E Hënë, 2 Nëntor 2026

Borxhi i vjetër ndaj grekëve, lë shqiptarët pa bileta

17/03/2005  Nëqoftëse FSHF nuk shlyen një borxh prej 7000 euro federatës greke atëhere tifozët kuqezi do të ngelen pa bileta

Gati dy javë na ndajnë nga zhvillimi i takimit të përfaqësuese Shqiptare me Greqinë, në vendin fqinjë dhe problemet filluan që tani. Sipas mediave greke ( e përditëshmja “Ethnos”, gazeta sportive “Sportime” dhe radio sportive “Super Sport FM”) Federata Shqiptare e Futbollit i ka bërë një kërkesë simotrës së saj greke, në të cilën i kërkon 5% të biletave të stadiumit “Georgios Karaiskaqis”, ku do zhvillohet takimi, të cilat korrespondojnë me 1.575 bileta. Por, Federata Greke e Futbollit (EPO) e ka refuzuar kërkesën e FSHF!

Shlyeni borxhin 7.000 euro

Sipas mediave greke, federata helene është përgjigjur se nuk mudë të japi bileta për këtë ndeshje nëse nuk shlyhet më parë borxhi që FSHF i ka simotrës fqinje. Të gjitha burimet greke flasin për të njëjtën shumë 7.000 euro. Sipas tyre këtë shumë federata shqiptare e ka borxh këtu e tre vjet, domethënë që nga 2 qershori 2001, kur kombëtarja shqiptare luajti në Iraklis të Kretës kundër Greqisë. Ky borxh i korrespondon biletave të marra atëhere nga FSHF, të cilat sipas grekëve nuk janë paguar akoma! Federata greke i ka dhënë afat FSHF që të shlyejë këtë shumë prej 7000 euro deri më datën 18 mars 2005, pra deri të premten. Në se ky detyrim nuk shlyhet në afatin e caktuar atëhere grekët nuk kanë për të pranuar kërkesën e simotrës shqiptare për 5% të biletave.

Mediat greke: Borxhi, thjesht preteks

Nga ana tjetër media greke e pranon hapur se shlyerja e borxhit është thjesht një preteks i palës greke. “Sportime” në artikullin e titulluar “Bashkë, grekë e shqiptarë?” shkruan se: “EPO (federata greke), duke iu druajtur ndonjë trazire të mundshe midiz dy tifozerive, ka nxjerrë preteksin e borxhit tre vjeçar të shqipëtarëve”. Radio sportive “Super Sport FM” në adresën elektronike të saj e ka shoqëruar lajmin me titullin “Bashkëjetesë e rrezikëshme” dhe ka përsëritur se borxhi është thjesht një preteks pasi “EPO ka frikë se mos ndodhin trazira në shkallët e stadiumit, nxorri preteksin e një borxhi të vjetër prej 7.000 euro”. Ndërsa e përditëshmja “Ethnos” është treguar paksa më diplomatike, por në fund ka pranuar se: “EPO po e përdor borxhin si një mënyrë presioni për të shmangur trazirat e mundëshme”.

Arsyet e vërteta të grekëve

Pra shihet qartë se grekët nuk duan që në stadiumin e Pireut, të jetë e pranishme tifozeria shqiptare. Kuptohet fare mirë se ata kanë arsye të forta për këtë. Në rradhë të parë federata greke ka frikë se mos tifozeria kuqezi ka për të mbizotëruar në tribunat e “Georgos Karaiskaqis”. Dihet fare mirë se numri i emigrantë shqiptarë në vendin fqinj është shumë i madh dhe shumë prej tyre kanë për të siguruar bileta në rrugë private. Pra në se grekët japin 1.575 biletat për të cilat janë të detyruar, atëhere tifozët shqiptarë do të jenë të shumtë në numër. Gjithashtu grekët duke njohur fare mirë ndjenjat e thella raciste të një pjese të madhe të tifozerisë së tyre kanë frikë se në se në stadium ndodhen edhe tifozët shqiptarë do të shkaktohen trazira. Kjo do të thotë automatikisht një dënim të fushës greke nga FIFA, çka do dëmtonte ecurinë kampionëve të Evropës për kualifikim ne botërorin e Gjermanisë.

Mos përsëri do e pësojmë nga papërgjegjësia e disave?

Megjithëse, ne shqiptarëve nuk na pëlqen ky lajm, nga ana e saj federata greke nuk po bën gjë tjetër veçse po mbron interesat e përfaqësueses greke. Po interesat e përfaqësueses kuqezi kush po i mbron? Kombëtarja jonë rrezikon që të luajë pa përkrahjen e tifozerisë së saj të zjarrtë në një ndeshje shumë të rëndësishme. E pse? Sepse nuk kemi paguar biletat e një ndeshje të zhvilluar para tre vjetësh, në 2001! Një preteks ky që vetë grekët e pranojnë hapur se është i tillë. A mos vallë e kanë sajuar? Të shpresojmë. Por nëqoftëse është e vërtetë atëhere: Kush mban përgjegjësi për këtë dhe a do të jemi në gjendje që ta shlyejmë këtë detyrim deri të premten? Të shohim se çfarë përgjigje do t’i japë FSHF këtyre pyetjeve. Gjithashtu të shpresojmë se këtij problemi t’i jepet zgjidhje sa më shpejtë dhe të mos e pësojmë përsëri nga papërgjegjësia e disave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›