Shuma, formula e llogaritjes së këstit mujor të pensionit
Shuma fillestare e pensionit mujor të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) zbardh formulën e llogaritjes së masës të këstit mujor të pensionit. Në bazë të ligjit aktual të sigurimeve shoqërore, pensioni mujor i pleqërisë llogaritet në bazë të formulës së mëposhtme. Pp = Mpb + Sh, ku: Pp është pensioni i plotë mujor i pleqërisë; Mpb është masa e pensionit bazë, që u jepet të gjithë personave të siguruar, që duhet të sigurojë një standard minimum jetese. Ky komponent korrektohet çdo vit me indeksin e çmimeve të disa mallrave të përzgjedhura, siç parashikohet në rregulloren e ISSH-së dhe përcaktohet çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave. Aktualisht, masa pensionit bazë është 9515 lekë në muaj. Por, specialistët e pensioneve shpjegojnë se ka një historik të zhvillimit të pensionit bazë që fillon me pensionin minimal të vitit 1991 dhe që rritet çdo vit sipas një politike të përafrimit me minimumin jetik të llogaritur; Sh është shtesa mbi pensionin bazë. Ky komponent llogaritet, është individual, varet nga madhësia dhe zgjatja e periudhës kontributive dhe është 1 për qind për çdo vit sigurimi shumëzuar me “bazën mesatare të vlerësueshme” (paga mbi të cilën janë paguar kontributet).
Shuma fillestare
Për të llogaritur se sa do të jetë shuma fillestare e pensionit, nevojitet paga mesatare mujore e tre viteve në 10 vitet e fundit të punës, si dhe koeficientet e indeksimit. Kështu, shuma e pensionit llogaritet me 75 për qind të pagës neto mesatare të tre viteve rresht në 10 vitet e fundit të punës. Këto tre vite pune shumëzohen me koeficientet përkatëse të viteve që merren për llogaritje. Gjithashtu, specialistët e pensioneve shpjegojnë se koeficientet e indeksimit nuk kanë ndikim për rritjen e pensioneve siç pretendojnë pensionistët, por janë të vlefshme vetëm për personat që dalin për herë të parë në pension. Sipas tyre, indeksimi i pensionit është i vlefshëm për ata persona që dalin për herë të parë në pension, dhe jo për ata që përfitojnë pension dhe pretendojnë për rritje. Ekspertët e pensioneve theksojnë se rritja e pensioneve nuk varet nga këto koeficiente, por nga vendimet që merr qeveria për rritjen e tyre. Llogaritja e pensionit kryhet nëpërmjet masës së kontributeve, të cilat të gjithë pensionistët duhet t’i paguajnë çdo fund viti. Për llogaritjen e pensionit të gjithë pensionistëve u nevojitet që përqindja e rritur për vitet e sigurimit duhet të shumëzohet me bazën mesatare të vlerësueshme që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Ky është një nga nenet ku përcaktohet edhe detyrimi i Këshillit të Ministrave për të indeksuar çdo vit bazën e vlerësimit individual në lidhje me zhvillimin e kontributeve mesatare të paguara. Ky koeficient do të shërbejë njëkohësisht edhe për indeksimin e pagës neto mesatare. Në këtë formë mund të bëhet edhe llogaritja nga vetë pensionistët, të cilët do të marrin për bazë, për llogaritjen e pensionit, të njëjtët tregues të vitit pararendës. Llogaritja e koeficienteve do t’i ndihmojë pensionistët për ta llogaritur vetë një pension. Kjo llogaritje është bërë mbi bazën e të ardhurave nga kontributet, të cilat janë të evidentuara sipas bilanceve financiare të viteve 1994-2006 e në vazhdim. Por, një vend të rëndësishëm në skemën e llogaritjes do të zënë edhe të dhënat statistikore të numrit të personave që kanë kontribuar sipas viteve, por edhe masën e viteve në të cilat çdo individ ka dhënë kontribute. Në këtë formë, një pensionist, qoftë mashkull apo femër, do të përfitojë një pension më të lartë duke marrë për bazë masën e viteve në të cilat pensionisti ka derdhur kontributet më të larta.
