E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia e parë apo koalicion i parë?

Preç Zogaj

Më mirë parti e parë apo koalicion i parë? Krerët e partive  të mëdha  do ti dëshëronin të dyja  këto kupa,  por nëse duhen të zgjedhin, o njërën,  o tjetrën, padyshim që do të zgjidhnin kualiconin e parë. Kjo është logjika e sistemit elektoral që kemi. Me këtë sistem, shanset më të mëdha për të  dalë kryeministër  e për të krijuar një qeveri i ka  kryetari i koalicionit  të parë, pavarësisht se vetë mund të drejtojë një parti që ka dalë e dyta në shkallë vendi. Partia e parë  mund të dalë për shumë vite e para dhe të ndihet krenare për ketë  po  nuk do të vinte  dot në pushtet  pa aleatë që i sigurojnë shtesën e nevojshme për të kapur një shumicë deputetësh. Ndryshon puna nëse partia e parë merr e vetme në çdo qark  mbi pesëdhjetë  përqind të votave.

Teorikisht ky është një opsion i mundshëm, por praktikisht, nëse shohim  rrezultatet e zgjedhjeve  që nga viti 2000 e këndej  mund të themi se opsioni në fjalë  është një utopi.   Drejtusit e partive kryesore e dinë këtë. Ata përpiqen të rriten me synimin e arsyeshëm që  të mos zvogëlohen. Por qoftë Berisha, qoftë Rama e kanë kuptuar se përveçse në  garën  për të  mbledhur sa më shumë vota për  partitë që drejtojnë, ata janë edhe në një garë tjetër, pa substancë  politike në dukje, por më përcaktuse  edhe se vetë programet  përsa i përket qëllimit final të  marrjes apo mbajtjes së pushtetit: në garën që kush e kush të krijojë aleancat me të mira, më të gjera. Në vitin 2009 Berisha iu përshtat më shpejt dhe më mirë sistemit të ri elektoral.  Duke shfrytëzuar edhe resurset e pushetit, ai ndërtoi një koalicion të gjerë  deri me parti që nuk u njihej emri,  por që sollën në thesin e tij disa mijëra vota me të cilat ai bëri diferencën  formale me koalicionin e Ramës  (Nuk po  llogarisim këtu manipulimet e tipit të Ruzhdijes). Më reputacionin e liderit që  lëshon  dhe shpërblen  me njërën  dorë për tu  shpërblyer me dorën tjetër, Berisha  e çoi  më tej  formulën e trenit  të partive dhe partizave  në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.  Ai  nuk e ka  në natyrë ndarjen e pushtetit dhe  joshjen e aleatëve. Përkundrazi.

Për shpirt ai nuk do të  ndante asgjë, nuk do të delegonte asgjë dhe nuk do tu jepte asnjë komunë të vetme aleatëve. Por ai  ka treguar se në momente të veçanta, falë intuitës dhe përvojës, di tua përshtasë qëndrimet prerogativave të ligjit, rrethanave  të momentit. Ai nuk është bërë dorëlëshuar me aleatët, por ka përshtatur një qasje bujare, të  përputhshme me logjikën e  sistemit elektoral që nxjerr fitues kualicionin e parë. I obseduar nga ideja e pushtetit, Berishës i pëlqen  tani të jetë, të  njihet dhe të shfaqet piksëpari  si kryetar i koalicionit të tij, mandej si kryetar i partisë së tij. Kushdo që  lufton për marrjen e pushtetit me këtë sistem elektoral- dhe  këtu kam parasysh në radhë të parë shefin e opozitës zotin Rama- ka çfarë të  studiojë  e shfrytëzojë nga përvoja  e Berishës në ndërtimin e koalicioneve.  Ai ka  stërvitur  njëlloj  dhuntie  për të lëshuar  shumë  pa humbur ndonjë  gjë  thelbësore nga pushteti  i tij.

Kjo padyshim është shenjë talenti që  fillon e venitet me kohën që shkon dhe me kalbëzimin që prodhon pushteti i dorovitur.  Me atë dhuntinë  për të renditur rëndësinë e lëvizshme të  funksioneve publike, Berisha  përshembull nuk e ka për gjë  tu japë nga dhjetë, njëzet apo tridhjetë komuna e bashki partive aleate, duke i lenë të kënaqura, duke i mbajtur të temperuara  dhe duke i angazhuar maksimalisht në bastionet ku  ka nevojë të fitojë vetë. PS  ka treguar se është më e ngurtë  në ketë aspekt. Gjëja që duhet parë  me sy  kritik dhe që nuk duhet të merret en blok nga Berisha është njëlloj pragmatizmi i tij i skajshëm, që ka asgjësuar çdo princip në  lidhje me kriteret që ndjek një forcë  politike  në ndërtimin e aleancave.

