Dhunohet nga i biri, 61-vjeçarja kërkon mbrojtje
DURRËS – Nëna 61-vjeçare dhunohet dhe ofendohet nga i biri, kërkon mbrojtje nga policia. Kjo është historia e 61-vjeçares me iniciale E. V. nga qyteti i Durrësit, e cila ditën e djeshme i është drejtuar Komisariatit të Policisë së këtij qyteti duke kërkuar mbrojtje. 61-vjeçarja, nënë e tre fëmijëve, pretendon se është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht duke u rrahur dhe keqtrajtuar, në mënyrë sistematike nga djali i saj 33-vjeçar me inicialet E. V., lindur e banues në Durrës. Materialet e mëtejshme i kaluan Prokurorisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Bllokohet në kontejner, humb jetën shoferi
POGRADEC - Një shofer, ndërsa po ngarkonte granil në automjetin e tij, ka gjetur vdekjen e menjëhershme pasi i është bllokuar kontejneri. Aksidenti i rëndë mësohet se ka ndodhur në qytetin e Pogradecit dhe, siç bëhet me dijeni nga burimet policore, viktima mësohet të jetë Arjan Hymetllari, 42 vjeç, nga fshati Buçimas. Bëhet me dijeni ndër të tjera se ai punonte si shofer në firmën ndërtuese “Al-An” në qytetin e Pogradecit. Grupi hetimor, i cili ka ravijëzuar tashmë skemën se si ka ndodhur aksidenti në fjalë, ka treguar se si Hymetllari është ngjitur në kontejner për ta zhbllokuar dhe ka rënë brenda duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Më tej, grupi hetimor ka rezultuar se “kemi pasur të bëjmë me një vdekje aksidentale”, ndërsa materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Pogradecit për hetime të mëtejshme.
12 Shkurt 2010