Borxhi ndaj të përndjekurve dhe e majta
Shoqëria shqiptare vuan ende dhimbjen që ka lënë çarja e madhe më shumë se gjysmëshekullore e diktaturës komuniste. Çarje që e përshkoi mespërmes shoqërinë dhe që e ndau atë në dhunues dhe të dhunuar, në persekutorë dhe të persekutuar. Dhunues që, në emër të një ideali mashtrues, ende duan të mashtrojnë ata që dikur i dhunuan. Persekutorë që, nga etja për sundim, ende duan të sundojnë ata që dikur i persekutuan.
Shoqëria shqiptare nuk do të gjejë dot prehje sa kohë nuk shlyen mëkatin e një pjese të saj ndaj një pjese tjetër. Sot, edhe pse ka një mirëkuptim më të madh për një gjest zhdëmtimi ndaj atyre që pësuan, që vuajtën padrejtësisht nën diktaturë, sot, edhe pse ky zhdëmtim pranohet publikisht nga të gjitha palët, jemi fatkeqësisht ende larg shlyerjes së këtij detyrimi të madh.
Jemi larg sepse, në radhë të parë, e majta, ajo që e krijoi këtë borxh dhe ua la faturë brezave, vazhdon të provokojë në vend që të reflektojë. Vazhdon të dhunojë në vend që të kërkojë ndjesë. Vazhdon të përçajë në vend që të shërojë. Sot shoqëria ka një borxh që duhet tia shlyejë vetvetes. Por, këtë borxh nuk e krijoi e djathta, aq më pak PD. Këtë borxh e krijoi e majta. Nga mungesa e përgjegjshmërisë, nga cinizmi, nga përbuzja me të cilën ende e majta percepton gjithë shtresën e ish-të përndjekurve, e majta për tetë vite që qeverisi nuk bëri asgjë, nuk ndërmori asnjë veprim, nuk krijoi asnjë hapësirë, asnjë shans për të mundësuar integrimin e brezave të tërë njerëzorë që ranë në fatkeqësi prej marrëzisë dhe tiranisë që u imponoi shqiptarëve.
Së fundi socialistët po tentojnë të provokojnë një debat publik, por më shumë politik, për zhdëmtimin e të përndjekurve. Fatkeqësia është se kjo bëhet në mënyrën më cinike. Kjo lëvizje politike e fundit e PS duket qartazi se nuk ka për synim ndryshimin e gjendjes në favor të ish-të përndjekurve, por synim ka thellimin e përçarjes. Në stilin e tyre perfid, po nxisin një dasi të re kësaj radhe mes vetë të përndjekurve.
Një numër të vogël individësh të keqpërdorur apo të keqformuar mes viktimave të dhunës së djeshme, një pjesë e të cilëve njihen botërisht si mbështetës apo aktivistë të PS, po mundohen ta përdorin si maja e thikës që kërkon të thellojë plagën. Nëpërmjet, gjoja, propozimeve dashamirëse për dhënien e menjëhershme të dëmshpërblimit financiar ndaj atyre që janë mbi 75 vjeç, po tentohet të krijohet një diferencim i ri, një keqtrajtim i ri. Në emër të një diskriminimi pozitiv moshor, synohet të diskriminohet shumica e ish-të përndjekurve. Fatura e borxhit është shumë e madhe dhe përfshin dhjetëra mijëra individë. Dihet se ajo nuk mund të paguhet njëherësh. Dihet se është vendosur prej vitesh një sistem këstesh. Askush nuk ka marrë këstin e dytë pa përfituar edhe më i fundit këstin e parë. Dihet sa është shuma e dedikuar këtë vit në buxhet për dëmshpërblimet. Prandaj qëllimisht propozohet një ndërhyrje, gjoja, zemërmirë, e dhembshur që synim ka zhbalancimin e skemës. Do të përfitojnë një numër prej disa qindrash dhe do të duhet të mbeten pa gjë dhjetëra mijëra të tjerë. Ky është qëllimi. Një dasi e re, një diskriminim i ri.
