Të jesh politikan me ndërgjegje
Alban SEJDINI
Në një kohë kur paratë për të cilat sfiliten pensionistët nëpër sportele vijojnë të ngjajnë më shumë si lëmoshë varfanjakësh sesa pensione mujore, ndërgjegjja punëtore e politikanëve tanë të nivelit të lartë e të mesëm është kristal e pastër. Për rrjedhojë, ata e meritojnë që të lëvizin me automjete superluksoze në formë shpërblimi për punën e vështirë që u ka rënë barra të kryejnë. E meqë shumica e tyre punon si politikan prej shumë vitesh, ata konsiderojnë se e kanë hak të blejnë edhe modelin më të fundit sapo mjetit të tyre aktual i bëhen nja ca vite në motor e sedilje. I gjithë ky proces blerjesh bëhet ekskluzivisht me paratë e taksapaguesve shqiptarë, sepse përndryshe nuk do të kishte lezet.
Në të gjithë botën e përgjegjshme, njerëzit dhe sidomos politikanët e zgjedhur i shtrijnë këmbët aq sa kanë jorganin. Këtyre të fundit nuk ua mban që të bëjnë ndryshe, sepse bëhen për e hëngri ene trimi. Në Shqipëri, politika është e tejmbushur vetëm me trima, të cilët për meritë të sistemit të ngritur e mirëmbajtur prej atyre vetë thjesht nuk e hanë. Një ndër shembujt më të bukur është shpenzimi i jashtëzakonshëm i politikanëve tanë për Sëklasa, Mëlëra e Gëlëra të Bencit, Fetona e Tuarega të Folksvagenit apo Ikspesa e Seria 7 të Bëmëvësë. Këto bisha motorike e kanë çmimin për rënie të fikshë edhe pa ato opsionet speciale që i pëlqejnë aq shumë politikanëve. E përveç kostos së blerjes, taksapaguesit shqiptarë u heqin politikanëve edhe shpenzimet e karburantit dhe mirëmbajtjes. Pse, kur të kenë për të bërë rrugën nga Parlamenti te kryesia e Kuvendit, të ndotin këpucët e të shkojnë në këmbë? Pse, kur të kenë për të shkuar për dreka e darka jashtë Tirane, të shkojnë me automjetin e qerasësit? Është çështje dinjiteti shtetëror! Apo duhet të bëhemi kurnacë dhe të mos u japim as lekët e servisit, kur bëjnë aksidente me makinën e punës? Shyqyr që i kemi këta heronj të punës socialiste, që po bëjnë maksimumin për të na mbushur frigoriferët, për të na bërë tipa më onllajn dhe natyrisht për të na futur në Evropë nga deriçka e pasme, kështu me rrecka e gjithë baltë.
Përpos të tjerave, taksapaguesve u kënaqet shpirti kur shikojnë se çfarë arkitekture dhe cilësie ndërtimi kanë fytyrat e politikanëve tanë trima majë luksit me katër rrota. Shumë prej tyre i kanë ende shenjat e përdhosjes së pamjes nga sistemi i tyre aq i dashur komunist, edhe pse mirëqenia dhe trajtimet estetike i kanë transformuar si fasadat e Tiranës dikur. Të tjerë kanë një fytyrë prej nxënësi aq të dobët në shkollë, sa që CV-ja e tyre fillon me punën si politikan. Disa janë qengja të mirë, sepse kanë pirë nga dy nëna dhe disa të tjerë benefitojnë nga procesi i ngadaltë, por i qëndrueshëm, i të qëndruarit gatitu për tre kategoritë përpara tyre. Të gjithë këta trima mbështeten nga të tjerë trima e kështu me radhë zgjerohet rrethi gjithëpërfshirës, që armiku as me votë nuk e shpon dot.
Për një politikan në Gjermani është e pranueshme që të ketë Sëklas në dispozicion për dy arsye të thjeshta. Ai është drejtues në atdheun e Bencit dhe ky emër i thotë të gjitha. E, së dyti, atij mund ti fluturojë posti e gjithë karriera për një plagjiaturë në temën e diplomës apo për një kredi me kushte lehtësuese. Në Shqipëri është caktuar me ligj, që zyrtarët e lartë dhe politikanët të përfitojnë kredi të buta nga të njëjtat banka, të cilat taksapaguesve dhe bizneseve fakire po ia marrin edhe brekët me ato interesa, që mbeten të larta njëlloj si ritmet e rritjes ekonomike kineze. Në këto kushte, të gjithë drejtuesit e këtij shteti shfaqen të mbytur në kredi kur deklarojnë pasuritë. Për mungesë të standardeve teutone midis ish-komunistëve tanë, të flasësh për blerje automjetesh luksoze nga dhe për sojin tonë të politikanëve, është si të imitosh Don Kishotin. Shollë e kishin faqen në rini, shollë do ta kenë deri në pleqëri, sepse nuk u bën përshtypje fare që është turp i madh çdo sjellje e tyre në politikë. Tek radhët e pensioneve duhet të ofrohet tashmë edhe shërbimi i ambulancës, ndërsa në zonat e akullnajave të sivjetshme nuk kishin fonde as për karburantin e borëpastrueseve të mykura nga dekadat. Edhe pas 20 vitesh në të njëjtat kolltuqe, këta nuk kanë arritur të përmbushin premtimin e famshëm drita-ujë 24 orë. Kjo i detyron që sot të premtojnë internet aty ku nuk ka drita dhe turizëm atje ku nuk ka ujë.
Ky farë shteti nuk ka këllqe të qëndrojë në këmbë pa remitancat dhe pa lekët informale, prandaj të shikosh përgjegjësit e kësaj situate, që i përdorin paratë e taksapaguesve për blerjen e makinave luksoze si lekët e xhepit, thjesht se si duket…