Për interesat e pushtetit Berisha është gati të bëjë aleanca me ekstremin  e majtë, të djathtë dhe të qëndrës. Me vetë djallin, siç thotë fjala. Nga kjo qasje duhet të kuptojmë se nuk ka asgjë të qëndrueshme  në  sulmet  e këtij  kryeministri kundër disa partive të reja që po lindin apo priten të lindin. Në një skenar interesi, Berisha do ti harrronte  të gjitha dhe do të puthte pa problem aty ku ka pështyrë.  Ky lloj pragmatizmi, që në fakt  është amoralitet, është një atentat që i bëhët vetë kuptimit të pluralizmit dhe diadave në politikë. Aleancat kanë një fill, një cak, një logjikë, përtej të cilave ato nuk janë më aleanca por pazare të  ulta, ortakëri kriminale.

Për mirë dhe  për keq, Rama, pa dyshim,  mëson për ketë çeshtje  nga  kundërshtari i tij. Mbi supet e Ramës ka rënë barra e dyshfishtë e drejtimit  të një  partie fituese dhe koalicioni fitues. Ai bën  mirë që po kërkon ta hapë, ta forcojë, ta bashkojë dhe rrisë sa të  jetë e mundur  Partinë Socialiste. Kjo është një parti e madhe pa të cilën as që mund të  imagjinohet  rrotacioni i pushtetit në zgjedhjet e ardhshme. Sa më  e fortë të jetë partia udhëheqëse e koalicionit, aq me shumë shanse  ka koalicioni opozitar  për të ardhur në pushtet.  E njëjta  logjike vlen edhe për partitë aleate. Së më të  forta e të shumta ato, aq më  e sigurt është fitorja e opozitës.  Me ketë vetedije partitë  më të njohura të opozitës  kanë institucionalizuar si asnjëherë tjetër më parë  tryezën  e tyre periodoke të  drejtuar nga lideri socialist;  një numër  i konsiderueshëm partish më të vogla  dhe më të reja  opozitare  janë në kontakt me njëra tjetrën dhe me PS-në në funksion të  veprimeve të përbashkëta politike.

Megjithese  takohen  rregullisht me  liderin e PS-së,   me shpesh se  simetriket e tyre  me  liderin e PD-së,  partitë e treta apo partitë e vogla opozitare   artikulojnë me shumë  shqetësime  dhe kritika për reformën zgjedhore, për  funksionimin e koalicionit e tjerë.  Kjo ka  shpjegimin e vet.  Partitë  aleate me PD administrojnë pushtet në nivele të ndryshme të administratës publike. Ka gjasa të  gjejnë njëfarë kënaqësie  aty. Kurse partitë e koalicionit  opozitar  kanë nevojë të kenë  besim e shpresë  se do të përfaqësohen  në Kuvend.  Shpresa është sadisfaksioni i tyre. Përveçse në  punën  e  tyre  në bazë,  ato shpresojnë  shumë  te  reforma  elektorale. Shpresojnë te verifikimi i drejtë, të votimi i drejtë, te numërimi i drejtë, te përfaqësimi i drejtë i çdo vote të hedhur. Ato i kanë sytë piksëpari nga Partia Socialiste. Të  gjitha  partitë, edhe ato të qeverisë , duhet të pretendojnë nga PS që është gjysma tjetër e komisionit zgjedhor. Por kur nuk ecën puna,  nuk  më duket e drejtë  që partitë e vogla të opozitës të zemerohen me PS-në me shumë se partitë  e vogla të qeverisë me PD-në.

Nëse  PS nuk e ka në dorë të vendosë apo imponoj렠 vizionin tërësor të opozitës për reformën zgjedhore,  kjo parti nuk duhet të vonohet për të  propozuar e nënshkruar marrëveshje të qarta  elektorale me partitë aleate. Në keto marrëveshje  të brëndshme duhet të marrë përgjigje  çeshtja e përfaqësimit   të drejtë të votave dhe kontributeve në Kuvend dhe në pushtetin e  meserm. Së fundi, Opozita e  Bashkuar,  kështu siç është sot, e mbështet besimin në fitore te popullariteti dhe forca e saj.  Por ajo duhet të jetë  e  hapur dhe  ftuese për çdo subjekt  tjetër opozitar, që ka në kredon e vet  integrimin europian dhe shtetin e  së drejtës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›