Tafaj u kërkon rektorëve të përmirësojnë procedurat dhe transparencën e provimeve
Një ditë pas arrestimit të pedagogëve në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, u ka kërkuar drejtuesve të universiteteve përmirësimin e menjëhershëm të procesit të zhvillimit të provimeve si dhe transparencë të plotë të tyre. Për këtë arsye, kreu i Arsimit ka mbledhur dje në një takim të posaçëm të gjithë rektorët e universiteteve publike të vendit. “Të gjitha universitetet të marrin masa për të zbatuar metoda që mbështeten në teknologjinë e informacionit”,- është shprehur Tafaj, duke cilësuar se dixhitalizimi krijon mundësi për më shumë transparencë dhe thjeshtëzim më të madh të procedurave të provimeve. Po ashtu, ministri Tafaj ka kërkuar nga rektorët që të marrin mendimet e studentëve për nivelin e zhvillimit të mësimit dhe korrektësinë e vlerësimit në provime, nëpërmjet një formulari anonim. Rektorët, nga ana e tyre shprehën gatishmërinë për të vazhduar punën me hapa konkretë në realizimin e këtyre standardeve.
Barnat e rimbursueshme, rritet kosto për sëmundjet kronike
Lista e re e barnave të rimbursueshme për vitin 2010 do të ketë një kosto më të lartë për sa i takon sëmundjeve kronike të cilët zënë rreth 98 për qind të vlerës së rimbursimit. Hipertensioni, tumori malinj i gjirit, diabeti dhe epilepsia do t’i kushtojë buxhetit të shtetit më shumë para se një vit më parë për rimbursimin e barnave që mjekojnë këto sëmundje kronike. Kjo lidhet me ndryshimin e skemës së mjekimit për këto diagnoza nga mjekët specialistë të spitalit. Për vitin 2009, janë regjistruar 11.419 raste të reja me një efekt rimbursimi 90 milionë lekë. Shtatë grupet më të mëdha të sëmundshmërisë kronike zënë 95% në totalin e sëmundjeve të rimbursimit. Nga pikëpamja e strukturës së sëmundshmërisë diagnozat më të rimbursuara janë: Sëmundjet e sistemit kardiovaskular, psikozat skizofrenike, astma bronkiale, epilepsi, insuficience kronike e veshkave, glaucoma etj. Katër diagnozat ë cilat kanë pësuar rritjen më të madhe të kostos mesatare të rimbursimit për diagnoza janë: Hipertension esencial me efekt financiar për shkak të rritjes së shpenzimeve mesatare të rimbursimit. Kjo është kushtëzuar nga ndryshimi i terapisë së mjekimit dhe kalimi i pacientëve nga një stad më i ulët në një stad më të lartë të hipertensionit esencial. Tumori malinj i gjirit te femrat ka një rritje të kostos mesatare të rimbursimit për diagnozë, efekti financiar i i të cilit është përllogaritur me 11829 mijë lekë më shumë për rast. Kjo është e dukshme në përdorimin e barit letrozole 2.5 mg që në vitin 2009 janë ekzekutuar 2 884 receta kundrejt 2 217 receta për vitin 2008
Diabetis melitus ka rritje të kostos mesatare për rast, efekti financiar është përllogaritur 11 099 lekë më shumë.Kjo është kushtëzuar nga ndryshimi i terapive të mjekimit, rritja e rasteve të trajtimit me insulinë mbi kufizimet e listës së barnave, me miratim të komisioneve endokrinologjike.Epilepsia ka një rritje të kostos mesatare për rast, efekti financiar i të cilit është përllogaritur me 2.311 lekë më shumë. Kjo rritje është kushtëzuar nga përdorimi i barnave të reja në listën e qershorit të vitit të kaluar.
12 Shkurt 2010