Kukës, në 11 muaj u zbuluan 8 grupe kriminale
Më pak se një javë nga emërimi i Muharrem Furrikut në postin e drejtorit të Policisë së Qarkut të Kukësit, kjo drejtori ka zhvilluar analizën vjetore, ku ka qenë i pranishëm nëndrejtori i përgjithshëm, Xh. Kopani, si dhe drejtues civilë të pushtetit rajonal. Veçoria dalluese e vitit 2007 për Policinë e Qarkut të Kukësit, siç doli nga raporti që mbajti drejtori Furriku, ka qenë vënia në pranga e rreth 100 personave në kërkim nga policia shqiptare dhe Interpoli, zbulimi dhe eliminimi i rreth 20 mijë rrënjëve kanabis sativa, si dhe eliminimi i rrjetit të 8 grupeve e kriminale. Këta të fundit, për trafik armësh, droge, mjetesh motorike dhe qenie njerëzore. Para Furrikut, Drejtorinë e Policisë së Kukësit e ka drejtuar Hysni Burgaj (i transferuar këto ditë në detyre paralele në Gjirokastër), ndërsa vetë Furriku ka shërbyer si shef Komisariati në Kukës prej afër dy vitesh dhe ndihet, si e pohuan kolegët, pjesë e arritjeve të shënuara gjatë 2007-ës. Nga raporti u dhanë edhe shifra veprash penale dhe personash të kapur, dosje të vjetra vrasjesh, si ato të ndodhura në Tropojë më se një dekadë më herët, forca zbuluese e policisë për veprat kriminale, që për vitin 2007 kishte qenë në masën rreth 81% (9.3% me shumë se një vit më parë) etj. Një vëmendje e posaçme iu kushtua marrëdhënieve ndërkufitare me homologët e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, bashkëpunim i cili kishte dhënë rezultat, pasi, siç u tha në analizë, në sajë të informacioneve të shkëmbyera me policinë e Kosovës u vunë në pranga 15 persona të kërkuar për vepra penale të kryera në Shqipëri. Policia e Qarkut të Gjirokastrës ka zbuluar 85.8 për qind të veprave penale që kanë ndodhur në 11 muajt e parë të këtij viti, duke e rritur me 3.6 për qind forcën zbuluese të krimit, në krahasim me një vit më parë. Gjatë kësaj analize u bë e ditur se në 11 muaj janë evidentuar gjithsej 375 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 322, ose 85.8 për qind e tyre. Në këto vepra janë implikuar 397 autorë, 60 prej të cilëve janë shpallur në kërkim, ndërsa të tjerët janë në ndjekje penale. Puna në këtë 11-mujor është përqendruar dhe në kapjen e personave të shpallur në kërkim, kur gjatë kësaj periudhe janë kapur 32 persona.