I sëmuri mendor i vë flakën shtëpisë, rrezikohen 8 vetë
Një i sëmurë mendor i ka vënë flakën shtëpisë së tij, duke rrezikuar jo vetëm veten, por edhe tetë personave të tjerë që ndodheshin në banesë në momentin e zjarrit. Një 48-vjeçar nga Gjirokastra u shoqërua në mjediset e komisariatit në orët e vona të ditës së djeshme, pasi nga hetimet e para rezulton se i ka vënë zjarrin apartamentit të tij, në kushtet e gjendjes depresive. Banorët e lagjes "Zinxhira" ishin shprehur të shqetësuar edhe më parë lidhur me sjelljet e E. Gjikos, i cili edhe herë të tjera kishte sjellë probleme për lagjen. Mbrëmjen e dy ditëve më parë, ai nuk ka ngurruar që t‘i vendosë zjarrin shtëpisë së tij. Sapo kanë parë shtëllungat e para, fqinjët e 48-vjeçarit kanë dhënë alarmin dhe kanë lajmëruar menjëherë zjarrfikëset, të cilat nuk vonuan për të mbërritur në vendin e ngjarjes. Fillimisht, banorët e lagjes janë përpjekur të mbajnë nën kontroll përhapjen e flakëve. Ndërsa zjarrfikësit kanë mundur që të shuajnë flakët pas gjysmë ore, por nuk kanë mundur të shpëtojnë asgjë nga shtëpia e 48-vjeçarit, pasi gjithçka ishte bërë shkrumb e hi.
Burime zyrtare të policisë lokale kanë pohuar se E. Gjiko, i divorcuar prej vitesh nga bashkëshortja, jetonte i vetëm në apartamentin e tij, në një pallat në lagjen "Zinxhira". Mendohet se në kushtet e depresionit ai i ka vënë zjarrin shtëpisë së tij dhe si pasojë, tashmë ajo ka dalë jashtë funksionit.
Të njëjtat burime thanë se ishin fqinjët e 48-vjeçarit ata që lajmëruan në kohë shërbimin zjarrfikës, pasi flakët rrezikuan seriozisht edhe apartamentet e tjera të pallatit.
Policia bëri të ditur se ndaj shtetasit E. Gjiko kanë filluar procedurat ligjore, pasi ai akuzohet për vënien e zjarrit në mënyrë të qëllimshme.
Nuk kanë qenë të pakta rastet kur kryesisht të sëmurët mendorë janë kthyer në një kërcënim jo vetëm për familjet e tyre, por edhe për komunitetin. Sipas mjekëve, edhe izolimi i tyre për të mos u bërë më pas një kërcënim për komunitetin sjell një agresivitet nga ana e tyre, prandaj, edhe trajtimi i të sëmurëve, në mënyrë të diferencuar mund të ndikonte në përmirësimin e gjendjes së tyre.