E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borxhet publike dhe ato private në vendet e BE

07-03-2012 / Nga Ilirian Dahri

Ka patur një moment në krizën europiane kur vende të ndryshme të prekura nga kriza kërkonin të ishin më të vlerësuara në tregjet financiare. Jo më larg se në muajin dhjetor të vitit që lamë pas, qeveria italiane e cila ishte në një krizë të thellë ëndërronte të bindte tregjet se ishte pikërisht si Spanja. Sepse pikërisht në atë moment, investitorët e shihnin Italinë si më të dobët. Ndoshta edhe prej reformave të ndërmarra nga qeveria italiane, sot situata është tërësisht e ndryshme. Kanë kaluar vetëm dy muaj dhe tashmë është Spanja që kërkon të jetë si Italia. Kaq shpejt është përmirësuar Italia? Mos ndoshta ka një ekzagjerim të tregjeve në këtë lloj vlerësimi? Është e vërtetë që Spanja ka një borxh publik shumë të ulët që arrin në 71% të GDP, me një përqindje më të ulët kundrejt Gjermanisë dhe pothuajse sa gjysma e borxhit publik Italian. Aty për aty kjo mund të konsiderohet si një pikë e fortë për Spanjën por nga ana tjetër vetë Spanja ka disa pika që mund të konsiderohen më të dobëta  dhe në të cilat vendi fqinj i Italisë është më i fortë.  Kjo shihet edhe në shumatoren e borxhit publik dhe të atij privat që arrin në 330% për Italinë ndërsa për Spanjën arrin në 390%. E thënë ndryshe kjo do të thotë që arkat e shtetit të Spanjës nuk kanë shumë borxhe por nga ana tjetër ekonomia është tërësisht e mbushur plot me to. Por ky borxh, siç na mëson edhe rasti i Irlandës, nëse shteti është i detyruar të ndërhyjë shumë shpejt mund të kthehet në një borxh publik. Nga ana atjetër ka edhe tregues të tjerë që dëshmojnë aktualisht një Itali më të fortë sesa Spanja ku spikat pasuria financiare dhe imobiliare e personave e cila arrin për Italinë në 210 mijë dollarë, kundër një mesatareje që arrin në 140 mijë në Spanjë. Një element tjetër i rëndësishëm është papunësia e cila në Itali arrin në 9,2%, ndërsa në Spanjë 23%. Kjo redukton manovrat ekonomike të Qeverisë dhe bën të mundur në të njëjtën kohë rritjen e shpenzimeve publike. Spanja më e fortë sepse ka pak borxh publik apo më mirë Italia sepse ka më shumë pasuri privatësh dhe një defiçit më të vogël!? Analistë të ndryshëm thonë se duke konsideruar të gjitha këto faktorë ndoshta Italia është më mirë. Në fakt kriza spanjolle filloi që në pranverën e vitit 2012, kur borxhi i vendeve të Europës e rendiste Spanjën në vend të katërt pas Greqisë, Irlandës dhe Portugalisë. Sidoqoftë Italia e këtyre tre muajve ka fituar shumë pikë duke rritur besimin e tregjeve ndërsa Spanja shqetëson në llogarinë publike të saj. Duket se gjithçka po shkon mirë për Italianë? Edhe  Silvio Berluskoni në një intevistë për gazetën  «Komsomolskaya Pravda», ka theksuar ndër të tjera, se nuk do të rikandidojë më për president të Këshillit të Ministrave duke theksuar mbështetjen e tij për  qeverinë Monti dhe se do vazhdojë të ketë respekt për reformat institucionale. “Nuk kam ndërmend të kandidoj për herë të gjashtë në qeveri por do të jem presidenti themelues i Polit të Lirisë dhe do të punoj për një sërë reformash për vendin tim. Besoj me të vërtetë në mundësinë e një ndryshimi të sistemit në mënyrë që Italia të jetë një Shtet modern, efiçent dhe në lartësinë e duhur për sfidat globale”. Por nëse Silvio Berluskoni ka zgjedhur fjalë që mbështesin qeverinë e Mario Montit, lideri i Lidhjes së Veriut, Umberto Bossi, ka gjetur fjalë të cilat janë konsideruar nga shtypi Italian si të patolerueshme. Ka qenë një frazë e Bosit që pothuajse paralajmëronte Mario Montin se po rrezikon jetën e tij dhe se është pikërisht Veriu i  Italisë  që do të kryente diçka të tillë. Bosi ka shtuar se ky ka qenë një keqkuptim por lideri i Lidhjes së Veriut nuk është mjaftuar me kaq. Bossi është edhe kundër  idesë  për një himn  Italian të detyrueshëm nëpër shkolla e cila bën pjesë në një risi të parashikuar për të patur edhe një ditë të Bashkimit Kombëtar, të Kushtetutës, të himnit dhe të flamurit që është propozuar nga komisioni i Kulturës. “Objektivi – shpjegon Paola Frasineti e Polit të Lirisë është që të mësohen nëpër shkolla fjalët dhe sensi i himnit i cili  ka shumë referime historike”. Një ndër mbështetësit kryesorë ka qenë edhe ish- Presidenti Axelio Çampi. Sidoqoftë në shtypin Italian komentet e liderit të Lidhjes së Veriut, Umberto Bosi siç shkruhej dhe më lart janë konsideruar si të tipit politik.  Ndonjë deputet Italian ka theksuar se: “Natyrisht, është impresionues fakti që ky zotëri, plot konfuzion, në vitet e fundit ka mbajtur mat të gjithë vendin si një lider i një koalicioni që në këtë pikë nuk egziston më. Urojmë që brenda Lidhjes së Veriut të egzistojë ndonjë person i shëndetshëm nga ana mendore që të jetë në gjëndje për t’u  distancuar nga këto fraza”. Për të vazhduar më tej se: - Bossi po përdor një zhargon të papranueshëm në një kontekst civil.  Nuk duhet të konsiderohet folklor përdorimi i  një zhargoni të dhunshëm dhe të patolerueshëm nga ana e liderit të Lidhjes. “Bossi flet si një terrorist. Dhuna verbale e liderit të Lidhjes ka arritur maja të rrezikshme dhe nuk mjafton ta justifikosh sepse nuk është diçka e mirë”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›