Tre vëllezër plagosin me leva babë e bir
DURRES - Konflikti për një shumë parash degjeneron me leva, duke lënë të plagosur babë e bir. Ngjarja ndodhi dje në Durrës, ku 40- vjeçari Bujar Luzi, në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, Agron dhe Flamur Luzi, kanë goditur me mjete të forta Gëzim Nikocin dhe djalin e tij 17-vjeçar, duke iu shkaktuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit. Burime të policisë bënë të ditur pas arrestimit të 40-vjeçarit se ngjarja kishte ndodhur në karburantin e të lënduarit Gëzim Nikoci. Sipas dëshmisë së dhënë pas ndalimit në polici, Bujar Luzi pretendon se ka kryer disa punë me mjetet e tij, por vlera që duhet të merrte prej 6 milionë lekësh nuk i është paguar nga ana e Nikocit. Konflikti për këtë shumë parash ka degjeneruar dje me mjete të forta, duke rrezikuar madje edhe jetën e një fëmije 10 vjeç. Policia bëri të ditur se në largim e sipër me automjetin e tij, Luzi rrezikoi jetën e fëmijës, Anisa. L. Për pasojë e mitura theu këmbën dhe pësoi dëmtime të tjera, por pas ndihmës në spital kaloi rrezikun për jetën. Po në këtë ngjarje, autori për pak shtypi dy punonjës të policisë të autopatrullës, të cilët ndërhynë për të parandaluar ndonjë krim të mundshëm.