E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISSH, Moshat që janë në prag të daljes në pension deri në vitin 2012

Jonida Tashi

Specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë kanë përcaktuar moshat në prag të daljes në pension, për të të dyja gjinitë deri në vitin 2012. Duke u nisur nga data dhe vitit i lindjes, specialistët e pensioneve kanë bërë llogaritjet përkatëse se në çfarë moshe dhe viti e përfitojnë të drejtën e pensionit burrat, që kanë lindur brenda harkut kohor, nga data 1 korrik e vitit 1946 deri në 1 janar të vitit 1947. Po kështu, specialistët kanë përcaktuar se në çfarë moshe dhe viti dalin në pension gratë, që kanë lindur duke filluar nga data 1 korrik e vitit 1951 deri në datën 1 janar të vitit 1952.
Moshat
Sipas specialistëve, moshat që janë në prag të daljes në pension, por që ende u duhet të sigurojnë edhe disa vite pune për përfitimin e pensionit, duhet të kenë në vëmendje se pagesa e kontributeve, ligjërisht nuk mund të bëhet, mbas plotësimit të moshës për pension. Për ta patur sa më të qartë këtë problem, ata paraqesin moshat që janë në prag të lindjes së të drejtës për pension, duke qenë të siguruar. Specialistët shpjegojnë se ka pasur raste që disa fermerë janë kujtuar për t’u siguruar, mbasi kanë plotësuar moshën për pension, leje lindje, ose mbasi janë bërë të paaftë për shkak sëmundje. Por, në këto raste, i moshuari mbetet pa pension pleqërie, invalidi mbetet pa pension invaliditeti, dhe nëna e re mbetet pa shpërblim lindje dhe pa leje lindje. Kështu, nëse jeni në prag të daljes në pension, ose doni të dini se në çfarë viti dhe moshe do të jeni në statusin e pensionistit, por nuk jeni të mirëinforumuar se dhe sa kohë ju duhet për përfitimin e tij, nëpërmjet tabelave të mëposhtme, ju do të mësoni se dhe sa vite kalendarike dhe pune ju duhen për të plotësuar moshën për pension.

Meshkujt
Kështu, meshkujt që kanë lindur duke filluar nga data 1 korrik e vitit 1946 deri në datën 31 dhjetor të po këtij viti e plotësojnë moshën e daljes në pension nga data 1 korrik 2009 deri më 30 qershor të vitit 2010. Mosha që duhet të plotësojnë meshkujt e këtij harku kohor, për të përfituar pension është 64 vjeç. Ndërsa meshkujt që kanë lindur në gjysmën e dytë të vitit 1946, e përkatësisht nga data 1 korrik-31 dhjetor të këtij viti dalin në pension në moshën 64 vjeç e 6 muaj, duke filluar nga data 1 korrik e vitit 2010 deri në datën 30 qershor të 2011-s. Meshkujt që kanë lindur nga data 1 janar e vitit 1947 deri në 30 qershor të po këtij viti e plotësojnë moshën e përftimit të pensionit, duke filluar nga data 1 korrik e vitit 2011 deri në datën 30 qershor të vitit 2012. Mosha maksimale e përfitimit të pensionit për meshkujt e lindur në gjysmën e parë të vitit 1947 është 65 vjeç.
Femrat
Femrat që kanë lindur brenda harkut kohor nga data 1 janar deri në 30 qershor të vitit 1951 dalin në pension në moshën 59 vjeçe dhe këtë moshë ato e plotësojnë duke nisur nga data 1 korrik e vitit 2009 deri në 30 qershor 2010. Femrat që kanë lindur në gjysmë e dytë të vitit 1951, e përkatësisht brenda harkut kohor 1.7.1951–31.12.1951 u lind e drejta e përfitimit të pensionit të pleqërisë në moshën 59 vjeçe e 6 muaj. Kjo moshë për këto femra arrihet duke filluar nga 1 korriku i vitit 2010 deri në 30 qershor 2011. Femrat që kanë lindur nga data 1 janar deri në 30 qershor të vitit 1952 dalin në pension në moshën 60 vjeçe. Këtë moshë ato e plotësojnë nga data 1.7.2011-30.06.2012.
Rritja
Llogaritja e moshës si dhe e viteve të nevojshme të punës për të përfituar pension llogaritet në bazë të kategorive të punëve që ka bërë aplikuesi për pension. Ndërsa lloji i punës që punëtori ose nëpunësi ka kryer dhe vjetërsia në atë punë vërtetohet me anën e librezës së punës. Gradualisht, nga viti në vit rritet mosha e daljes në pension dhe shtohen vitet e punës deri sa nga data 1 korrik e vitit 2023 e në vazhdim minatorët e profesionet e tjera që kanë punuar në nëntokë do të dalin në pension të plotë në moshën 65 vjeç, kur të kenë punuar gjithsej 35 vjet të siguruar, pavarësisht se në cilin profesion kanë punuar.
Mosha e pensioneve, për çdo vit, në datën 1 korrik rritet me gjashtë muaj, për të krijuar një harmoni mes brezave dhe viteve të lindjes, në mënyrë që të arrihet mosha 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë. Duke filluar nga 1 korriku i këtij viti dhe deri më 30 qershor të vitit 2009, të gjithë ata persona, që duan të përfitojnë pensione pleqërie duhet të kenë mbushur moshën 63 vjeç e 6 muaj për meshkujt dhe 58 vjeçe e 6 muajt për femrat si dhe duhet të kenë 35 vite pune të siguruara.

BURRAT

DATËLINDJA
MOSHA E DALJES NË PENSION
VITI I PLOTËSIMIT TË MOSHËS PËR PENSION
1.1.1946 – 30.6.1946 64 1.7.2009-30.06.2010
1.7.1946 – 31.12.1946 64 e 6 muaj 1.7.2010-30.06.2011
1.1.1947 65 1.7.2011-30.06.2012

GRATË

DATËLINDJA
MOSHA E DALJES NË PENSION
VITI I PLOTËSIMIT TË MOSHËS PËR PENSION
1.1.1951 – 30.06.1951 59 1.7.2009-30.06.2010
1.7.1951 – 31.12.1951 59 e 6 muaj 1.7.2010-30.06.2011
1.1.1952 60 1.7.2011-30.06.2012

12 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›