Hetimi i aksidenteve, Projektligji që detyron biznesin të punësojë një mjek për punonjësit
Jonida Tashi
Për herë të parë në vendin tonë, ndërmarrjet publike ose private do të jenë të detyruara me ligj të sigurojnë mjekun në ambientet e punës, si një kusht për sigurinë dhe shëndetin në punë. Projektligji “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, i hartuar për herë të parë në Shqipëri, u diskutua dje në Komisionin Parlamentar për Çështjet sociale. Sipas këtij projektligji, çdo punëdhënës i një subjekti publik e privat, vendas apo i huaj, fizik apo juridik është i detyruar të sigurojë shërbimin mjekësor në punë, nëpërmjet mjekut të punës. Aktivitetin e mjekut të ndërmarrjes mund ta ushtroj çdo mjek që zotëron diplomën e Fakultetit të Mjekësisë.
Projektligji
I pranishëm në Komisionin Parlamentar për Çështjet sociale, në fjalën e tij, ministri i Punës, Spiro Ksera, theksoi se ky projektligj u siguron mbrojtje disa grupeve të ndjeshme ndaj aksidenteve në punë, si gratë, fëmijët e personat me aftësi të kufizuar. “Për hetimin e aksidenteve në punë është risi klasifikimi në katër shkallë të aksidenteve, duke u bazuar në pasojat që shkakton aksidenti dhe numrin e personave të dëmtuar. Ky projektligj garanton mbrojtjen e veçantë ndaj rreziqeve në punë të grupeve më ndjeshme siç janë gratë shtatzëna, grave me fëmijë në gji, të miturit si dhe personat me aftësi të kufizuar”,- u shpreh ministri i Punës, Spiro Ksera. Po ashtu, brenda në projektligj thuhet se punëdhënësi duhet të marrë masa të veçanta për të përshtatur vendin e punës me këtë kategori punonjësish me qëllim parandalimin e rreziqeve që rrjedhin nga puna. Ndërsa institucioni që do të ketë për detyrë të kontrollojë zbatimin e këtij projektligji, do të jetë Ministria e Shëndetësisë. Përfaqësues të sindikatave të profesioneve të vështira si metalurgët, kanë mirëpritur projektligjin, por kanë kërkuar të merren parasysh kërkesat e tyre në rast se janë të pakënaqur me shërbimin e mjekut. Projektligji pritet të kalojë nen për nen për miratim në komision gjatë seancës së ardhshme që mbahet ditën e hënë. Miratimi i këtij projektligji është i nevojshëm, pasi i jep fund mungesës së një vizioni në politikën e parandalimit të rreziqeve në punë, si pasojë e një mosgrupimi të normativave në fuqi, shumë prej të cilave të shpallura përpara Kodit të Punës. Nëpërmjet këtij projektligjit do të të rregullohen me ligj problemet që kanë dalë në kushtet e reja të zhvillimit ekonomik e social të vendit. Këto nevoja marrin rëndësi kur lidhen me mbrojtjen dhe sigurimin e shëndetit në punë, të punonjësve, evoluimi i kushteve të të cilave kërkon një aktualizim të vazhdueshëm të normativave dhe përshtatjen e tyre me transformimet e thella që kanë ndodhur.
Mjeku i ndërmarrjes
Për të mbrojtur shëndetin e punonjësve në punë, qeveria vendosi që në çdo ndërmarrje të funksionojë shërbimi shëndetësor. Sipas vendimit të marrë nga qeveria, punëdhënësi siguron funksionimin e shërbimit shëndetësor, nëpërmjet mjekut të ndërmarrjes, në të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari prodhuese private ose shtetërore, vendase ose të huaja, juridike ose fizike. Ndërsa Inspektorati Shtetëror i Punës është struktura përgjegjëse për zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë dhe funksionimin e shërbimit mjekësor në subjekte në bashkëpunim me Inspektoratin Sanitar Shtetëror. Për sa më sipër, çdo subjekt publik ose privat, vendas apo i huaj, fizik apo juridik është i detyruar të mbulojë me shërbimin shëndetësor të ndërmarrjes, nëpërmjet mjekut të
ndërmarrjes, i cili merret në punë në bazë të numrit të punëmarrësve me kohë të plotë ose të pjesshme, në format e mëposhtme: Shërbimi mjekësor në një subjekt me mjek ndërmarrjeje është i vlefshëm dhe për filialet në varësi; Shërbimi mjekësor mjek ndërmarrjeje ndërsubjektor, disa subjekte kanë të punësuar të njëjtin mjek. Pas marrjes së vendimit për mjekun e ndërmarrjes, Ministria e Punës dhe Ministria e Shëndetësisë kanë nxjerrë një udhëzim të përbashkët për zbatimin e tij, që është ai “Për masa të veçanta të mbrojtjes dhe sigurisë së shëndetit në punë”. Në këtë udhëzim sqarohet në mënyrë të detajuar funksionimi i mjekut të ndërmarrjes. Strukturat përgjegjëse për zbatueshmërinë e akteve ligjore në lidhje me funksionimin e shërbimit mjekësor të punës janë Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Inspektorati Sanitar Shtetëror, të cilat duhet të kontrollojnë nga ana tekniko-ligjore punën e tyre. Marrëdhëniet mjek ndërmarrje-punëmarrës, të drejtat dhe detyrimet që ka mjeku i ndërmarrjes janë sqaruar në këtë udhëzim si dhe janë evidentuar dokumentacionet bazë të punës së mjekut në ushtrimin e detyrës së tij.