Koeficientet
Këshilli i Ministrave miraton çdo vit koeficientin e indeksimit të bazës së vlerësueshme duke përdorur shkallën e rritjes së kontributeve mesatare individuale të vitit përkatës me atë të vitit paraardhës. Koeficientet e reja të indeksimit për llogaritjen fillestare të pensioneve, sipas viteve, janë: Për vitin 2007 1.00; Për vitin 2006 1.04; Për vitin 2005 1.02; Për vitin 2004 1.12; Për vitin 2003 1.10; Për vitin 2002 1.09; Për vitin 2001 1.14; Për vitin 2000 1.07; Për vitin 1999 1.09; Për vitin 1998 1.05; Për vitin 1997 1.22; Për vitin 1996 1.09; Për vitin 1995 1.37; Për vitin 1994 1.32. Aktualisht, baza mesatare e vlerësueshme llogaritet si mesatare e pagave që ka marrë i punësuari gjatë gjithë viteve të punës dhe mbi të cilat janë paguar kontribute. Duke qenë se përpara vitit 1994 nuk ka të dhëna për pagat individuale, për efekt të llogaritjes së bazës mesatare të vlerësuar, llogaritjet bëhen në bazë të pagave referuese të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, që i përgjigjen llojit të punës apo profesionit të dokumentuar në regjistrat themeltarë dhe në librezën e punës të punonjësit. Pensioni i pleqërisë ka kufijtë e vet minimal dhe maksimal. Pensioni minimal përcaktohet çdo vit nga Këshilli i Ministrave. Pensioni maksimal është dyfishi i pensionit minimal. Gjithashtu, pensioni i pleqërisë nuk mund të jetë më i lartë se 75 për qind e pagës mesatre neto të indeksuar të tre viteve rresht në dhjetë vitet e fundit të punës. (Pp = Paga neto x 75 për qind). Kjo presupozon dhe një shkallë zëvendësimi të pagës në momentin e pensionimit.
Kufijtë
Ligji për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë përcakton se shuma fillestare e pensionit mujor të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë e pensionit që u jepet të gjithë personave të siguruar caktohet çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërsa shtesa është 1 për qind për vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Këshilli i Ministrave indekson çdo vit bazën e vlerësimit individual në lidhje me zhvillimin e kontributeve mesatare të paguara. Në ligjin e Sigurimeve Shoqërore cilësohet që çdo vit, duke filluar nga data 1 janar, baza e vlerësuar, vjetore, individuale indeksohet me koeficientin që llogaritet si raport i kontributit mesatar për çdo person të siguruar, të mbledhur në vitin e fundit kalendarik, kundrejt të njëjtit tregues të vitit pararendës. Indeksimi i pensioneve bëhet sipas procedurave dhe koeficienteve të indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit përkatës. Ndërsa rillogaritja e masës së pensionit dhe indeksimet bëhen në bazë të pagave të dokumentuara e të paraqitura në dosjen individuale të pensionit dhe mbi të cilat është caktuar masa e pensionit fillestar. Për rillogaritjen e pensioneve rillogaritet baza e vlerësuar dhe u indeksohet paga neto. Paga neto e tri viteve rresht, në dhjetë vitet e fundit të punës, rillogaritet duke përdorur të njëjtat koeficiente indeksimi, si edhe për rillogaritjen e bazës së vlerësuar. Masa e re e pensionit, e rillogaritur sipas vendimit, rritet radhazi, sipas përqindjeve të rritjes së pensioneve të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave për rritjen e pensioneve. Masa e pensionit që rezulton pas rillogaritjeve dhe zbatimit të rritjeve, është masa përfundimtare e pensionit individual.
Formula e llogaritjes së këstit mujor të pensionit
Pp = Mpb + Sh
Pp - Pensioni i plotë mujor i pleqërisë
Mpb - Masa e pensionit bazë që u jepet të gjithë personave të siguruar, që duhet të sigurojë një standard minimum jetese
Sh - Shtesa mbi pensionin bazë
12 Shkurt 2010