Demagogjia me sigurinë për shqiptarin
Orges Zoto
Se fundmi mbas 4 vjet zvarritje të pafundme nëpër gjykatë ne morëm edhe verdiktin e gjykatës për çështjen Gërdeci. Unë e prisja këtë vendim dhe jam shumë i çuditur me disa që ngelën të shtangur nga kjo vendimmarrje e gjyqtarëve Shqiptarë. Këto vendime të çuditshme janë në vazhdën e shumë vendimeve të tjera që nga çështja e rrugës së kombit, tek çështja Meta e deri te çështja famë keqe e Gërdecit. Si për çudi gjithmonë populli Shqiptarë ngelet i zhgënjyer nga një sistem i cili tashmë nuk ekziston më.
Nuk ekziston më pasi atje tashmë nuk kemi më njerëz të kualifikuar që kanë si “bibël” apo “kuran” të punës së tyre Kushtetutën e Shqipërisë. Nuk pretendoj te jemi ekspertë juridik i sistemit tonë të drejtësisë (zor se edhe ekspertët e kuptojnë) por si një qytetarë i thjesht unë i krahasoj çështjet në gjykatë me precedentë (të cilat gjykata jonë as që i merr parasysh). Si mund të arrish të imagjinosh që një avokat mund të shtyj seancën derin në 65 herë për arsye “shëndetësore”. Ky avokat në një gjykatë tjetër në botë jo vetëm që do të përjashtohej nga çështja, por do ti hiqej edhe e drejta të praktikonte profesionin e tij. Nuk kanë moral këta njerëz? Pikërisht për këtë arsye dua që ta shtjelloj mesazhin tim, te morali.
Vërtet që çdo vendim gjykate duhet të respektohet i drejtë apo i zhdrejtë qoftë ai, duam apo nuk duam ne. Por gjyqi moral i shumë personave me përgjegjësi direkte apo indirekte në masakrën e Gërdecit tashmë është bërë me kohë. I disave të cilat janë akoma nëpër ministrira e nëpër ofiqe të cilët kanë përgjegjësi kryesore për atë ç’ka ndodhi në Gërdec. Njerëz të pafajshëm u vranë sepse kërkonin një copë bukë për të ushqyer familjet e tyre. Ata u vranë mu aty ku pasuroheshin disa vipa. U pasuruan edhe vazhdojnë të pasurohen me gjakun e 26 jetëve të pafajshme. Shqiptarët ua kanë bërë gjyqin atyre personave me kohe. Pyetja ime është si vazhdojnë këta njerëz të qeverisin, si vazhdojnë këta njerëz tu thonë mirëmëngjes e mirëmbrëma njerëzve të tyre të dashur?
Nuk u rëndon në koshiencën e tyre të paktën një përgjegjësi qoftë edhe morale pale penale. Jo vetëm kaq por kryeministri ynë edhe tallet me familjet e Gërdecit duke u thënë familjarëve edhe opozitës që ish ministri i mbrojtjes e mori mandatin e dytë mu në Gërdec. Nuk i rendon kryeministrit përgjegjësia morale e 26 viktimave që u vranë kur ai ishte i pari i shtëpisë. Përse nuk i mbrojti kryeministri ata 26 shpirtra ashtu siç mbrojti Kryeministrinë nga puçi i tmerrshëm i 21 janarit i cili do ti merrte jetën kryeministrit me çadrat pushkë e stilolapsat-pistoletë. Përse nuk e mbrojti kryeministri Edisonin e vogël 6-vjeçar, pasi ligji e detyron kryeministrin të mbrojë çdo jetë Shqiptari, por përkundrazi ai ka guximin të vazhdojë të qeverisë, të vazhdojë të shkojë në shtëpi çdo natë tek fëmijët e tij e ti shikojë ata në sy, si pa të keqe, sikur nuk ka ndodhur asnjë gjë.
Më kujton ato pallatet e bukura që ngrihen ndonjë herë por banorët e tyre i hedhin plehrat nga dritarja edhe harrojnë që era e rëndë do u vij mu brenda në shtëpitë e tyre luksoze. E pra kështu janë ata njerëz të cilat janë vërtetë përgjegjës për atë tragjedi të tmerrshme. Kudo që të jenë ata e kudo që të shkojnë ata gjithmonë do të kundërmojnë një erë të keqe. Na takon ne popullit shqiptar që ti pastrojmë këto “plehr” që kundërmojnë vendin tonë dhe të vendosim një precedent, që me jetën e shqiptarit nuk mund të luhet, që nuk mund të shitet e blihet sa herë u teket qeveritarëve.
Çdo njeri është e duhet të jetë i barabartë përpara ligjit qoftë ky kryeministër, ministër apo pastrues rrugësh. Kjo ishte ëndrra e atyre burrave me në krye Ismail Qemalin që u përpoqën më aq mund të krijonin 100 vjet më parë. Me këtë mendim duhet të shkojë çdo qytetar shqiptar në zgjedhjet e ardhshme, për të vendosur një moral të ri në qeverisje për të vendosur një qeverisje me moral të pastër edhe pa të vdekur në ndërgjegjen e saj.