kina, po blejnë toka në Afrikë. Sipas Jukës, lëvizja e çmimeve të këtyre produkteve është dhe pasojë e gjeopolitikës. Nëse vende si Europa dhe Amerika kanë politika të forta në mbrojtje të prodhuesve vendas, vendet në zhvillim janë më të pambrojtura. Drithin, orizin, sheqerin dhe vajin, Shqipëria i blen në bursat ndërkombëtare. Për pasojë, është e varur nga luhatjet e këtyre çmimeve në tregun ndërkombëtar. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin, FAO, parashikon që çmimet e ushqimeve të jenë të larta në këtë vit, por presioni inflacionist i tyre do të bjerë në periudhën 2011-2012, për shkak të përmirësimit të prodhimit të lëndëve të para ushqimore. Para pak ditësh, FAO reflektoi parashikimin e Departamentit Amerikan të Bujqësisë, për rritje të prodhimit të drithërave, por papritur deklaroi se indeksi botëror i çmimeve të ushqimeve u rrit me 1% për qershorin, për shkak të rritjes së çmimit të sheqerit. Në parashikimin për prodhimin e drithërave, FAO përmirësoi vlerën me 11 milionë ton më shumë, në totalin e prodhimit të drithërave 2.313 trilionë ton. Ekspertët thanë se niveli i ulët i çmimeve mund të na shoqërojë për disa javë, por mund të rritet përsëri për shkak të rezervave të vogla të shumë vendeve konsumatore.