Projektligji “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”
Pavarësisht akteve ligjore ekzistuese, (Kushtetutës, Konventës Nr.155 të ILO “Për sigurinë në punë, shëndetin dhe mjedisin e punës”, e ratifikuar, Kodit të Punës, Ligjit për Inspektoratin, akteve nënligjorë), për të plotësuar kuadrin ligjor, vendi ynë mori iniciativën e shkrimit të Dokumentit të politikave për sigurinë dhe shëndetin në punë, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, më 6 maj të vitit 2009, ku në Strategjinë Sektoriale të Punësimit, shtohet një kapitull me titull “Dokumenti i politikave për sigurinë dhe shëndetin në punë”. Në kuadrin e implementimit të këtij dokumenti, Ministria e Punës ka ndërmarrë për herë të parë nismën e hartimit të ligjit “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, i cili ka kaluar në Këshill të Ministrave, dhjetor 2009, dhe po diskutohet në Komisionin Parlamentar.
Detyrimet e punëdhënësve sipas projektligjit
Detyrimi i punëdhënësit për vlerësimin e rreziqeve që burojnë nga ushtrimi i aktivitetit që në fazën e hartimit të projektit të ndërmarrjes dhe marrjen e masave parandaluese në përshtatje me natyrën e rreziqeve të lindura gjatë punës, si dhe kontrollin e efektivitetit të tyre;
Detyrimi i punëdhënësve për të hartuar dokumentin e vlerësimit dhe parandalimit të rrezikut, i cili përmban masat me karakter teknik, organizativ, higjiene-sanitare, që do të zbatohen sipas kushteve specifike të vendeve të punës të aktivitetit;
Ngritja dhe funksionimi i shërbimeve të mbrojtjes dhe parandalimit si dhe Këshillit të Sigurisë dhe Shëndetit në nivel ndërmarrje, shërbime që nuk kanë ekzistuar as si nocion në legjislacionin shqiptar. Këto struktura do të shërbejnë për zbatimin e masave parandaluese dhe sigurojnë pjesëmarrjen e balancuar të punëmarrësve në hartimin e dokumentit të vlerësimit dhe parandalimit të rreziqeve që burojnë nga puna;
Shërbime të specializuara jashtë ndërmarrjes, të kualifikuara për të kryer shërbime mbrojtjeje dhe parandalimi në fushën e sigurisë e shëndetit në punë, të cilave iu drejtohet punëdhënësi kur kapacitet e ndërmarrjes janë të pamjaftueshme për të organizuar aktivitete mbrojtjeje dhe parandalimi;
Detyrimet e punëmarrësve, tërësinë e të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin/lidhen me të drejtën themelore të punonjësve për mbrojtje, duke rregulluar veprimet që duhen bërë në situata emergjence ose rast rreziku të rëndë dhe të afërt, duke njoftuar punëdhënësin, punëmarrësin e ngarkuar për çështjet e sigurisë e shëndetit në punë etj;
Çdo punëdhënës i një subjekti publik apo privat, vendas apo i huaj, fizik apo juridik është i detyruar të siguroje shërbimin mjekësor në punë, nëpërmjet mjekut të punës;
Hetimi i aksidenteve në punë - është risi klasifikimi në 4 shkallë të aksidenteve, duke u bazuar në pasojat që shkakton aksidenti dhe numrin e personave të dëmtuar;
Grupet që janë të ndjeshme ndaj rrezikut, mbrojtjen e veçantë të grave shtatzëna, grave me fëmijë në gji, të miturit, si dhe personat me aftësi të kufizuar dhe masat e veçanta që duhet të marrë punëdhënësi për të përshtatur vendin e punës me këtë kategori punonjësish me qëllim parandalimin e rreziqeve që rrjedhin nga puna;
Autoritet shtetërore përgjegjëse - ngritja e Këshillit Ndërministror për çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë;
Sanksionet, ISHP-ja vendos gjobë në përputhje me ligjin nr. 9634, datë 30.10.2006, “Për Inspektimin e Punës dhe Inspektoratin Shtetëror të Punës”.
12 Shkurt 2010