E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe një tjetër sekretar PPSH-je në qeveri

Share

Nga Fred Mazniku

Zoti Shpëtim Idrizi i bëri një dhuratë me vlerë Kryeministrit të Shqipërisë, z. Sali Berisha, teksa i solli kandidaturën e një ish-sekretari organizate të PPSH-së për ta emëruar zëvendësministër për PDIU-në. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se zëvendësministri i ri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Abaz Hado, është një personalitet në kulturën shqiptare, ashtu si dhe znj. Zana Turku.
Çami nga Shijaku (tani me banim në Tiranë), z. Abaz Hado ka përfunduar studimet në ish-Institutin e Lartë të Arteve për grafikë dhe kritik arti. Ka qenë pjesëmarrës në shumë ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare, madje vepra të tij në minigrafikë janë pjesë koleksionesh galerish të huaja. Ka përvojë menaxhimi si ish-drejtor socialist i Nanos në galerinë kombëtare të arteve, ku u dallua për ide të reja. Aktualisht për dy vjet ka drejtuar një emision, i vetmi i këtij lloji në mediat elektronike shqiptare, për ankande veprash të artit pamor. Dhe bash për këto anë pozitive z. Hado është plotësisht i përshtatshëm për postin që iu dha.
Por ka një koincidencë ironike në këtë emërim. Zotëria i sotëm Hado ka qenë shoku Abaz. Madje, një komunist i devotshëm i soc-realizmit shqiptar: sekretar i organizatës së PPSH-së në shkollën e mesme artistike Mujo Ulqinaku (sot: Jan Kukuzeli) dhe anëtar i plenumit të komitetit të PPSH-së së rrethit të Durrësit, një nga të paktët intelektualë të sferës krijuese. Bash një njeri për së mbari që i nevojitet një ish-komunisti, sekretar organizate bazë të PPSH-së, si ish-shoku, tani zoti Sali Berisha, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Teksa shoku-zotëri Berisha kërkon me të drejtë  mea-culpa-n e PS-së për trashëgimin e PPSH-së, ku ishte vetë anëtar, thërret në qeverinë e tij një sivëlla komunist, si shokun-zotëri Abaz Hado. Ky i fundit, me një stoicizëm për tu pasur zili, në vitet e PD-së së parë në pushtet, i ka bërë karshillëk PD-së në Shijakun e viteve 1992-1996 si përfaqësues i PS-së në këshillin bashkiak kur deputet i tij ishte i ndjeri Azem Hajdari! Por në atë kohë shoku-zotëri Abaz Hado flirtonte dhe me partinë e Teodor Laços. Gjithsesi, me shumë vonesë, në vitin 2003, Kryeministri i asaj kohe, shoku-zotëri Fatos Nano, e emëroi drejtor të Galerisë Kombëtare të Arteve. Por, shoku-zotëria Sali Berisha, me të riardhur në pushtet, e shkarkoi sivëllain e tij ideologjik. Tani e ngre në detyrë. Abaz Hado është përfaqësues i PDIU-së së Shpëtim Idrizit, që me votat e PS-së u bë deputet.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›