Nëse e majta do ta kishte njohur sinqerisht këtë borxh, nëse do të kishte filluar ta paguante që gjatë tetë viteve që qeverisi, sot edhe ata që janë mbi 85 vjeç, apo edhe ata që fatkeqësisht nuk jetojnë më, do ta kishin marrë ndërkohë shumicën e dëmshpërblimit që u takon.
Harresa ndoshta është ilaç, por kujtesa është shëndeti vetë. E majta e ka qeverisur dy herë këtë vend. Njerëzit e dinë çfarë bëri diktatura e së majtës ekstreme. Dhunoi, kreu krime të pashembullta, të cilat sot duam ti shlyejmë të gjithë si shoqëri. Njerëzit e dinë se çfarë bëri qeveria e majtë për tetë vjet. Në qeverisjen e parë e krijoi këtë borxh, ndërsa në të dytën e injoroi krejtësisht atë me shpresën e harrimit. Edhe më keq, gjatë tetë viteve që qeverisi e majta i injoroi dhe i poshtëroi edhe më tepër të përndjekurit duke u përkujdesur me zell të madh për të dëmshpërblyer ish-persekutorët, për të cilët nuk kurseu asgjë nga paratë publike.
Nga ana tjetër, njerëzit e dinë se çfarë ka bërë PD. Me guxim, madje edhe përkundrejt një shoqërie të papërgatitur për detyrimin e madh, PD krijoi një sistem të tërë për riintegrimin e të përndjekurve në shoqëri. Kur PD u jepte mundësi shkollimi, u jepte preferencë punësimi, e majta i përfliste me përbuzje dhe i përshkruante si një barrë që po krijonte një diskriminim të ri. Edhe sot, kur PD ka krijuar dhe po zbaton me korrektesë dhe me shumë vendosmëri një skemë të drejtë dhe transparente, përsëri e majta provokon dhe nxit përçarje.
PS dhe Rama po tentojnë të hynë në një terren ku nuk do të gjejnë kurrë pranim sa kohë nuk reflektojnë ndjesë për mëkatin që trashëgojnë. Më keq akoma. Një mëkat i vjetër nuk harrohet duke shtuar një mëkat të ri. Kjo është ajo që masivisht mendojnë dhe shprehin ata që vuajtën nën hanxharin e muzeut socialist. Edi Rama mund ti dërgojë vetes mesazhe mbështetjeje politike. Natyrisht, nuk është aspak e vështirë të gjesh individë që të nënshkruajnë një thirrje drejtuar Berishës në emër të të përndjekurve. Por mjafton të lexohet me vëmendje rreshti i fundit i thirrjes, dhe zbulon që firmëtarët, ish-të përndjekur, u referohen të përndjekurve jo me ne, por me termin ata. Kjo mjafton të kuptohet kush është autori.
Për shlyerjen e këtij borxhi të madh që shoqëria ka ndaj vetes, PD nuk është në garë me PS. Jo. PD është në garë me veten. PD është në garë me parimin e vet të shpallur. PD është në garë me moralin e vet. PD është në garë me mundësitë që ka dhe këtë përgjegjësi do ta mbaj edhe përtej së mundurës. Deri sot është zhdëmtuar vetëm një pjesë e vogël. Pak. Shumë më pak se do të kishte dashur jo vetëm PD, por edhe çdo qytetar i përgjegjshëm i këtij vendi. Por, të paktën, në çdo vit buxhetor qeveria ka parashikuar një fond aq sa ka mundur. Edhe në këtë kohë shtrëngese ekonomike, ndërsa socialistët për tetë vjet nuk dhanë as një lek të vetëm për dëmshpërblim ndaj qoftë edhe një të përndjekuri të vetëm. Prandaj, gjithë ky debat është një tjetër provë se në PS nuk kanë reflektuar aspak për fajin që mbartin në sirtarin e tyre politik. Prandaj, gjëja më e mirë që duhet të bëjnë është të kthejnë sytë nga vetja për të kuptuar se i kanë një borxh të madh shoqërisë. Pa njohur peshën e fajit, nuk do të kalojnë dot në procesin e pendesës. Dhe pa pendesë nuk mund të ketë falje, nuk mund të ketë pajtim të vërtetë. Pajtim jo me të përndjekurit, por me shoqërinë, pjesë e së cilës janë. Pra, pajtim me vetveten.
