E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhi për 2009-ën, 60 miliardë lekë

Qeveria ka planifikuar me detaje të gjitha shpenzimet që do të kryejë për vitin 2009, përfshi këtu edhe borxhet që do të marrë, si dhe kufirin e lejuar. Duke iu referuar ligjit të buxhetit 2009, i miratuar javën e shkuar nga Këshilli i Ministrave, neni 17 i tij thotë se "kufiri për rritjen vjetore të totalit ekzistues të borxhit të shtetit dhe atij të garantuar të shtetit, në dobi të palëve të treta përfituese, për vitin 2009 është 59,775 milionë lekë". Ky fond do të krijohet nga rritja vjetore e totalit ekzistues të borxhit të shtetit, për financimin e deficitit të buxhetit të vitit 2009, që është rreth 56 miliardë lekë. Kështu, nga ky fond do të përdoren për financimin e projekteve (të drejtpërdrejta të Këshillit të Ministrave) rreth 14 miliardë lekë, ndërsa mbështetja buxhetore është parashikuar në rreth 42 miliardë lekë.

Shpenzimet e tjera

Kufiri për rritjen vjetore të garancive të shtetit, në dobi të palëve të treta përfituese, është 2,4 miliardë lekë, përfshirë edhe fondin prej 200 milionë lekësh për garantimin e kredive të eksportit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që ushtrojnë veprimtari në prodhimin për eksport. Kufiri për rritjen vjetore të stokut të borxhit, si rezultat i riskedulimit të borxheve të vjetra, të jashtme, të papaguara, është 2 miliardë lekë. Ky fond do të përdoret për shlyerjen e borxheve të marra nga sistemi komunist.

Fondi rezervë

Pikë tjetër e debatit që ka shoqëruar gjithnjë buxhetet ka qenë fondi rezervë, që i lihet në dispozicion Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Shqipërisë. Kështu, fondi rezervë prej 2 miliardë lekësh do të përdoret për raste të paparashikuara të institucioneve buxhetore, ndërsa fondi i kontingjencës prej 6 miliardësh dhe fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›