Borxhi i mbartur i QSUT-së vë në rrezik furnizimin me barna
Drejtori QSUT-së Ilir Dashi: “Qeveria të na ndihmojë për shlyerjen e borxhit”
Eljona Late
Borxhi që mbarti në 2010-n Qendra Spitalore “Nënë Tereza” ka vënë në rrezik furnizimin me barna të kësaj qendre. Drejtori i QSUT-së Ilir Dashi, shprehet se borxhi përbën një problem për spitalin dhe për këtë duhet të gjetur sa më parë një zgjidhje nga qeveria. Sipas tij shifra e shlyerjes së detyrimeve kap shifrën prej 642 962 441 lekë. “Pothuajse gjitha pagesat e 2009-s janë lënë pa paguar. Pra ne mbartim një borxh që kur marrëdhëniet me ISKSH-n filluan për herë të parë në bazë të ligjit të ri mirëpo nuk u bë shlyerja e borxheve të ISKSH nga shteti” tha Dashi. Gjithashtu drejtori ka folur edhe për qendrën e re të urgjencës që do të hapet ku do të përmbajë të gjitha parametrat bashkohorë.
Borxhi
Sipas Dashit të gjitha pagesat e 2009-ës janë lënë pa paguar. Ndërsa për 2008-n, QSUT-ja mbart një borxh që kap shifrën 78.956.397 lekë. Sipas drejtorit të kësaj qendre spitalore, në 1 janar 2009 borxhi kapte shifrën prej 325.523.615 lekë. Borxhi u thellua më shumë përgjatë vitit të kaluar duke kapur shifrën prej 564 006 044 lekë. Në Analizën Vjetore të QSUT-së totali i detyrimeve të këtij spitali ishte 642 962 441 lekë. “Pra ISKSH mbart një borxh të tillë që është problematik dhe ndodhet dhe një problem për t’u zgjidhur nga qeveria dhe mund të ndikojë në marrëdhëniet tona buxhetore” tha Dashi. Ketë vit, buxheti që është parashikuar nga ISKSH, për qendrën spitalore është shtuar me 9%, rritje kjo që sipas Ilir Dashit, do të shkojë për blerjen e medikamenteve.
Urgjenca
Spitali i ri në Qendrën Spitalore Universitare “Nene Tereza” në Tiranë do të jetë gati për t’u ofruar shërbime pacienteve në sezonin e verës. Sipas Dashit, për herë të parë në këtë spital do të ofrohet dhe shërbimi i urgjencës sipas të gjitha parametrave bashkëkohore. Për shkak se urgjenca ka qenë e mbipopulluar duke shënuar numrin më të madh të shtrimeve. Spitali i Ri që do të hapet në shërbimin e Urgjencës brenda periudhës mars-prill 2010, do të funksionojë mbi parimin e “ciklit të mbyllur”. Ky spital do të jetë një strukturë moderne në të gjitha llojet e pikëpamjeve, si për sa i përket mënyrës së konstruktimit dhe shërbimeve që do të ofrojë. Projekti për ndërtimin e Spitalit të Ri në QSUT është financuar nga Banka për Zhvillimin e Këshillit të Evropës në vlerën 14 milionë dollarë dhe nga qeveria shqiptare me 7.4 milionë dollarë (vetëm për ndërtimin e godinës). Për pajisjet mjekësore, investimi do të financohet nga qeveria shqiptare në masën 8 milionë euro. Në këtë ndërtesë me 5 kate. urgjenca 1 dhe 2 me 18 shtretër observimi (kati përdhes). “Për herë të parë në Shqipëri do të ketë një urgjencë unike, të përgjithshme, të trajtuar sipas standardeve botërore. Në 4-5 muaj ky spital do të jetë gati dhe në verë ta inaugurojmë” tha Dashi
12 Shkurt 2010